• Shqip
  • English
  • E enjte, 19 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Një tregim për dy ministre Drejtësie, njëra në Paris tjetra në Tiranë!


    Në verën e vitit 2009, sapo kishin mbaruar votimet aspak normale, ku si gazetare e Top Channel-it, mbulova qarkun ikonë të dështimit të atyre zgjedhjeve, Fierin, kam udhëtuar për herë të parë për në Francë së bashku më motrën time, tek një mikeshë që jetonte atje. Qëndruam në shtëpinë e Donikës, në Strasburg, dhe vizituam edhe Parisin, me trenin express. Ishte e vështirë të jetoje Francën ende me pluhurin e Patosit, Fierit, pistoletave që kishim xhiruar brenda nëpër KZAZ, të fortëve të PD-së në atë vakt dhe mua që desh më hoqën nga puna se fitoi prapë Berisha dhe mediat, si kudo, kanë hallet e tyre me pushtetet dhe gazetarët ‘problematikë’ nuk duhen promovuar. Të shkuara të harruara këto.

    Në Francë më pëlqente të mësoja rreth figurave të politikës, më shumë sesa për muzetë dhe brioshët. Isha kurioze dhe atje për herë të parë mësova për një ministre Drejtësie, zhivë, beqare, ish-gjyqtare, shoqe e ngushtë me Sarkozy-në, ezmere, fotozhenike, me origjinë algjeriane nga nëna dhe marokene nga babai, Rachida Dati.

    Hyrja në politikë e Dati-t ishte si nëpër filma.

    Ish-gjyqtarja kokëfortë dhe që përshkruhet si e zonja në rrethet e saj, hyri në politikë përmes një letre që i dërgoi Sarkozy-së dhe fjalisë së famshme imponuese “unë mendoj se ju keni nevojë për mua!” Fillimisht ishte zëdhënëse e tij në fushatën presidenciale. Më pas u bë ministre e Drejtësisë, por vetëm një vit, se pastaj ndodhën disa gjëra.

    Thonë, u ftohën, se Carla bezdisej nga vetësiguria që shfaqej në telefonatat orë e pa orë dhe miqësisë së ngushtë të të dyve (asgjë romantike, garantonin burimet, thjesht dy bashkëpunëtorë që s’bënin dot pa njëri-tjetrin). Por kishte një kleçkë tjetër që i prishi edhe më shumë punë Sarkozy-së.

    Hyrja e Rachida Dati-t në politikë ishte shpresë për algjerianët, marokenët dhe çdo njeri të thjeshtë që ishte bërë nga zero, se në krye të Drejtësisë do të ishte një prej tyre, një si ata, për ata, një e thjeshtë!

    Dati ishte xixë profesionalisht, por ajo u thye nga vaniteti. Veshjet e saj prej markash të shtrenjta nuk iu pëlqyen francezëve, që gjysmën e markave i kanë shpikur vetë, që modën e nisën që me Marie Antoniette-n, e, megjithatë, në pushtet, atje lart, atyre nuk iu pëlqeu ky marsh i gruas, që e panë si njërën prej tyre dhe madje edhe Sarko, një ditë, s’ia hapi më telefonin.

    Sot, që e mendoj, nuk besoj se e thyen çantat Louis Vuitton, por një çantë këtu, një hotel atje, një telefonatë në orare të papërshtatshme dhe u bënë të gjitha bashkë, edhe pse humbja e popullaritetit për shkak të imazhit “dolce vita”u bë vulë!

    Ajo ç’ka mësova në Francën e herës sime të parë, qe se minimalistja ishte gjithmonë e kërkuar. Unë vija nga një botë, ku ai që s’kishte s’bën dhe ai që kish respektohej. Nuk e kisha as edukim e as mësim, por atje e fiksova njëherë e mirë se sa më lart të ishe, më shumë i ngjaje mamit tim se Claudia Schiffer-it në stil jete.

    Një politikan dhe një figurë publike duhet të përfaqësojë në çdo moment të gjitha shtresat, sepse ai është edukatori, ai shërbëtori dhe mbi të gjitha duhet të jetë praktik, pa lajle-lule.

    Kuptohet, boll të shohësh pushimet gjithmonë me 4 yje të Angela Merkel-it dhe e kupton se mesazhi që duhet të japësh është ‘minimalizëm’.

    Në Tiranë ka 48 orë që rrjeti gëlon për disa fatura të ministres fotozhenike, Etilda Gjonaj.

    Etilda Gjonaj nuk i është imponuar shefit të saj si Rachida Dati, nuk ka as përvojën e saj dhe nuk ka as Parisin si të sajin, por përfaqëson një vend të vogël dhe kryeqytet të vogël, Tiranën. Përfaqëson jo vetëm qeverinë dhe partinë, por sidomos veten e saj.

    Nuk i kam ndeshur vanitete në veshje dhe look, në asnjë rast, për hir të së vërtetës. Siç ka të tjera gra e burra në politikë, që mbase s’e kanë të lehtë të tregojnë çmimet e veshjeve mbi lëkurën e tyre, por… punë ballkanasish. Veçse kjo historia e faturave të huton pak rreth ministres Gjonaj. Lepuri nuk fle tek hotelet sa tek dhomat dhe tek një sqarim për biletat, që, nuk e di pse, zonja ministre e pati të vështirë ta bënte në reagimin e saj të gjatë. Hotelet që përmenden, sipas disa burimeve të besueshme, të paktën në Bruksel, janë hotele ku ka shkuar PD, PS e LSI. Pra atje shkojnë të gjithë por ja ku ndryshon historia. Në Bruksel çmimet e hoteleve ndryshojnë sipas kërkesës, por atje dhe kudo, në Romë, Londër e gjetkë, dhoma duhet të jetë e tipit ‘Standard’. Nëse agjencia i ka rezervuar ministres një suitë, në rastin e parë ajo duhet të kish kërkuar shpjegime dhe mos përsëritjen. Nëse kjo ka ndodhur qoftë edhe vetëm një herë ajo duhet ta sqarojë. Nëse ka ndodhur disa herë, duhet të kërkojë ndjesë sipas mënyrës së vet, duke qëndruar, duke u larguar, secili përballet sipas mënyrës së etikës së tij.

    Po biletat?

    Biletat ndryshojnë dhe të gjithë e dimë se një “last minute” ndryshon nga një e prerë më herët, por edhe këtu duhet gjetur nëse janë biznes apo economy.

    Ky ishte një tjetër sqarim minimalist që ministrja s’e ka dhënë.

    Nëse në këto akuza ka sadopak të vërtetë, duhet të përballet me të vërtetën!

    Nëse është një sulm kazani, të vërtetën e mbrojnë provat dhe faktet. Të të dy rastet nuk iket…!

    Deklaratat emocionale: “më sulmojnë si bashkëshorte, si grua dhe si nënë”, nuk janë të lejueshme në vitin 2019. Në pushtet je si profesionist dhe jo si gjini, të paktën kështu do duhej të ishte.

    Për ta mbyllur: Sot e kësaj ditë e ndjek në Instagram Rachida Dati-n dhe për disa kohë e pashë që drejtoi një bashki të vogël. Më vonë, për 10 vjet, ishte anëtare e Parlamentit Evropian. Duket që e do shumë politikën dhe ka atë çehren e ambiciozes, që po të kish qëndruar në skenën e brendshme politike, edhe karrigen e kryeministres do ta kish aspiruar. Mbase, ajo, më mirë se të gjithë, e di sa rëndësi ka që të përballesh në kohë me gabimet apo tundimet e vogla të pushtetit!

    Ministrja e drejtësisë në Tiranë ka vetëm një armë dhe nuk i duhen as portalet, as televizionet, avokati i saj (dhe një juriste në formim e di mirë) është e vërteta! Çdo gjë tjetër kthehet në rërë ose në një telefon të fikur!

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690