• Shqip
  • English
  • E enjte, 20 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Art & Kulturë Të gjitha

    Një Skënderbe me ngjyra siç nuk e keni parë ndonjëherë!


    Esencë Editori/ Është nxjerrë nga një ribotim italisht i vitit 1646 që ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Spanjës. Libri titullohet: “Portrete të 100 kapedanëve të shquar dhe bëmat e tyre në luftë të përshkruara shkurtimisht dhe të gdhendura nga Aliprando Capriolo.”/ Ilir Konomi publikon në FB një status të gjatë ku jep detaje interesante mbi këtë foto të rrallë të heroit tonë. Lexoni statusin e plotë të tij.

    Libri i Capriolos është botuar fillimisht në Romë, në vitin 1596 dhe nuk është i panjohur për studiuesit e Gjergj Kastriotit. Gravurat e librit origjinal janë bardhë e zi.
    Por 50 vjet pas daljes së botimit të parë, duket se dikush vendosi ta ribotojë librin dhe t’i stilizojë portretet, duke u shtuar ngjyra sipas fantazisë së tij.

    Në këtë Skënderbe me ngjyra, bereta “alla carmagnola” është e gjelbër, ndryshe nga e kuqja e ndezur në portretin e Gentile Bellinit ose në atë të Cristofano dell’Altissimos që ruhet në Firence.

    Në gravurën e Capriolos, Skënderbeu paraqitet si burrë shteti dinjitoz e fisnik, me pamje të urtë e të qetë, me tipare thjesht njerëzore dhe aspak të ekzagjeruara.

    Ngjyra i shton një dimension të ri përfytyrimeve tona, prandaj ky stilizim i gravurës origjinale të Skënderbeut mund të na ndihmojë t’ia përafrojmë më shumë realitetit pamjen e tij, për të cilën ka një kërshëri të madhe.

    Në të vërtetë, piktori ka punuar me mjaft durim, po të gjykosh nga detaji i pasur, dritëhijet e lëkurës, thellësia e figurës dhe kombinimi interesant i ngjyrave.

    Për këtë foto të stilizuar të Skënderbeut falenderoj mikun tim Bejtullah Destani, i cili e nxori nga koleksioni i Bibliotekës Kombëtare të Spanjës.

    Në shënimin e Capriolos për Gjergj Kastriotin thuhet: “Ky kapiten jashtëzakonisht trim ishte njeri trupmadh dhe me një forcë thuajse të pabesueshme; kishte fytyrë të ndezur ndërsa sytë, mjekrën dhe flokët i kishte ngjyrë gështenjë.” (Era questo valorosissimo Capitano di persona grande, & di forza quasi incredibile; la carnagion hauea rubiconda; occhi, barba, & capelli castagnicci.)

    Në një pasazh tjetër të librit Skënderbeu përshkruhet kështu:

    “I sfiduar nga luftëtarë të famshëm të kampit armik, luftoi trup me trup dhe i shtriu të gjithë përtokë. Në një betejë, kur ishte duke vrarë kundërshtarin, u sulmua papritur nga një tjetër dhe ua mori jetën të dyve. Në beteja të ndryshme vrau me dorën e tij më shumë se dymijë armiq.”/ Referuar statusit të gazetarit dhe studiuesit Ilir Konomi/ Tiranapost.al E.B

    Si u shpall Pavarësia në orën katër pasdite në Vlorë? Gazetari dhe studiuesi Ilir Konomi publikon telegramin austriak