• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i Dianes Të gjitha TIP top

    Një pyetje që mua më duket e çuditshme, por që nuk është e çuditshme.


    Diana Çuli/ Kur ndesh në pyetjen që e bëjnë jo pak njerëz: – pse, paskemi emancipim të gruas? Nuk shihni sa vrasje, sa vdekje, sa gra të shtypura dhe sa gra të nënshtruara? – mua kjo pyetje më duket e çuditshme, sepse mendoj që nuk mund të flitet në mënyrë të përgjithësuar dhe sepse sot jo vetëm në Shqipëri, por kudo në Europë e në botë, ka gra të emancipuara, të pavarura, të ndërgjegjshme për pozicionin e tyre, në pozicione të larta, etj., siç ka dhe gra të shtypura, nga ato që thamë më lart.
    E ngre këtë çështje kaq të njohur, të rrahur e të stër-rrahur, sepse çështja vetë nuk të lëshon lehtë. Sapo hap një portal, një artikull gazete në internet, apo çfarëdo qoftë, në mes të artikullit të del një vajzë me bikini. Mund të jesh duke lexuar me ankth për raketën bërthamore që lëshon Koreja e Veriut,për votimin nëparlament, për një konkurs letrar apo për një zbulim arkeologjik, por je i detyruar të shohësh këtë vajzën e shpifur me bikini. Them “e shpifur”, sepse sado e bukur të jetë ajo, mua ma shpif kur më del paprerë në mes të artikujve seriozë.
    Bëhet për të tërhequr lexuesit? Po cilët qenkan këta lexues, që në portalet politikë të rëndësishëm e seriozë, apo në gazetat kryesore online kanë këtë etje të vazhdueshme të shohin gragati lakuriq?
    Bëhet për reklamë? Atëherë kjo reklamë është haptaz diskriminuese dhe kundër barazisë gjinore, sepse e sheh gruan vetëm si objekt seksi. Kjo reklamë dhe mediat që e pranojnë, nuk do të dijë që gjysmat e lexuesve janë gra e vajza, por i drejtohet vetëm atij grupi burrash (dhe jo të gjithë burrave e djemve) që u lumturoka kur sheh budallallëkun e gruas së ç’veshur në çdo çast të ditës. Dhe, këta burra e djemtë e pavendosur, duke ndjekur lakuriqet, pra instinktin e tyre seksual, do të peshkohen të lexojnë ndoshta, edhe ndonjë lajm serioz. Kaq keq e paskan punën me shitjet gazetat e portalet?

    Kush e ndihmon këtë klimë diskriminuese?
    Edhe vetë gratë. Nga sferat e larta derinë fund të piramidës. Këto ditë pati diskutime jo vetëm në media, por edhe në komentet e njerëzve përshtypja aspak e këndshme e një lloj gare e politikaneve të parlamentit që shfaqen të veshura si për paradë veshjesh, kur ato duhet të përçojnë një tjetër mesazh, sepse nuk janë as artiste, as gra të spektaklit, as të botës së modës. Ato janë politikane dhe si të tilla, duhet ta kenë shumë të studiuar veshjen. Ato nuk janë në ato pozicione politike as për pamjen e jashtme, as për super-feminilitetin, por për diçka shumë mëserioze – ndoshta për gjënë më serioze të shoqërisë- për ligjet. Dhe kjo botë tepër serioze, ku ato kanë vendosur të hyjnë, ka kodet e saj të imazhit e të paraqitjes. Nga veshja dhe nga pamja e politikanes, e deputetes, njerëzit duan të perceptojnë seriozitetin dhe jo vëmendjen e tepruar për t’u dukur e bukur. Bukuria mund të jetë e rëndësishme për aktoret e për konkursin e miss-eve, por jo te ligjvënia. Aty primare është profesionalizmi dhe mençuria. Nëse një politikane e tepron me veshjen dhe xhinglat e minglat, me modelin e flokëve, takat, trukun, njerëzit instinktivisht tek ajo perceptojnë mendjelehtësi, mungesë serioziteti dhe zgjuarsie.
    Dhe, përsëri sa e çuditshme! Nuk shohin këto zonja se si vishen politikanet europiane? Nuk shkojnë nëpër takime ndërkombëtare, ku gratë nuk janë të veshura aspak si për party? RAI italian është falas çdo mbrëmje ku dalin politikane italiane, tepër serioze, të veshura me elegancë, por aspak gërthitëse, aspak të makijuara si për teatër dhe prej tyre perceptohet vendosmëria për të përçuar tek publiku se synimi dhe qëllimi i tyre i vetëm është të jenë sa më të afta dhe sa më të suksesshme në detyrën e rëndë dhe tepër serioze që kanë marrë përsipër. Dhe këtë përçim e bëjnë edhe përmes veshjes serioze që mbajnë dhe fytyrës së trukuar në mënyrë të padukshme.
    Të kuptohemi – nuk hyjnë të gjitha politikanet tona në këtë kategori, por prirja ndeshet vazhdimisht, veçanërisht tek të porsaardhurat. Kemi edhe modele pozitive që duhet të ndjekin këto gra që duket se nuk e kanë shumë të qartë natyrën e vendit të tyre të punës.

    Po burrat nuk kanë ndonjë faj?
    Padyshim. Janë ata që e vendosin publicitetin diskriminues në për portale e gazeta, duke pandehur se gjithë burrat e botës duan të shohin gra lakuriqe që në mëngjes deri në mbrëmje. Janë ata që ndoshta kënaqen së brendshmi që disa koleget e tyre politikane vishen si pemë krishtlindjeje, sepse kështu ato duken me inteligjencë nën mesataren dhe,për pasojë, burrat kanë më pak konkurrentë në rrugën e tyre politike.
    Dhe, meqë jemi te konkurrenca, ajo është shumë e dukshme, për fat të keq, në media. Burrat analistë, gazetarë e reporterë grinden ose konfliktohen verbalist mes tyre, por, kur ata sulmojnë një kolege gazetare, gjuha e tyre është shumë më e ulët. Të nisur nga mentalitet patriarkal dhe konservator ata egërsohen dhe kreshpërohen kur një kolege i kritikon ose edhe kur ajo thjesht ka një opinion të sajin, i cili nuk përkon me të tyrin. Dhe ky është kulmi i patriarkalizmit, mendjes së mbyllur, provincializmit dhe padijës. Kjo është dhe dobësia e shpallur e këtyre “të fortëve” që kërcasin dhëmbët, sepse nuk dinë të flasin fjalë me mend. As të mendojnë.

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al