Aktualitet

Një nga shkollat më moderne në Tiranë, ka emrin e publicistit dhe përkthyesit të njohur

Tirana ka një shkollë me ambiente moderne dhe që mban emrin e publicistit të njohur “Ardjan Klosi”. Përurimi i shkollës u bë këtë të martë, nga Kryebashkiaku Erion Veliaj i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ambasadorja e BE Romana Vlahutin, deputetja e PS Blerina Gjylameti, si dhe nga familjarë të përkthyesit dhe publicistit.

Kjo shkollë hapi dyert për herë të parë për nxënësit e saj javën e kaluar, ndërkohë që ajo u ndërtua edhe falë mbështetjes nga Komisioni Evropian.

Në fjalën e tij Veliaj theksoise se krahas përmirësimit të infrastrukturës, në shkollën “Ardian Klosi” do të japin mësim mësuesit më të mirë të përzgjedhur nga portali “Mësues për Shqipërinë”.

Ai vlerësoi edhe figurën e publicistit dhe të albanologut Ardian Klosi, duke vlerësuar kontributin e tij për shoqërinë shqiptare.

“Ardian Klosi është arsyeja pse jemi mbledhur këtu sot dhe i kemi kushtuar këtë shkollë personalitetit dhe kontributit të tij. Një nga intervistat e fundit të Ardianit, ai tha: Atdheu është lagjja ku jetojmë, rrugica ku jemi rritur, shtëpia ku kemi kaluar fëmijërinë, komshiu që kemi përballë; qyteti është atdheu. Ky është përkufizimi më i bukur i ekzaktësisht se çfarë është atdheu”, nënvizoi Veliaj.

Shkolla ka një kapacitet për 1000 nxënës dhe ofron mjedise të reja e kushte modern mësimdhënieje, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sociale dhe sportive. E.C/ Copyright Tiranapost.al