Aktualitet Art & Kulturë Librat e Arlindës Te gjitha

Një libër për të gjithë ne


Nga Arlinda Dudaj

“Libri i Baltimorëve” çimenton vlerat dhe suksesin e plotmerituar të mëparshëm të shkrimtarit zviceran Joël Dicker.

Shkrimtarin e ri në moshë Joël Dicker, publiku shqiptar e njohu me kryeveprën e tij “E vërteta mbi çështjen Herri Kjubert” një libër që u botua pothuajse në të gjitha gjuhët e botës, iu shitën sakaq të drejtat filmike dhe u bë një rast editorial i pashoq. Më kujtohet shumë mire ndjesia që përftoja atëherë teksa e redaktoja Herrin, dhe ndërsa përjetoja mijëra ndjesi e përfshirë brenda ngjarjeve dhe atyre personazheve që dukeshin e zhdukeshin sipas dëshirës së shkrimtarit, fyti me thahej nga ethja për të mësuar të vërtetën ose të vërtetat më mire të themi. Kam shkruar për Herrin edhe në këtë blog më parë… për Herrin dhe për Markus Goldmanin i cili duket të ketë jo pak nota biografike nga vetë Joël.

Dhe në “Librin e Baltimorëve”, një roman tejet personal sipas meje, shkrimtari ia ka dalë të sjellë jetën e një familjeje që në gjenezë, historinë e dy vëllezërve Goldman me gjithë dritëhijet që një familje apo marrëdhënie njerëzore i ka të bashkëngjitura në atë që duket në dritë.

Sikundër e dimë që është tipike në stilin e Dicker janë vetë personazhet ato që flasin, rrëfejnë ngjarjet, veprojnë e i japin frymë librit. Këtu një treshe e mrekullueshme, tre djem brilantë Markusi, Hileli dhe Vudi që përbëjnë atë që e quajnë me shaka “Banda e Baltimorës”. Ka diçka si prej tre shokësh në këtë libër, një version modern i kohëve të sotme, në fakt përherë më ka intriguar miqësia mes meshkujve, seç ka një gjë ndryshe, një tjetër tip emocionesh e mendoj se ka qenë një qëllim i autorit dhe ta trajtojë këtë temë. Nga ana tjetër figura femërore zë një vend jo të vogël, Anita dhe Aleksandra janë dy mite bukurie dhe emocioni të ngjizura me shumë dashuri. Ka shumë dashuri në këtë libër, dhe po ashtu arrin të kapësh çdo lloj ndjenje që provon njeriu në jetë, çdokush prej nesh.

Ngjarjet shtrihen në dy kohë: para dhe pas Dramës, për të cilën Dicker nuk kish si të mos e zbulonte në formën e një thrilleri, pra ajo zbulohet vetëm në fund. Edhe pse ky libër nuk është një thriller, mënyra sesi dëshira për të zbuluar se çfarë ka ndodhur tetë vjet më parë, pra çfarë është “Drama”, të djeg njëlloj siç të ndodh kur lexon një thriller të arrirë.
Megjithatë ajo që doja të thoja për ta përmbyllur, është se bashkohem me mendimin e shumicës së kritikëve që thonë se ky libër e ka rritur Dicker si shkrimtar, dhe se me “Librin e Baltimorëve” ka shkruar një libër për të gjithë ne.