• Shqip
  • English
  • E martë, 16 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Të gjitha Tech

    Një kapitull i ri po vjen! Facebook nis betejën kundër “fake news”


    Facebook ka nisur një betejë të re kundër lajmeve të rreme që qarkullojnë në këtë platformë. Lajmi u konfirmua gjatë një konference me ekspertë të kësaj fushe të mbajtur në  muajin Mars në San Jose.

    Themeluesi i kësaj platforme, Mark Zuckerberg njoftoi se Facebook nuk do të jetë më një strukturë e ngjashme me atë të ‘shesheve publike’ por do t’i përafrohet më shumë një platforme të komunikimit privat.

    Një nga ndryshimet më madhore në këtë platformë ka të bëjë me mbylljen e sa më shumë kanaleve shpërndarëse të lajmeve të rreme. Për shembull, lajmet e shpërndara nga grupe me qëllim disinformimi do të kenë më pak shikueshmëri.

    Ky është një ndryshim shumë i rëndësishëm, sepse grupet në Facebook janë përdorur prej disa kohës për propagandë dhe disinformim.

    Në tre vitet e fundit, Facebook është përballur me shumë akuza, kritika dhe skandale në lidhje me mangësitë në mbrojtjen e të dhënave personale të përdoruesve të platformës. Akuza të tjera janë bërë në lidhje me përhapjen e lajmeve të pavërteta, materialeve toksike por edhe për faktin se kjo platformë dyshohet të jetë përdorur si një mekanizëm për të ndërhyrë në zgjedhje.

    I tillë është rasti i vitit 2015 kur një kompani ruse krijoi disa grupe në Facebook dhe ndërmori një skemë të mirëfilltë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara dhe për të mbështetur fushatën e Donald Trump. Rusia dyshohet të ketë përdorur rrjete sociale si Facebook dhe Instragram, duke vjedhur identitetin e përdoruesve të tjerë, duke paguar për reklama politike nxitëse dhe negative.

    Ndërkohë, Komisioni Federal i Tregtisë në Shtetet e Bashkuara pritet të miratojë një gjobë prej 5 miliardë dollarësh ndaj Facebook, në lidhje me dhunimet e përsëritura të privatësisë.

    Nëse kjo gjobë do të vendoset, ajo do të thyejë të gjitha rekordet e penaliteteve të vendosura ndaj një kompanie teknologjike në Shtetet e Bashkuara.

    Ndryshimet e rëndësishme në platformën Facebook

    Facebook prezantoi një riformatim të aplikacionit të platformës në celular dhe në kompjuter me qëllimin e promovimit të komunikimeve në grup të cilat do të zëvendësojnë përditësimin aktual të lajmeve, fotografive, historive dhe linqeve në faqen personale të çdo përdoruesi.

    Me këto ndryshime, përdoruesit do ta kenë më të lehtë t’i dërgojnë mesazhe njëri tjetrit dhe të ndajnë informacione me anëtarë të tjerë të grupeve private.

    Zuckerberg, sipas gazetës New York Times, po punon për integrimin dhe enkriptimin e shërbimeve të ndryshme të mesazheve që ofrohen nga Facebook, ku përfshihet Whatsapp dhe Messenger.

    Një vëmendje e veçantë do t’i jepet përditësimeve 24 orëshe të përdoruesve ndërkohë që logoja e platformës do të pasurohet me nuanca të bardha.

    Facebook synon gjithashtu të pasurojë jetën e përdoruesve të tij duke u dhënë mundësinë të gjejnë dashurinë online.

    Së fundmi, pritet instalimi i një opsioni të quajtur si Facebook Dating i cili mundëson njohjet e reja.

    Në një intervistë për New York Times, Zuckerberg that se të gjitha këto ndryshime kanë si qëllim që të krijojnë një platformë që ngjall besim tek përdoruesi. “ Përdoruesit do të jenë në gjendje të shohin, njihen dhe të lidhen me grupe të tjera dhe ky riformatim do të ndërthuret shumë mirë me të gjithë strukturën e Facebook-ut,” tha Zuckerberg.

    Ndryshimet në formatin e Facebook janë të bazuara kryesisht në faktin se shumë shpejt, materialet 24 orëshe do të jenë shumë herë më të shumta se ato që shpërndahen sipas mënyrës tradicionale, shkruan New York Times.

    Një ndryshim i tillë ngre natyrshëm pikëpyetje mbi mënyrën e Facebook për përthithjen e reklamave. Të ardhurat vjetore të kësaj platformë arrijnë në 56 miliardë dollarë. Bëhet fjalë për reklama të cilat bazohen kryesisht tek stili i jetesës i bërë publik nga vetë përdoruese.

    Çfarë do të ndodhë me Instagramin?

    Instagrami është një platformë më rinore e cila gjeneron një mal me para për kompaninë mëmë. Kjo platformë është disi më përzgjedhëse ndërkohë që Facebook të lejon të ndash jo vetëm fotografi por edhe statuse, dedikime e të tjera si këto.

    Instagrami ka të bëjë vetëm me postimin e fotove dhe videove. Sidoqoftë, gjërat duket se do të ndryshojnë.

    Në faqen tuaj në Instagram do të vendoset një buton që lejon postimin e historive personale as në foto e as në video por thjesht në tekst ose me figurina lëvizëse.

    Përpos tyre, shumë grupe do të shtohen në këtë platformë ndërkohë që njerëzit do të kenë mundësi të bëjnë më shumë blerje në këtë rrjet.

    E fundit por jo për nga rëndësia, ekspertët po testojnë heqjen e treguesit të numrit të pëlqimeve në fotografitë e postuara në Instagram, për t’i bërë përdoruesit të ndihen më mirë me dhe për veten./ Përgatiti Tiranapost.al