Tech

Një histori prekëse nga Kristi

Nuk di më sa është ora, ç'ditë është, nga ndryshon e diela, që për shumëkënd është pushim, nga e hëna, e marta, e mërkura...; di që çdo ditë më duhet të zgjohem shumë herët dhe të fle shumë vonë.

Rutina është gjithmonë e njëjtë. Ndaj s'kam më asnjë interes për ditën e javës, për orën e ditës. Nuk më ndodh vetëm mua sigurisht. Jam e bindur që i ka ndodhur kujtdo të paktën një herë në jetë. Kur i humbasim të gjitha qëllimet e funksionet tona shpirtërore, e robotizohemi. Jetojmë në funksion të diçkaje a dikujt, pa jetuar.

Këtë shqetësim e ankth për kohën që ikte pa u ndjerë e pa më lënë gjurmë, m'a ndërpreu një mëngjes herët në punë një zotëri, një klient i përhershëm, i cili sa herë porosiste 'coffee to go', më kërkonte edhe një gotë plastike bosh. Të ishte për ujë? Kurioze isha, dhe pse asnjëherë nuk e kisha pyetur përse i duhej.

Atë mëngjes nuk erdhi vetëm. Një shok e koleg pune (nga uniforma) e shoqëronte. Bëri pak vend sipër banakut dhe në gotën bosh që i dhashë, hodhi gjysmën e kafesë së tij.

-E ndaj bashkë me shokun- tha dhe buzëqeshi.

-T'ju bëj një tjetër? - u ofrova.

-Jo, jo. Nuk punojmë për të pirë kafe. Kemi fëmijë për të ushqyer moj çupë...gjysmë është mjaft për të filluar punën!

-Lodheni?

-Epo burra të vjetër ne!

Sytë e tyre ishin te këputur. Poshtë tyre ishin formuar rrathë, por më panë me mirënjohje kur iu thashë të uleshin sa për tu çlodhur pak.

Megjithëse nuk pranuan duke parë uniformat e njëri-tjetrit, si për të thënë se s'jemi për këtë vend.

Puna i priste. Zhurma e hapave të tyre shtonte ritmin e rrahjeve të zemrës sime.

" Një gjysmë mjafton"- kish thënë zotëria. Ai gjysmë jetonte, gjysmë fliste, gjysmë gëzonte, gjysmë ushqente dhe fëmijët...Një burrë në moshë i mbetur gjysmë gjithë jetën. Dy burra. Shumë njerëz. Sa gjysma në gjithë botën kanë humbur e humbasin gjithë kohën prej njw sistemi fodull e një shoqërie hileqare që u paracakton detyra, detyra, detyra. A themi se kemi lindur për t'u bindur!?

Nuk dua të mbetem gjysmë. Me gjysmë guxim, me gjysmë fat, me gjysmë të drejta, me gjysmë buzëqeshje, me gjysmë jete…

Atë mëngjes mendimet m'i kish ndërprerë porosia e radhës e një prej tavolinave. " Edhe dy dopio të tjera goce". U shërbeva dhe e dija që nuk do ishin të fundit. Kishte njerëz qe nuk ishin të përgjysmuar.  Ishin bosh!