Aktualitet

Një hajmali kundër frikës

Nga Loreta Berhami/“Vrasësi i verbër” i Margaret Atwood, i përkthyer nga Agim Doksani, është një roman sekretesh, i ndërtuar si ndërthurje e tri historive paralele, që papritur takohen në fund. Irisi, e ftohtë dhe e rezervuar, rrëfen jetën e saj dhe të së motrës gjaknxehtë, Laurës. Ato lindin dhe rriten në një nga familjet e pasura dhe të privilegjuara të një qyteti të vogël kanadez. Kur fati i familjesi nënshtrohet Depresionittë Madh, Irisin e martojnë me një biznesmen të pashpirt, ndërsa Laura hidhet me makinë nga një urë. Ajo lë pas një roman fantastiko-shkencor (të cilin e lexojmë paralelisht me historinë e dy motrave) që ngjan me një udhërrëfyes përgjatë sekreteve të mëdha e të vogla, të cilat duket se i sollën edhe vdekjen e parakohshme.

Historia është një kujtim i gjatë, një udhëtim në kohë i Irisit,një plake të lodhur, të braktisur nga pothuajse të gjithë, por kryeneçe dhe të pavarur, e cila vëren jetën e saj me një buzëqeshje të hidhur.Irisi e di tashmë se pendimet janë të pashmangshëm, ajo bashkëjeton me to, janë shoqëruesit e saj të vetëm e të pandashëm: “Kur je i ri, mendon se gjithçka që bën është njëpërdorimshme. Lëviz nganjë e tashme te tjetra, duke e zhubrosur shuk kohën dhe duke e flakur tutje. ...Mendon se mund të çlirohesh nga gjërat, dhe nga njerëzit – mendon se i lëpas krahëve. Ende nuk ua di zakonin që kanë, për t’u kthyer.”

Përgjatë leximit të këtij romani, e gjeja veten shpeshherë të inatosur me Irisin. Nuk e kuptoja Irisin: pse bënte ato gjeste, pse merrte ato vendime, pse e fuste veten e saj nëpër qorrsokakë të frikshëm?Edhe pasi historia u mbyll dhe gjithçka u qartësua, përsëri më ngeli një bezdi e strukur diku, një mungesë mirëkuptimi, një qortim. Vetëm tani, që ka kaluar njëfarë kohe, kam kuptuar se çfarë më ka bezdisur nga ky personazh.Ajo kontrollohej nga frika. Frika është diçka e natyrshme, shpeshherë e dobishme, një instinkt që edukohet dhe që na ndihmon të sigurojmë veten në shumë situata të rrezikshme. Megjithatë, nëse e lëmë veten të na kontrollojë frika, gjendemi në një rreth vicioz nga i cili është e vështirë të dalësh. Frika riprodhohet nëpërmjet një mitoze të errët, ajo shumohet në varësi të hapësirës që i lejojmë.Ajo dallohet lehtësisht te të tjerët, por kurrë te vetja. Frika ushqehet me frikë dhe përjetëson gjithë bijat e saj, vendime të pjella në çaste ngrirjeje. Për këtë flet Irisi në “Vrasësin e verbër”, për frikën që ka marrë vendime në vend të saj, për jetën e çuar dëm në skuta të mbrojtura nga kaosi i së vërtetës. Prandaj tani, kur kthehem te “Vrasësi i verbër”, e përfytyroj historinë e Irisit si një paralajmërim, si një hajmali kundër frikës.