• Shqip
  • English
  • E diel, 8 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Kryesore Profil Të gjitha

    Një grua për Bashkinë e Tiranës, të cilën e paskemi pasur para syve


    Nga Alma Kristo/Nëse ndokush do të ishte kurreshtar për të njohur nënkryetaren e re të Bashkisë së Tiranës, nuk do ta kishte aspak të vështirë për të spikatur portretin e një gruaje të re në moshë, elegante dhe më një buzëqeshje ngjitëse: Anuela Ristani gjendet në shumicën e aktiviteteve publike të Erion Veliajt, në eventet e rëndësishme, në mbledhjet e stafit e grupet e punës, takimet me të huajt. Si drejtore e kabinetit në katër vitet e shkuara, ka qenë e pranishme në të gjithë veprimtarinë e kryetarit të bashkisë, edhe pse në prapavijë e jo si protagoniste. Tashmë, në këtë mandat të dytë, gjërat kanë ndryshuar: Anuela Ristani do jetë më e dukshme, me po aq punë e ngarkesë, por më protagoniste, si pasojë e detyrës së re. Ndaj dhe ka pak më shumë kurreshtje për ta njohur. Ne të “Tirana Post” e kemi takuar për të zbuluar pak më shumë se kush është 36-vjeçarja që për katër vitet e ardhshme do të mbulojë kryesisht marrëdhëniet me jashtë, por që ndoshta do ta shohim edhe të përfshirë në debate publike, ku stafi i bashkisë më të madhe në vend përfshihet gjatë gjithë kohës.

    Nuk është e vështirë ta gjesh edhe në ditët e para të gushtit: si e re në detyrë, i ka takuar të mos niset fill për pushime por të mbulojë dhe detyrat e atyre që ndërkaq kanë marrë pushimet. Por për Anuela Ristanin kjo nuk është ndonjë sakrificë kushedi se çfarë: ata që e njohin administratën, e dinë se një drejtor kabineti, sa kohë është në këtë detyrë, nuk ka kurrë axhendë vetiake, por çdo gjë e ka ngushtësisht të lidhur me drejtuesin e institucionit. Mendo tani ta bësh këtë punë për Erion Veliajn, që ka famën e atij që nuk ndal kurrë, dhe e kupton që për Anuelën, të punojë me dhe pa orar, është diçka mëse normale. Nënë e dy fëmijëve, 12 dhe 3 vjeç (të dytin të rritur pikërisht gjatë punës në Bashkinë e Tiranës, ku duhej të alternonte oraret e ushqyerjes me gji me axhendën e ngarkuar të takimeve) ajo ka atë prakticitetin që kanë të gjitha nënat me fëmijë që punojnë dhe që duket se janë aq magjistare sa të bëjnë shumë punë në të njëjtën kohë, të të krijojnë madje përtshtypjen se janë të zonjat të shfaqen në dy vende në të njëjtën kohë.

    Por përpara se të punonte me Veliajn, Anuela as që e kishte çuar ndonjëherë nëpër mend punën në administratën publike. Shkolluar për Administrim Biznesi dhe Studime Evropiane në Universitetin Amerikan në Bullgari, MBA në Marketing dhe Komunikim Strategjik në Universitetin e Mizurit, Columbia si Fulbright Scholar, me përvojë pune në sektorin privat, ku spikasin kompanitë telefonike apo puna në Bankën Botërore, ku ka drejtuar grupet e punës për reformën në sistemin bankar/financiar dhe përdorimin për herë të parë në politikëbërje në Shqipëri të vlerësimit të impaktit, që tani është adaptuar në çdo politikëbërje, ajo i kishte qëndruar larg administratës derisa mori propozimin e Erion Veliajt, atëherë ministër i Çështjeve Sociale, për të drejtuar një agjensi të sapokrijuar (Shërbimi Kombëtar i Rinisë). Përfshirja atë verë në stafin e Veliajt i kushtoi ndërprerjen e studimeve doktoriale, ndërkohë që më pas e shpuri në Bashkinë e Tiranës, fillimisht në kabinet dhe tashmë si nënkryetare.

    Detyra e re parashikon kryesisht mbulimin e marrëdhënieve me jashtë. “Tirana në katër vitet e fundit”, – tregon Anuela, “është vendosur në hartë dhe krejt papritur, në sajë të ndryshimeve që kemi bërë në kaq pak kohë, nuk jemi më ne që kërkojmë të jemi pjesë e tryezave të qyteteve, por (dhe si personi përgjegjës për axhendën e kryetarit, e kam përjetuar vetë) na duhet të zgjedhim se ku duam të ulemi dhe ku marrim më vlerë për qytetin dhe qytetarët e Tiranës. Nëse deri tani kam punuar mbrapa kuintave për t’u siguruar që kryetari kishte të gjithë informacionin e duhur, për ta ndarë Tiranën me botën, në rolin e nënkryetares do të kem mundësinë ta ndihmoj dhe ta përfaqësoj qytetin publikisht, duke i dyfishuar përpjekjet. Integrimi i qytetit në axhendat e zhvillimit urban modern shkon përpara, pavarësisht nga statusi ynë zyrtar në marrëdhënie me BE-në apo organizma të tjera. Plani ynë i përgjithshëm vendor, plani i veprimit të qytetit të gjelbër, që hartuam dhe po ndjekim me BERZH-in, zhvillimi i qytetit miqësor për fëmijët dhe prezantimi i Tiranës si mikëpritëse e konferencave ndërkombëtare, janë disa nga fushat që duam t’i theksojmë akoma edhe më shumë në katër vitet e ardhshme dhe me të cilat do të kem kënaqësinë të merrem”.

    Pra, pak më shumë udhëtime dhe ca më shumë kohë larg familjes, larg dy fëmijëve, vajzës Sibel, që tashmë po bëhet një zonjushë e bukur 12-vjeçare, dhe djalit 3-vjeçar, Gias. “Më shumë se mungesën, ndiejnë dashurinë dhe vëmendjen time maksimale kur jam me ta”, tregon ajo – “Dhe përkujdesjen e vëmendjen ekskluzive të të atit kur unë s’jam. Që të dy janë mësuar të na shohin njësoj, qoftë në përkëdhelje e përkujdesje, e qoftë në disiplinë. Kjo e bën të gjithën më të thjeshtë, sepse kur babi thotë jo, edhe po të ishte mami, prapë jo do të thoshte dhe anasjelltas”. Sigurisht që Anuela e di se fëmijët do të donin më shumë kohë me të, por ajo përqafon fort filozofinë sipas së cilës, si me çdo marrëdhënie edhe me fëmijët cilësia e kohës së kaluar së bashku është më e rëndësishme se sasia “dhe fakti që sasinë e kemi të limituar, na bën që ato pak orë t’i shfrytëzojmë në maksimum së bashku”.

    Të gjithë ata që në një mënyrë apo në një tjetër kanë pasur punë me Bashkinë e Tiranës, e dinë që Erion Veliaj nuk është tipiku i zyrtarit 8 me 4 dhe sigurisht që i tillë është dhe stafi i tij. Ndaj nuk mund të mos e pyesësh Anuelën se si në këto katër vjet, kur ka drejtuar kabinetin e një njeriu kaq kërkues, ka mundur të jetë dhe mami i një bebi. “Hahahaha”, qesh direkt ajo, – “Unë kam akoma një email të shkruar në orën 5:30 të mëngjesit, në datën 23 Gusht 2016, ndërkohë që isha në sallën e lindjes e një natë përpara kisha dalë nga zyra në orën 8 të mbrëmjes dhe i jam kthyer punës me kohë të plotë menjëherë sapo më lejohej ligjërisht. Kjo, jo sepse isha e detyruar apo nën ndonjë presion, por sepse kur bën diçka që do, nuk e quan punë. Nga ana tjetër, kryetari është super mbështetës për çdo rast kur familja ime ka pasur nevojë më shumë se bashkia. Por, si çdo nënë që punon me kohë të plotë, nuk ia arrin dot pa një sistem mbështetjeje tek familja dhe miqtë, të cilët kam qenë me fat t’i kem pasur pa kursim”.

    Sigurisht që jeta e Anuelës nuk është vetëm punë dhe vetëm mirërritje e fëmijëve. Si çdo grua e re, ka pasionet e veta, një jetë sociale dhe aktivitete që ia mbushin jetën, që siç thotë vetë, ka fatin ta ketë ndërtuar në qytetin që do më shumë në botë. “Tirana për mua është absolutisht qyteti më i bukur në botë dhe fakti që jam rikthyer gjithmonë, pavarësisht se ku kam jetuar/punuar, e provon që nuk e ekzagjeroj. Bashkë me fëmijët mundohemi të mos humbasim asnjë shfaqje, teatër, koncert, festë… Fundjavave na pëlqen të ngjitemi në shtigje ose rrënoja, pasi vajza jonë e ka pasion historinë dhe si çdo kryeqytetas i respektuar jemi superkonsumatorë të kafes tek Pazari i Ri! Ndërkohë që unë vetë bëj 5km e liqenit me vrap të paktën tre herë në javë, herët në mëngjes ose vonë në darkë”. Duket që Anuela dhe familja e saj e jetojnë qytetin si gjithë ne të tjerët, me gjërat më të mira, por dhe me shqetësimet e tij, për të cilat ajo ndihet dyfish përgjegjëse, si prind, por dhe si drejtuese. Dhe reagimet e para i merr sigurisht tek vajza, Sibeli, që po rritet në këtë qytet: “Patjetër që dhe ajo ka sygjerime, që nga pastrimi i Lanës deri tek autobuzat që nuk ndotin dhe tek zgjatja e korsive të biçikletave deri tek shtëpia jonë. Patjetër që ka pafund ide dhe gjëra për t’u përmirësuar në qytet dhe nuk jemi akoma afër pritshmërive të kryetarit, por qartazi jemi duke ecur drejt tyre dhe sa më shumë u afrohemi, aq më shumë e gjejmë veten me qytetarë që na janë bashkuar e që ndajnë me ne të njëjtat dëshira për qytetin dhe kjo është pjesa më e bukur e punës”./Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post