25 rreshtat e Mires Kryesore Opinion Te gjitha

Një gotë verë të kuqe në ballkon, sepse sot ishte një ditë e bukur


Mira Kazhani/ Email-et dhe ftesat për aktivitete janë rutina e jetës së një gazetari. Me kohën mëson t’i lexosh me një vështrim, zakonisht vertikal. Para disa ditëve më bëri përshtypje një ftesë për të ndjekur nga afër një terapi grupi, ku si temë e parë ishte varësia e të rinjve nga substancat narkotike. Organizohej nga AGSH dhe disa psikoterapistë ishin bërë bashkë në këtë nismë, që ne e shohim në filmat e Hollivudit. Jo se nuk flasim në grupe, se gjithë ditën me miq e shokë, por halli është që ne flasim nuk tregojmë, dëgjojmë nuk pranojmë! Vendosa që të shkoj dhe ta shihja nga afër se ç’bëhet!

Folën një pjesë e mirë! Nuk kishte asnjë rast apo histori personale por pak nga pak çdokush kërkonte të hiqte lëvozhgën bezdisëse të vetes supermbrojtëse. Dikush edhe e ngatërronte terapinë e grupit me emisionet e darkave dhe i kërkonte llogari njërës, që tregonte se pinte alkool fshehurazi prindërve, se nuk qante dot dhe se nuk ndante dot me askënd një periudhë të vështirë të adoleshencës. Një mjek, jo më shumë se 30 vjeç, ishte tipikisht mjek. I shtruar dhe fliste pa teklif për turpin e depresionit, anktheve dhe varësive, qoftë nga drogat e qoftë nga elementë të tjerë psikoemocionalë. Shëndet nuk do të thotë të të punojë mirë zemra, stomaku, mëlçia, veshkat e të mjaftohesh që organet t’i kesh në gjendje të mirë pune dhe bashkëpunuese me njëra-tjetrën. Shendeti është një fjali dhe jo një fjalë: gjendje e mirë e shëndetit fizik, mendor e social! “Një njeriu me depresion, me çrregullime ankthi, është po aq i sëmurë sa një me zemër”, tha doktori çapajev. Është si t’i themi një njeriu me infarkt: “Ej, çohu tani se nuk ke asgjë!

Dea, me kokën e rruar si çun dhe sytë gjithë dritë e buzët e lyera me të kuq flakë, ishte studente e psikologjisë por ishte e lodhur me njerëzit që e paragjykonin për kokën e saj. Çudi, pra, se e kishte të rrumbullakët si një mollë, gjë jo fort e zakontë për kafkën e shqiptarëve!

Një grua që jetonte në Komunitetin Emanuel tha një gjë me mend, se sot askush nuk ka pse jep e merr mend. Njerëzit duan të dëgjohen. Nuk ka zgjidhje ideale dhe ndoshta mund të kalojmë gjithë jetën duke mos e gjetur zgjidhjen e madhe. E tha mirë, vërtet! Po sikur mos të kërkojmë të zgjidhim me patjetër çdo kurth e ankth? Kjo nevoja për zgjidhje, përgjigje finale, sqarime pas sqarimesh. Domosdoshmëria e një përkufizimi, a thua se e kanë për detyrë njerëzit të japin llogari për jetën e tyre, trupin, rrobat që veshin, dashuritë, telefonin e fikur, mesazhin e pakthyer. Ai/ajo që nuk përgjigjet, ta ka dhënë përgjigjen!

Sikur të pushojmë pak duke lodhur kokën me kokën e Deas me buzët e kuqe. Me më the e të thashë!

Meqë ra fjala prapë te Dea…

-Kur më dërgoi një foto në whatsaap (sepse në fund i kërkova nëse mund të postoja një foto, doja që ta njihnit dhe ju miqtë e “25 rreshtave”), më shkroi: Mira, nuk e di nëse është e përshtatshme kjo foto? Fundja cheers për të gjithë ata që paragjykojnë… Dea!

1864ca94-939a-4427-a807-a97d20e743b2

(Në foto: Dea, studentja e psikologjisë që ndjen se paragjykohet pse nuk i do flokët)

Faleminderit i thashë Deas dhe mora një gotë verë, një cigare dhe qëndrova në ballkon duke dëgjuar zhurmën e makinave, derisa u bë pak ftohtë! /Copyright TiranaPost.al

b574538a-b19e-4e05-9080-20d4069b0d19

(Në foto: Nga aktiviteti i AGSH)

9b4ec08c-04ed-409b-95b8-b48a63a07901

(Në foto: Nga aktiviteti i AGSH)

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *