• Shqip
  • English
  • E hënë, 9 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Profil Të gjitha

    Një drekë me Jacinda Ardern, kryeministren ndryshe të Zelandës


    Pret një fëmijë dhe kërkon të zhvillojë një jetë normale. E quajnë si “shumë të sjellshme” për t’u marrë me politikë, e megjithatë Jacinda Ardern arriti të jetë kryeministre e Zelandës së Re në momentin kur askush nuk e priste. 37-vjeçarja tregon momentet e bukura e të vështira, ashtu sikundër edhe vizionin e saj politik në një drekë me Jamie Smyth të Financial Times.

    Nga Jamie Smyth, Financial Times/ Kuptoj se kryeministrja më e re në botë po vjen kur një polic i bëshëm shfaqet në derë dhe fillon të kontrollojë dhomën. Janë vetëm shtatë a tetë tavolina në Hillside Kitchen&Cellar, një restorant i qetë dhe elegant përballë rezidencës zyrtare të Jacinda Ardern në Wellington, kryeqytetin e Zelandës së Re. Ai nuk vonon shumë dhe më sheh të ulur në një cep. “Gjithçka mirë?”, më pyet duke u prezantuar si Eric nga grupi i mbrojtjes diplomatike në Zelandën e Re.

    Shërbimi i sigurisë është në të njëjtën linjë me imazhin publik me të cilin Ardern triumfoi në vitin 2017 në Zelandë. “Jacindamania”, e ushqyer nga stili i freskët dhe informal i kësaj laburisteje 37-vjeçare dhe mbrojtjes që i bën kauzave progresiste, është kthyer shpejt në një fenomen global. Së bashku me Emmanuel Macron dhe kryeministrin kanadez Justin Trudeau, Ardern luan një rol të nivelit të lartë në rrymën progresiste që i kundërvihet asaj populiste të ekstremit të djathtë. Imazhi si lidere e pazakontë dhe optimiste u forcua edhe më tej në muajin janar me lajmin e shtatzanisë së parë. Eric duket i kënaqur dhe pak më vonë Ardern hyn në lokal me një buzëqeshje që ia tregon të gjithë dhëmbët dhe me barkun e dukshëm nën këmishën e kuqe. Është e shoqëruar nga një burrë me pamje sportive dhe i veshur në mënyrë joformale.

    “Shpresoj se nuk është problem. Sapo u ktheva nga një event në Wanaka, kështu që mora me vete edhe partnerin tim Clarke”, më thotë duke na prezantuar. Clarke Gayford është i njohur në Zelandën e Re si prezantuesi i një emisioni të famshëm i fokusuar te peshkimi, “Fish of the day”.

    Rrëfime intime
    Ardern e fton Gayfordin të ulet në tryezën ngjitur, ku më pas vijnë edhe disa persona nga grupi i punës së kryeministres. Pasi ulet, Ardern flet për vështirësitë që has në bërjen e një jete normale, pavarësisht presionit normal të detyrës. “Vazhdoj të bëj pazar dhe shkoj te Kmart për të blerë veshjet e mia premaman”, më thotë duke shtuar se ndihet me fat që Gayford rri në shtëpi.

    “Mund të bëj gjithçka sa bëj vetëm sepse partneri im arrin të kujdeset për punët e shtëpisë”, thotë. “Nuk dua të dukem si një supergrua, thjesht sepse nuk duhet të presim që gratë të jenë të tilla”. Ardern mendon të marrë gjashtë javë leje lindjeje përpara se të kthehet në punë. Është e përfshirë nga të njëjtat dyshime si gjithë prindërit e tjerë të ardhshëm, edhe pse është një ndër të paktat që pati fatin të diskutojë me ish-presidentin amerikan Barack Obama, që vizioi këtë vit Zelandën e Re. “E pyeta: ‘Si arrin ta trajtosh ndjenjën e fajit?’ Mendoj se jam një njeri që i vë shumë faj vetes. Ndoshta të bërit politikë për mua ishte zgjedhja më e keqe”, thotë me një zë të fikur.

    Këto rrëfime kaq intime nuk janë të zakonshme kur interviston një kryeministre. Por një prej arsyeve të suksesit të Ardern është edhe normaliteti. Ama ndonjëherë mirësia i është vënë kundër: kur një mik i saj tregoi se Presidenti i SHBA Donald Trump e mori për gruan e kryeministrit Trudeau në një organizimin në Azi, keqkuptimi ndezi mediat në Zelandën e Re. Pikërisht kur doja ta pyesja për këtë gjë, erdhi kamerieri që na tregoi menunë, një miksim i ushqimit të shpejtë dhe pjatave europiane përfshirë turshitë, salcicet italiane dhe black pudding.

    Ka qenë një vit i dendur ky i fundit. E zgjedhur nënkryetare e Partisë Laburiste neozelandeze, mori postin e kryetarit vetëm shtatë javë para zgjedhjeve të shtatorit të shkuar pas dorëheqjes së këtij të fundit. Vetë ajo ishte skeptike për mundësitë që kishte. “Të gjithë e dinë se kam pranuar detyrën më të keqe të mundshme në politikë”, tha në atë kohë. Laburistët që ishin në opozitë prej nëntë vitesh dhe sipas sondazheve gjendeshin 20% pas Partisë Nacionale në pushtet, po përgatiteshin për humbjen e katërt radhazi dhe për një tjetër eksperiencë demoralizuese në opozitë.

    Por ndodhi diçka që nuk pritej. Në një vend që vazhdimisht lavdërohet për stabilitetin ekonomik, një fushatë elektorale e ashpër e përqëndruar në pabarazitë ekonomike dhe në njerëzit e mbetur pa shtëpi, qëlloi në shenjë duke zbehur hendekun mes dy partive. Edhe pse në fazën e fundit të fushatës, mbështetja për laburistët ra, Ardern bëri koalicion me partinë nacionaliste dhe populiste, New Zealand First dhe me të gjelbrit.

    “Barazia është pjesë e ADN-së sonë. Mendoj se njerëzit patën përshtypjen se po lagoheshim nga disa principe, që pavarësisht ngjyrimeve politike, kanë qenë thelbësore për sistemin e vlerave në Zelandën e Re”, thotë ajo.

    Ardern iu bashkua të majtës që kur ishte vajzë e re. E rritur në vitet ’80 në një zonë rurale të Zelandës së Re, ku babai ishte polic ndërsa mamaja punonte në mensën e një shkolle, ka parë shumë familje që vuanin për të arritur fundin e muajit gjatë atyre viteve të vështira të reformave liberale.

    Një mesazh shprese
    Gjatë kohës së studimeve, thelemoi një seli të Amnesty International e cila është aktive ende sot. Familja e saj i përket besimit mormon, por Ardern e braktisi kishën në të njëzetat për shkak të pozicionit të saj konservator karshi homoseksualitetit. John Inger, ish-presidenti i shkollës së saj që e kontaktova një ditë para se ta takoja, më tha se e mbante mend si një studente të shkëlqyer, një oratore brilante dhe ndoshta një njeri shumë të sjellshëm për t’u marrë me politikë.

    Megjithatë aftësia e saj për të fituar pikë nëpërmjet pakënaqësisë popullore për rritjen e kostove të strehimit, për rritjen e pamjaftueshme të pagave dhe infrastrukturën e dobët, reflekton aftësitë e saj të shkëlqyera politike, të rafinuara gjatë periudhës kur punonte në zyrën e Helen Clark, ish-kryeministre laburiste e zgjedhur për tre mandate në vitet 1999-2008. Në vazhdim, Ardern ka punuar edhe në kabinetin e kryeministrit Tony Blair. “Isha aty kur Gordon Brown po merrte drejtimin. Ishte fantastike, kam mësuar shumë”, shprehet ajo.

    Pavarësisht stilit intrigues dhe aftësisë për të hyrë në sintoni të plotë me njerëzit, Ardern është më shumë një njeri i punës se sa një rebele. Ka konsumuar shumë kohë në politike dhe nuk ka thuajse asnjë eksperiencë jashtë saj. “Kam punuar në një dyqan peshku po aq sa kam qëndruar edhe në parlament”, thotë duke iu referuar një pune që bënte pas shkolle. “Kam pasur eksperienca të veçanta në politikë, por nuk kanë qenë të vetmet gjëra që kam bërë në jetë dhe nuk kanë qenë ato që më kanë bërë njeriun që jam.”

    Kur fillojmë të flasim për politikat ndërkombëtare, Ardernit i vjen çaji i shoqëruar me një gotë verë të turbullt. Duke vënë re shushatjen time, kamerierja më sqaron se bëhet fjalë për një varietet të Canterbury që fermentohet me lëkurat e rrushit për disa javë, gjë që i jep më shumë shije dhe qëndrueshmëri. Ishte e shkëlqyer.

    “Mendoj se pjesa më e madhe e popullsisë ndihet e dëmtuar nga kriza financiare dhe nga ajo që perceptohet si globalizim”, shpjegon Ardern. “Ndjesia ime është se reagimi i njerëzve i shprehur në referendume dhe në disa zgjedhje, është shprehja e mungesës së përgjigjeve në një mjedis ku rriten pasiguritë. Ne politikanët mund ta mbushim këtë zbrazëti me një mesazh shprese, ose mund ta shfrytëzojmë frikën duke ia hedhur fajin të tjerëve.”

    Në përgjigjet e Ardern vihen re shumë përgjegjësi karshi zgjedhësve: zgjidhja e problemit të banesave, nxjerrja nga varfëria e njëqind mijë fëmijëve apo shndërrimi i Zelandës së Re në një ekonomi me zero ndotje brenda vitit 2050.

    Qeveria e saj ka debutuar me guxim. Në prill Ardern ndaloi çdo eksplorim të ardhshëm për naftë apo për gaz në det të hapur, një veprim ky në kundërshtim me politikat e Partisë Nacionale që joshte kompanitë e mëdha të naftës. E ka rritur pagën mesatare neozelandeze me 75 cent, duke e çuar në 16,5 dollarë për orë, rreth 10 euro/ora. Gjithashtu ka nisur të eliminojë dalëngadalë edhe taksat universitare dhe ka aprovuar ligje kundër marrjes së pasurive imobiliare nga të huajt. Por është treguar edhe pragmatiste duke aderuar në Partneritetin Transpacifik, një organizim tregtar mes njëmbëdhjetë vendeve të cilin e kishte kritikuar kur ishte në opozitë.

    Si feministe që është, Ardern nuk duket fort e dhënë pas Donald Trumpit, megjithëse është shumë diplomatike kur e thotë diçka të tillë nisur edhe nga marrëdhëniet e forta tregtare mes dy vendeve. I kujtoj se përpara se të ulej në karrigen e kryeministres, ka marrë pjesë në manifestimin e grave në Auckland, të organizuar një ditë pas betimit të Donald Trump në janar 2017.

    “Për mua nuk ishte një marshim protestues, por një manifestim për të ardhmen dhe për të drejtat e grave në Zelandën e Re”, thotë Ardern. Por a do të jetë ajo në gjendje të ndërtojë marrëdhënie të ngushta me administratën amerikane, duke qenë se revista Vogue e ka konsideruar si një “anti-Trump”?

    “Sigurisht që duhet ta bëjmë. Në çdo marrëdhënie ekzistojnë edhe mosmarrëveshje”, thotë ajo.

    Muaji i mjaltit
    Atëherë kur dukej se kryeministres i erdhën në majë të hundës pyetjet e mia, më në fund na erdhën pjatat e ushqimit. E imja ishte kuruar në detaje, me një shumëllojshmëri turshish. Pjata e kryeministres nuk është e mbushur plot, por ajo thotë se mjafton. “Dje kam ngrënë shumë. Mora pjesë në një mëngjes, drekë dhe darkë zyrtare. Ndoshta është fëmija që ma bllokon stomakun, por nuk kam uri”, thotë.

    “Jacindamania” ishte në kulmin e saj kur Ardern u nis për në Europë në takimin e liderëve të Commonwealth në Londër dhe në dy takime tregtare me Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel. Udhëtimi, me një goditje në shenjë për sa i përket imazhit, u përmbyll me një takim me Mbretëreshën Elizabetë në Buckingham Palace.

    Megjithatë në Zelandën e Re po vijnë sinjalet e para se muaji i mjaltit i kryeministres po mbaron. Një projekt i kohëve të fundit mbi rritjen e taksave të benzinës ka ndezur polemikat. Kryeministrja akuzohet se nuk po mban premtimet për mos rritjen e taksave, ndërsa në muajin mars Ministrja e Telekomunikimit, Clare Curran, u përfshi në një skandal që solli dorëheqjen e një prej drejtueseve të Radio Zelanda e Re.

    Herët a vonë të gjitha qeveritë do të duhet të përballen me probleme të tilla, por Ardern duhet t’i zgjidhë me shumë kujdes, duke pasur parasysh edhe koalicionin që drejton. Teksa kamerierja po hiqte pjatat, i them Ardern konsideratat e ish-presidentit të shkollës për të, duke veçuar edhe “mirësjelljen e saj të tepërt” për të marrë vendime politike. “A duhej shkarkuar ministrja? Jo. Ndonjëherë të përballesh me këto situata, si për shembull të detyrosh dikë të japë dorëheqjen, kërkon aftësi drejtuese. Bota e politikës është e vështirë dhe duhet të dish si të mbrohesh”, thotë. “Po, është e vërtetë që jam e ndjeshme, por kjo nënkupton gjithashtu se busulla ime politike drejtohet edhe nga empatia dhe mirësjellja.” Me këto fjalë ngrihet nga tavolina dhe kërkon të paguajë llogarinë. Edhe unë ngrihem me vrull për ta ndaluar, por ndërkohë shkaktoj panik te Eric dhe pjesa tjetër e truprojave. Teksa Ardern shkon drejt derës, kthehet nga unë dhe më thotë: “Do të takohemi sërish kur të jesh këtu, dhe do të kuptojmë nëse do të jem në majë, apo në fatkeqësi.”

    Të paktën për tani, kryeministrja neozelandeze duket se bën gjumë të qetë./Përkthyer nga Financial Times nga Erjon Uka për “Blogu i Rërës” në Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post