• Shqip
  • English
  • E martë, 12 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Gatimet e Ives Lifestyle Rozmarina Të gjitha TIP top

    Një drekë 15 minutëshe (po pate dhe 10 minuta kohë, bën dhe ëmbëlsirë)


    Mund të ndodhë të ftosh dikë për dreke, pa pasur një plan të tillë. Për mua ushqimi i porositur nuk është kurrë zgjidhje: nëse fton njerëz në shtëpi, duhet të shërbesh ushqim shtëpie, çfarëdoqoftë ai, është më mirë se çdo lloj amballazhimi, që sjell motoristi (vetëm ai kërkon kohë dhe durim derrisa t’i shpjegosh tunelin e pallatit dhe si të numërojë hyrjet).

    Dreka që bëra të dielën, për një rast të tillë kërkonte vërtetë vetëm 15 minuta punë. Meqë unë dhe mysafirja nuk e kishim me shumë ngut, në vetëm dhjetë minuta u bë edhe një ëmbëlsirë, një zupë e shijshme dhe e bukur, pa u dashur të bëheshin më parë psonisje, vetëm me gjëra që kisha në frigorifer dhe nëpër dollapë.

     Pjata e parë, sallata

    Rukola ose valeriana (unë përdora një përzierje valeriane me lakër ngjyrë vjollcë), qitro e qëruar edhe nga lëkurat e holla, avokado, fara luledielli pak të pjekura, kripë, vaj ulliri.

     Pjata e dytë, makaronat me salçice puljeze e kërpudha

    Në një tigan skuqim në vaj ulliri me pak hudhër të grirë salçiçet të bëra në copa, kur të nisen të skuqen shtojmë kërpudhat e qëruara dhe të prera. Ndërkohë në një tenxhere me ujë të nxehtë ziejmë makaronat e zgjedhura (mirë është të jenë prerje e vogël, jo spageti). Kur kërpudhat të jenë skuqur, fillojmë t’i shtojmë ujë nga i zierjes së makaronave. Kullojmë makaronat dhe i përziejmë në tigan me kërpudhat e salçiçet. Gjatë servirjes, i shtojmë sipër djathë të grirë deleje ose parmixhano.

     Për ëmbëlsirë, zupë

    Kur do të bësh një ëmbëlsirë të shpejtë, pa u dashur të shkosh më përpara në dyqan, por duke shfrytëzuar gjëra që ke në shtëpi, mund të bësh një zupë. Madje edhe nëse nuk ke enë të përshtatshme për ta servirur, mund të bëjë punë çfarëdolloj gote (të konjakut, që përdora unë, duken edhe më bukur sesa çdo kupë zupe).

    Përbërësit

    Biskota (unë kam përdorur Pan di Stele)

    400 ml qumësht

    150 gr sheqer

    60 gr miell

    2 të verdha vezë

    Reçel qershie, boronica të kuqe, arra, arra kokosi (me pak fjalë çdo gjë që ju ka mbetur nëpër dollapë nga ndonjë gatim i mëparshëm).

    Gjalpë (këtë e kam shtuar unë nga vetja, kuptohet).

     

    Përgatitja

    Vendosim nga një biskotë në çdo kupë.

    Tresim miellin me pak qumësht dhe e trazojmë sa të mos ketë më kokrriza. Shtojmë pjesën tjetër të qumështit, të verdhat e vezëve dhe sheqerin dhe e vëmë të ziejë në zjarr të ngadaltë. E heqim sa të marrë valë, ndërkohë që masa është bërë krem.

    Shtojmë pak gjalpë tek kremi. Por mund të shtojmë dhe vanilje, aroma të ndryshme, ose dhe kakao. Unë shtova pak arrë kokosi.

    Vëmë nga pak gjalp dhe pak reçel mbi çdo biskotë.

    Hedhim mbi to nga një shtresë kremi.

    Hedhim ca biskota të grira mbi krem dhe nga pak reçel.

    I mbulojmë me krem. I zbukurojmë kupat me boronica të kuqe, arra dhe pak arrë kokosi dhe i lëmë të ftohen në frigorifer.

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post