Sa nje kafe nga Iva

Një ditë për të thënë “Ba”!

Nga Iva Tiço/Nëse nuk do ishte Instagrami, me siguri që sot nuk do ta dinim që është Dita e Baballarëve. Ose festa e tyre. Në Shqipëri nuk e kemi këtë traditë: kemi marrë 8 Marsin, ditën e gruas dhe ia kemi përkushtuar nënave, duke marrë për të mirëqenë se baballarët nuk kanë nevojë për të. Nuk ka ditë as si Shën Valentini as si 8 Marsi. Në fund të fundit, burrat nuk janë një target i mirë marketingu, nuk kërkojnë as lule dhe kartolina në mëngjes, as bizhuteri e rroba të shtrenjta gjatë ditës. Edhe nëse i pyet, thonë se nuk duan asgjë, e kur e thonë këtë e kanë me gjithë mend, jo si grate, që kur thonë “Asgjë”, duan atë që ato ëndërrojnë dhe duan që ti ta gjesh… Baballarët, burrat, të dashurit, djemtë thonë “faleminderit” për çdo çikërrimë që mund t’u shpiesh të paketuar dhe buzëqeshin e thonë “s’ka gjë” edhe kur u thua që dhuratën nuk e ke blerë akoma dhe se do ta gjesh më vonë… Madje, nuk presin në të vërtetë asgjë, sidomos baballarët që shqetësohen pse u shpenzove, edhe nëse u blen thjesht një kravatë ose këmishë, madje dhe një libër… Nuk është botë konsumi ajo e tyrja, ndaj dhe nuk ka vend për reklama dhe pritshmëri për ditë baballarësh.

E megjithatë, dita është. Në shumë vende është festuar sot. Pa zhurmën e festës së nënave, thjesht si një ditë për t’i përkujtuar dhe falënderuar baballarët.

Për të kujtuar dhe njëherë se janë një role-model: për djemtë, mbrojtës të familjes dhe burri të cilit duan t’i ngjajnë dhe, për vajzat, i pari Princ i Kaltër, tiparet e të cilit do kërkojnë tek çdo burrë që do njohin në jetë.

Për t’i kujtuar se si ata thonë që nuk dinë të skuqin një vezë, por që dinë të mbushin si me magji një tryezë me gjëra të mira, kur mami nuk është në shtëpi.

Për t’i kujtuar si ata që të blejnë akullore kur mami nuk të lë se të ftohen grykët, por dhe si ata që të ndalojnë të bësh shumë gjëra të tjera dhe i ke frikë si dreqi kur kërcënohesh “se mos e merr vesh babi!”.

Për t’i kujtuar si ata që punojnë si shoferë për ty, duke të çuar andej këndej, por që të mësojnë dhe makinën e të bërrtasin kaq shumë, sa të duket se nuk do dish kurrë t’i japësh.

Për t’i kujtuar si ata që janë më të përpiktë dhe më të gjindshëm se çdo shërbim taksie: mund të vijnë dhe në fund të botës dhe të të marrin, mjafton t’ua kërkosh.

Për t’i kujtuar si ata, njerëzit që kryejnë çdo punë: ngulin gozhdë, ndërrojnë llampat e djegura, zhbllokojnë lavamanin dhe marrin për të derdhur edhe qesen e plehrave duke dalë, pa ua kërkuar kush…

Për t’i kujtuar si ata që të kanë mësuar notin, biçikletën, të bësh shërbimin në volejboll dhe koshin në basketboll, detyrat e kimisë por jo muzikën dhe vizatimin: baballarët tërhiqen kur një gjë nuk dinë ta bëjnë.

Për t’i kujtuar si ata që të kanë blerë lodrat, të kanë paguar qiranë e shtëpisë dhe që të japin lekë edhe kur je rritur e bërë grua: janë burrat e vetëm nga të cilët mund të marrësh lekë dhe nga të cilët mund të varesh. Gjithmonë do të të japin me të dyja duart, pa ta kujtuar kurrë, duke të thënë ndërkaq se je më e mira dhe më e zonja.

Për t’i kujtuar si ata që bërrtasin më shumë pse nuk ha sa duhet, por që të japin dhe gotën e parë me konjak.

Për t’i kujtuar si ata që duken aq kërkues që fëmijët të marrin vetëm dhjeta në shkollë e që pastaj të ngushëllojnë se një notë e keqe nuk është fundi i botës dhe se mami nuk do e marrë vesh këtë sekret.

Për t’i kujtuar si ata që na mësojnë se askush nuk na do sa ata dhe se familja është i vetmi vend ku mund të kthehesh gjithmonë, çfarëdo të të ndodhë.

Për t’i kujtuar si ata që na mbrojnë, që nga fëmijët në kopsht dhe deri nga i dashuri që na thyen zemrën.

Për t’i kujtuar si njerëzit që na sjellin më shumë se të gjithë gaz në jetë, që na tregojnë gjëra për të qeshur dhe që bëjnë gjëra që na bëjnë për të qeshur, që vishen si babagjysh i Vitit të Ri, por që të lënë t’u vizatosh edhe fytyrën me stilolaps, të hipësh kalaqafë edhe kur je rritur goxha por dhe që të rrotullojnë sa të të merren mendtë.

Për t’i kujtuar si ata që të mësojnë vallëzimin dhe ëndërrimin për të vallëzuar me ta, të veshura me fustan të bardhë.

Për t’i kujtuar si ata që të thonë se askush nuk është aq i mirë sa të të meritojë, por që pastaj të shpien prej dore drejt një tjetër burri.

Për t’i kujtuar me një telefon apo duke i buzëqeshur një ylli lart në qiell!