Showbiz

Një ditë në Heidelberg, qytetin që bëri për vete dhe vajzën time 6 vjeçe

Një ditë në Heidelberg, qytetin që bëri për vete

Udhëtimi drejt Heidelberg nisi në një ditë qershori, kur dielli kishte zbritur në Frankfurt. Gjithnjë kam menduar se ditët e Frankfurtit janë të ftohta, por në qëndrimin tim atje koha buzëqeshi duke sikur të na tregonte mikpritjen. Heidelberg është qytetit i lashtë që unë do ta quaja edhe qyteti i urave të ngurta. Shumëkush do të thotë se edhe mbi Main Frankfurt, ka rreth 24 orë, të vjetra e të reja që mbajnë mbi vete historinë e tyre. Por urat mbi Neckar ma kanë shtuar më tepër kuriozitetin për ta vizituar këtë qytet, ku sipas informacioneve që kam marrë para nisjes, është edhe universiteti i vjetër dhe i dëgjuar i mjekësisë, kështjella e vjetër me Heiliggeistkirche, nga ku mundet të shohësh urën e vjetër mbi lumin Neckar.

[caption id="attachment_402267" align="aligncenter" width="480"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

[caption id="attachment_402266" align="aligncenter" width="480"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

E kam krijuar në mendjen time këtë qytet dhe më dukej sikur e njihja. Mezi prisja të shkelja në rrugët e tij. Mia, vajza ime 6 vjeçare u mahnit sapo u futëm në stacionin e trenit në Frankfurt, nga ku do të merrnim trenin për në HeidelBerg.

[caption id="attachment_402265" align="aligncenter" width="480"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

- Mami shiko sa i madh dhe sa shumë shina ka!- më tha e habitur, duke më kapur dorën për të më tërhequr vëmëndjen. Pastaj filloi të numëronte shinat, 1,2,3....12, 13... Kushërira ime që më shoqëronte në këtë udhëtim më tha të shpejtonim se treni ynë kishte ardhur në stacion dhe pas pesë minutash nisej. Kishte shumë njerëz në stacion, por jo kaos. Gjithçka ishte e programuar mirë. Edhe pse e huaj, mjaftonte të ndiqje monitorët dhe gjeje atë që doje. Sigurisht në vështirësi, mundeshe të paraqiteshe tek sportelet e informacioneve ku qëndronin tre punonjës e që të ndihmonin.

Zumë vend në njërin nga vagonët e parë. Ndjemë lëvizjen e trenit mbi shina.

- Po nisemi, më thotë Mia dhe pyet tezen e saj Elën, se sa do të zgjasë udhëtimi. - Rreth dy orë- iu përgjigj ajo dhe Mia u mbështet në dritare për të shijuar panoramat lëvizëse jashtë. Të njëjtën gjë bëra edhe unë. Lamë pas Frankfurtin dhe duke udhëtuar mes gjelbërimit dhe qyteteve të vogla arritëm në Darmstadt, qytetin e bukur ku kisha qënë një ditë më parë. Një qytet mrekulli.

[caption id="attachment_402257" align="aligncenter" width="480"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

Zbritëm dhe morëm kartën e planit të qytetit. Shkuam në kështjellën e vjetër. Autobuzi kaloi mespërmes qytetit dhe na la në këmbët e kodrës, në majë të së cilës ngrihej kështjella si një grua e moshuar, e rrudhur, por krenare. Për atje mund të ngjiteshe edhe me këmbë nga një shteg i ngushtë, por ne zgjodhëm ashensorin.

[caption id="attachment_402256" align="aligncenter" width="480"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

[caption id="attachment_402260" align="aligncenter" width="480"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

- Ua, Ua, mami shiko si qenka. Më duket sikur po ngjitemi me raketë.- më tha Mia duke u mbështetur pranë meje dhe mbajtur vështrimin nga maja e kodrës që ashensori e arriti shumë shpejt.

[caption id="attachment_402259" align="aligncenter" width="480"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

[caption id="attachment_402263" align="aligncenter" width="480"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

[caption id="attachment_402274" align="aligncenter" width="480"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

Zbritëm në lëndinën pranë kështjellës. Nuk di pse e vjetra ka bukurinë e saj dhe këtë bukuri ia imponon gjithkujt që i kalon pranë apo e prek atë. Bëmë shumë fotografi për t'i pasur me vete kur të ktheheshim në Shqipëri, si kujtime të këtyre ditëve të mrekullueshme. Nga taracat e kështjellës, nga frengjitë dhe madje edhe duke u mbështetur në parvazet e vjetra prej guri të murrmë në të kuqërremtë, mund të shikoje qytetin në pëllëmbë të dorës, që shtrihej përgjatë lumit, në dy anët e tij.

[caption id="attachment_402278" align="aligncenter" width="480"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

[caption id="attachment_402273" align="aligncenter" width="640"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

Kodra jeshilonte e tëra. Edhe për t`u ndjerë ndiheshe ndryshe. Më e lirë, më dukej sikur kisha krahë për të fluturuar. U futëm pastaj në brendësinë e kështjellës duke prekur me dorë ato që koha i ka lënë si dëshmi për brezat që vijnë. Është me të vërtetë mahnitëse të ulesh në prehër të së vjetrës antike dhe të zbulosh ato të pathënat e saj, ato të mbuluarat nga vitet dhe shekujt. Kishte vizitorë të shumtë të gjithë me aparate dhe celularë në duar që nuk rreshtnin së bëri foto. Pranë ishte edhe një restorant, ku drekuam. Kopshti që rrethonte kështjellën ishtë si një ëndërr e gjelbër ku ngrinin kokat për të prekur qiellin pemët e vjetra që nuk i kanë zhveshur kohërat dhe as njerëzit. Mbas kështjellës shkuam në “Bergbahn” për në Konigstuhl ku shijuam panoramën më të bukur të Heidelberg, 437,8 sipër qytetit dhe pak më lart ndodhej “Marchenparadises” . Mia vrapoi drejt një statuje që shërbente edhe si shatërvan në mes të kopshtit. Ishte statuja "Brunen mit vater Rhein" që i jepte freski jo vetëm kopshtit, por edhe vizitorëve që priste çdo ditë. Është mrekulli kur antikja ruhet, restaurohet dhe mbetet emblemë e një fisi, e një populli e një historie. Mbas kësaj statuje që dhuronte ujë dhe jetë, morëm rrugën që përshkonte kodrën. U shtrimë mbi barin e gjelbër për të pushuar pak para se të drekonim. Mbasi hëngrëm zbritëm përsëri me ashensor në qytet.

[caption id="attachment_402254" align="aligncenter" width="480"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

Pastaj vizituam qytetin e vjetër që ndodhej në këmbët e ”Alte Brücke“ që quhet ”Karl-Theodor-Brücke”.

- Tamam si nëpër filma.- më tërhoqi përsëri vëmëndjen Mia dhe më tregoi me dorë hyrjen e mrekullueshme të urës së vjetër me harkun prej muri dhe dy kullat që ngriheshin në anën e tij si roje që vëzhgonin hyrje-daljet. U mrekullova mes mrekullive. Lumi rridhte i qetë në shtratin e tij indiferent ndaj kalimtarëve të shumtë që hidhnin sytë mbi të. Vazhduam ecjen përgjatë lumit, duke ndalur herë pas here në ballkohet e krijuara për të bërë fotografi. Qyteti i vjetër na ftoi në një hapësirë tjetër interesante dhe të ngrohtë. Kalldrëmi i vjetër romak i lëmuar nga kalimtarët e shekujve nuk kishte lëvizur vendit, as ishte dëmtuar dhe as larguar apo mbuluar. Historia qëndronte e gjallë në ato rrugë tashmë mbushur me lokale që nxirrnin tryezat jashtë, në skulpturat që i rezistuan kohës dhe në ato shtëpi karakteristike si të qëndisura me dorë. Ndiheshe si në një epokë tjetër. Edhe njerëzit ishin më të qeshur. Kombësitë ishin të ndryshme. Fliteshin lloj lloj gjuhësh nga turistët. Nuk u ndjemë të huaj.

[caption id="attachment_402261" align="aligncenter" width="480"] Foto nga Marsida Myrtja[/caption]

Do vijmë përsëri në këtë qytet ndonjëherë tjetër?- më pyeti Mia. – Patjetër, i thashë - dhe asaj i ndritën sytë.

- Po herën tjetër do të jetë edhe babi me ne.- më tha përsëri. - Dua t'i tregoj babit këtë urën e vjetër. Dua t'i tregoj gjithçka të bukur të këtij qyteti. Mami e di? U kënaqa shumë - tha pastaj dhe m`u mbështet në krah.

Për më shumë foto shfletoni galerinë

*Ky shkrim është pjesë e rubrikës Bon Voyage nga Tiranapost në bashkëpunimin me Global Travel