Art dhe Kulturë

Një burrë si Kemal, e një leksion për lumturinë

Një burrë si Kemal, e një leksion për lumturinë

“Gjashtë gra në kërkim të një burri” është titulli i suplementit “Leteratura” për këtë të hënë. Një titull që të konfuzon disi. Por në të vërtetë këto gjashtë gra flasin për pasionin e tyre, letërsinë.

Një takim me një personazh burrë për librat që kanë lexuar, Arlinda Dudaj, Iva Tiço, Diana Kastrati, Irena Toçi, Elda Kotorri dhe Alda Bardhyli zgjedhin personazhin që do të donin ta nxirrnin nga një libër.

Nga Iva Tiço/ “Lexova një libër një ditë dhe gjithë jeta ime ndryshoi”, nis Orhan Pamuk një nga romanet e tij, ndërsa me një tjetër libër të tij, ia doli të ndryshonte shumë gjëra në jetën time. Jo thjesht kur e lexova, por kur u futa me të vërtetë brenda tij. Dhe kur them “u futa”, nuk e kam fjalën që “u zhyta mes fletëve të tij”, por vërtetë “u futa”, në kuptimin e parë të fjalës, në gjithë kapitujt e “Muzeut të Pafajësisë”.

I ndërtuar në një nga rrugicat e lagjes Çukurcuma të Stambollit, nën kujdesin e vetë autorit, nëpër korridore e dhoma rreshtohen njëri pas tjetrit, të gjithë kapitujt dhe objektet që përmenden në to, objekte me atë të të cilave, rrëfehet një dashuri e pamundur. Ndërsa në papafingo, në një të ndarë të vogël, është ndërtuar dhoma e Kemalit, personazhit kryesor. Pasi ke bërë gjithë shëtitjen në të dy katet, në atë dhomë lotët të mblidhen në grykë: kaq shumë dashuri e mbledhur në një vend aq të vogël. Një burrë mund të dashurojë edhe kështu. Dhe të duket njeriu më me fat në botë.

Që pas leximit të parë të atij libri (pooo, nuk me vjen turp të them që e kam lexuar plotësisht edhe dy herë të tjera, plus ndonjë shfletim në faqe të caktuara herë pas here), më ndodh të përfshihem në diskutime për  këtë roman dhe kur dëgjoj ndonjë që thotë “shumë e zvarrit diku nga mesi dhe të mërzit” e shoh me inat atë që shqipton këto fjalë: pikërisht aty nga mesi, aty është më e bukura, aty është thelbi i dashurisë kaq të veçantë të këtij burri të quajtur Kemal – “lumturi është të jesh me atë që do”.

Jo në kuptimin të jesh bashkë, të jesh në lidhje, Kemali jonë nuk është kaq i rëndomtë sa të thotë të tilla gjëra. Për të mjafton të jesh pranë personit të dashur, pranë gruas që dashuron edhe nëse për ta bërë këtë do t’i duhet të dalë çdo natë me të dhe të shoqin, ose nëse do t’i duhet që për vite me radhë të shkojë e të darkojë në shtëpinë e saj, në familjen e saj, me prindërit e saj. Jo më kot në fund të romanit, edhe pasi pritja e tij për të jetuar me të dashurën ka përfunduar në mënyrë tragjike, personazhi Kemal, i lë porosi autorit Orhan Pamuk, që kur të rrëfejë historinë e tij të dashurisë, në fund fare, të mos harrojë të shtojë “unë kam jetuar një jetë shumë të lumtur”.

Kur futesh brenda “Muzeut të Pafajësisë”, e kupton që ajo jetë ka qenë vërtetë e atillë. Aq sa ta kesh këtë zili këtë lloj lumturie: pakkush ka fatin të përjetojë një dashuri të tillë. Sidomos në letërsi, ku të tilla dashuri të mëdha duhet se u janë caktuar grave. Por ja që Kemali i Pamukut, bëhet burri që do doje të takoje, por aq sa një burrë i ngjashëm që më ka mahnitur në të njëjtën masë vite të shkuara, atëherë kur njoha Florentino Arisën e Gabriel Garcia Marquez.

Në të njëjtën mënyrë, duke vuajtur për një dashuri të parealizuar, ai ka vetëm një qëllim në jetë: të presë derisa e dashura e rinisë së tij të mbetet e ve, të jetë e lirë në mënyrë që të rinisin edhe njëherë lidhjen aty ku ajo e ndërpreu vite më parë. Do të kalojnë kështu 51 vjet, nëntë muaj dhe katër ditë nga ndarja, e derisa ai të gjendet sërish pranë saj, në natën e parë si vejushë për t’i premtuar dashuri të pavdekshme, teksa përgjatë gjithë këtyre viteve që i ka kaluar duke pritur që rivali i tij të vdesë, Florentino Arisa ka zbuluar një tjetër sekret të kësaj jete: zemra e njeriut ka më shumë dhoma sesa një bordell.

Ndaj ndryshe nga lëngata e vetmuar e Kemalit të Pamukut, që e shuan mallin dhe i rrëfen vitet e pritjes përmes mbledhjes së objekteve që për të  marrin një rëndësi të veçantë, vetëm se i kujtojnë të dashurën, lëngimi i Arisës që hera herës ka simptomat e kolerës, tenton që boshllëkun e dashurisë së shpirtit ta mbushë me dashuri trupore. Një burrë në Karaibe, ndryshe nga një turk, këtë pritet të bëjë. Edhe pse kaq të ndryshëm, edhe pse të shkruar kaq larg njëri tjetrit në vend dhe në kohë, në thelb, më duken gati si i njëjti burrë. Aq sa brenda “Muzeut të Pafajësisë” të më duket sikur ndjehet edhe ajo aroma e bajameve të hidhura, që sipas Marquez “gjithmonë të sjell ndër mend fatin e dashurive të parealizuara”. E kanë dhe këtë të përbashkët “burrat e mi” shkrimtarë: fjalitë e para të romaneve të tyre nuk harrohen dot. /Gazeta Liberale

https://liberale.al/6-gra-ne-kerkim-te-nje-burri-cdo-lexoni-ne-leteratura-sot/