• Shqip
  • English
  • E diel, 19 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Opinion Të gjitha

    Një akt barbar


    Esencë editori/ Mbi sulmin kundër besimtarëve myslimanë në Zelandën e Re dhe keqpërdorimin e emrit të Skënderbeut.

    Nga Enver Robelli

    Sulmi mbi myslimanët e Zelandës së Re që në faltoren e tyre po i luteshin Zotit të tyre është po aq barbar sa sulmet e vrasësve islamistë ndaj kishave dhe sinagogave. Ashtu siç paraqet rrezik terrorizmi islamik për mënyrën se si jetojmë në shoqëritë e lira, po aq i rrezikshëm është edhe terrorizmi i djathtë. Ai duhet të luftohet me të njëjtën këmbëngulje si ekstremizmi islamik. Çdo përpjekje për të relativizuar krimet e njërës palë për të arsyetuar tmerret e palës tjetër është papërgjegjësi dhe zjarrvënie në një situatë të elektrizuar.

    Terroristi australian duket se ka keqpërdorur edhe emrin e Skënderbeut për barbarinë e tij. Shqiptarët kudo ku jetojnë duhet ta përbuzin këtë gjest të terroristit të Christchurch-it. Natyrisht dhe për fat të keq ka edhe raste kur budallenj me një profil në Facebook dhe me emra që tingëllojnë shqip mund t’i gëzohen vrasjeve, por këto mbeturina virtuale nuk meritojnë vëmendjen e publikut.

    Zelanda e Re është diku larg, në anën tjetër të botës. Por, ajo është afër. Është një vend ku jeton edhe një komunitet shqiptar, një numër i konsiderueshëm i të cilëve janë pranuar si refugjatë 20 vjet më parë, kur lufta në Kosovë arriti kulmin. Këta njerëz u pranuan për arsye humanitare, pa rezerva se ndonjëri prej tyre mund të jetë myslimanë. Sot mendimet e çdo shqiptari duhet të jenë te viktimat, familjet e tyre dhe te qeveria e Zelandës së Re.

    Terroristi australian, sipas autoriteteve bullgare, ka udhëtuar nëpër disa vende të Ballkanit në vitin 2018. Supozohet se ka qëndruar në Bullgari, Rumani dhe Hungari, ndërsa më 2016 me gjasë në Serbi. Në armën e tij ai shënoi emrat e disa personaliteteve – pozitive dhe negative – të historisë së Ballkanit që kanë luftuar kundër osmanëve: prej hajdukëve të rëndomtë serbë deri te shqiptari Skënderbeu dhe malazezi Mark Milani. Duke udhëtuar me veturë për të kryer krimin, terroristi dëgjoi edhe një këngë të pëlqyer nga nacionalistët serbë.

    Terroristët diku gjejnë inspirim. Vrasësi nga Christchurch mund të jetë inspiruar nga Radovan Karagjiqi, kriminelë të tjerë si Arid Uka (vrau dy ushtarë amerikanë në Frankfurt) ose Lavdrim Muhaxheri (njëri nga prijësit e «Shtetit Islamik») mund të jenë inspiruar nga imamë me mendësi kriminale. Krimet e Karagjiqit nuk krahasohen me ato të banditëve islamistë shqiptarë, por këtu fokusi është të inspirimi që gjejnë barbarët e ndryshëm.

    Ashtu siç e urrejnë nihilistët pseudoislamikë Perëndimin dhe vlerat e tij, njëjtë edhe politikanë të së djathtës europiane si holandezi Geert Wilders, italiani Mario Borghezio dhe gjermani Alexander Gauland me sulmet e tyre paushalle kundër islamit (disa prej tyre madje e quajnë «ideologji fashiste») kontribuojnë që terroristë si norvegjezi Anders Behring Breivik të kalojnë nga fjalët te veprat.

    Pas sulmit të llahtarshëm në Zelandën e Re shqiptarët duhet të tregojnë kujdes në dy drejtime: të distancohen nga ata që keqpërdorin figurat e tyre historike dhe njëkohësisht të kenë përherë parasysh se si komb me fe të ndryshme ekziston diçka që i ka bashkuar përherë: vlerat e Rilindjes të shekullit ’19 dhe fillimshekullit 20-të. Për këtë mjafton të shikohet vetëm përbërja e pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit për Alfabetin e Gjuhës Shqipe. Në kohëra të furtunave të mëdha ia vlen të kujtojmë me respekt veprat e mëdha të patriotëve të mëdhenj.