Qyteti

Nisin ndërtimet te Astiri, familjet po marrin nga 1-3 shtëpi, Veliaj: Bullizmi politik i partive që bllokojnë s’ka vend në Tiranë

Nisin ndërtimet te Astiri, familjet po marrin nga 1-3 shtëpi, Veliaj:

Familjet të cilat kanë pranuar të bashkëpunojnë dhe të lirojnë vullnetarisht banesat pa leje për t’i hapur rrugën projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe, kanë nisur të zhvillojnë pjesën tjetër të pronës së tyre.

Sikurse shihni edhe nga këto foto të publikuara në Facebook nga kryebashkiaku Veliaj, përgjatë gjithë segmentit nga “Pallati me Shigjeta” tek rrethrrotullimi “Shqiponja”, banorët e Astirit janë futur për zhvillim, duke liruar rrugën e duke marrë nga 1-3 apartamente në këmbim në pallatet e reja që po ndërtohen, sipas përqindjes së tregut.

“Astiri? Një pjesë e familjeve ka marrë paratë për ndërtimet pa leje në mes të rrugës, pjesa tjetër në foto është futur për zhvillim, duke liruar rrugën e duke marrë nga 1-3 apartamente në këmbim! Bullizmi politik i partive që bllokojnë punët publike nuk ka vend në Tiranë”, shkruan Veliaj.

Shumë prej familjeve që i janë përgjigjur thirrjes së bashkisë, po përfitojnë apartamente dhe dyqane sipas përqindjes së tregut nga kompanitë private, me të cilat kanë nënshkruar kontratë zhvillimi të pronës së tyre falë lehtësirave të krijuara nga Bashkia e Tiranës.

Banorë të zonës shprehen se falë kësaj marrëveshje me bashkinë një vit më parë, ata kanë mundur që të marrim me procedurë të lehtësuar lejet e ndërtimit për zhvillimin e pjesës tjetër të pronës së tyre, e cila jo vetëm që tashmë është me letra, por do të marrë një vlerë akoma edhe më të lartë për shkak të projektit të Unazës së Madhe./ Tiranapost.al