Aktualitet

Nishani për bandat kriminale: Në kohën e PD shteti i ndëshkonte. Sot e kundërta

Ish-President i Republikës Bujar Nishani, në një status të gjatë në Facebook, ka komentuar situatën e rendit në vend.

Nishani nuk ka kursyer akuzat, i cili edhe në statusin e ish-Ministrit të Brendshëm thotë se dikur grupet kriminale kishin frikën e policisë. Ndërsa sot sipas tij, krimi ka filluar të ndëshkojë shtetin.

Dhe për këtë ish-Presidenti rendit një sërë faktorësh që sipas tij tregojnë se krimi dhe shteti gjatë kohëve të fundit kanë bashkëpunuar.

Statusi i Nishanit:

Krimi ka nisur të ndëshkojë shtetin !

Opozita denoncoi para dy ditësh një akt kriminal të një lloji të veçantë krahasuar me ato që ndeshim pothuajse çdo ditë rrugëve të vendit. Një grup dukshëm i strukturuar kriminal sulmon në një akt gati vrastar me makinë të blinduar mjetin e forcave të policisë në Elbasan. Shkaku formal sipas deklarimit zyrtar të policisë ishte sekuestrimi i disa makinave luksoze në pronësi të anëtarëve të këtij grupi.

Në Shqipëri ka patur vijimësisht aktivitet kriminal të grupeve të strukturuara si të tilla. Por veprimtaria e tyre shoqërohej me frikën nga goditja prej strukturave të shtetit. Ndaj krimi përpiqej të fshihej sa më shumë prej tij, të largohej sa më larg nga ai por edhe të tentonte kompromentimin e individëve të caktuar të tij. Sot rolet kanë ndryshuar.

Krimi i organizuar ka nisur të ndëshkojë shtetin. Me akte publike madje. Gangsterët e bandave kriminale ndihen tashmë me pushtet mbi policinë. Ata e shohin policinë si shërbyese të tyre e jo si përndjekëse e shkop force për ta. Kjo ishte e pritshme, për fat të keq.

Nëse policia jo vetëm nuk i goditi ata gjatë kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, por madje i inkurajoi dhe në raste të caktuara bashkëpunoi me ta, s’kishte si ndodhte ndryshe sot.

Nëse emërimet në strukturat e hetimit të krimit rekomandoheshin nga kapot e bandave s’kishte si ndodhte ndryshe sot.

Nëse politikanët qeverisës i pagonin për të mbledhur vota me çdo çmim, s’kishte si ndodhte ndryshe sot.

Nëse pushteti u falte pasuritë publike në këmbim të miqësisë së tyre për të trembur shqiptarët, s’kishte si ndodhte ndryshe sot.

Ata tani nuk mund të pranojnë që të bezdisen as edhe një grimë. As për shoë madje.

Krimi tani ka nisur të ndëshkojë shtetin.

Ky realitet është gati gati fatalitet. Ai mund të kthehet përfundimisht në fatalitet nëse nuk arrestohen dhe tregohen publikisht agresorët ndaj policisë në Elbasan. Nëse nuk bllokohen dhe futen në proces konfiskimi bisneset e anëtarëve të këtyre grupeve. Mbledhja për disa ditë në oborret e komisariateve të disa makinave është asgjë. Goditja u duhet dhënë atje ku ata pastrojnë paranë e pisët. Atje ku i shumfishojnë paratë e krimit. Ato dihen, janë publike, të pa kontrolluara. Nëse kjo nuk bëhet ata pasi do ta ndëshkojnë mirë e mirë shtetin do ta blejnë të gjithin atë. E.C/ Copyright Tiranapost.al