• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Të gjitha TIP top

    Nikollë Idromeno ose siç e njohim ndryshe Kolë Idromeno duhet shpjeguar më shumë


    Esencë Editori/ Nuk do të shtjelloj këtu origjinat e Idromenos (jo vetëm nga Shkodra gjithsesi), as talentet e tij (jo vetëm arti pamor, që ta dini) , as miqësitë e tija (edhe politike madje). Nuk do të tregoj këtu as detaje nga portretet, apo kryqëzimet artistike që mbart ekspozita…

    Nga Mirela Kumbaro/ – Kolë Idromeno? Po mi, e kemi parë… “Motra Tone”, “Dasma Shkodrane”, i dimë…

    – Po jo pra jo! se nuk i di! Mos u ngut të gjykosh mbi klishetë e disa informacioneve që i kemi ende me pikatore mbi artin dhe artistët tanë.

    Na duhet një udhërrëfyes, një ngjarje, një ndriçim e shpjegim, për të kuptuar se nëse Italia ka një Leonardo da Vinci, Hollanda ka një Rembrandt apo Franca një Renoir, edhe ne kemi shkodranin Kolë Idromeno.

    Përtej klisheve se Motra Tone është Mona Liza shqiptare, Nikollë Idromeno ose siç e njohim të gjithë Kolë Idromeno, – për aq sa e njohim se ju siguroj që nuk e njohim aq sa e ka vlerën dhe  madhështinë, – është një enciklopedi kulturore e historisë shqiptare të fundshekullit XIX dhe të fillimshekullit XX.

    Që të jem e qartë që në fillim, nuk kam njohuritë e ekspertit të artit, dhe as më ka bërë të tillë detyra e Ministrit të Kulturës.

    Ama, mu hapën sytë e më rrëmbeu emocioni artistik tek vizitova ekspozitën “Kolë Idromeno” në Galerinë Kombëtare të Arteve që me ligjin e ri të trashëgimisë e të muzeve cilësohet si Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura.

    Ekspozita është kuruar nga Erzen Shkololli.

    Erzeni, jo vetëm drejtor i shtëpisë më të madhe të arteve pamore shqiptare por, dhe e them me gojën plot, është një bekim për këtë institucion që nën drejtimin elegant të tij ka fituar në dritë, ajër, shërbim, por sidomos në frymë, estetikë dhe edukim.

    Piktura, mendimi dhe estetika e Kolë Idromenos, të mirëpresin në një ekspozitë që Erzeni, – si trim i mirë me shokë shumë, – e ka realizuar në këshillim me një nga kritiket më të mira të artit, por edhe anëtare aktive e bordit të GKA-s, Eleni Laperi, me profesoreshën tashmë të njohur të etnografisë Afërdita Onuzi dhe me historianin e mençur të artit, shkodranin Zef Paci.

    Është më shumë se një ekspozitë e një piktori. Është një udhëtim, falë piktorit dhe kuratorit, në atmosferën kulturore dhe frymëzuese të kohës dhe të Shkodrës së Idromenos. Kostumet që veshin personazhet në telajo i gjen të ekspozuara, origjinale nga fondet tona antropologjike, në bashkëjetesë me kornizat e pikturave dhe fotografive.

    Stolitë reale të burrave e të grave janë aty, si për të provuar se Idromeno ishte një vëzhgues i hollë i detajit, i jetës dhe hierarkisë shoqërore, i mjedisit dhe i habitatit shkodran të cilin e kqyri dhe e përktheu në art por, edhe e ndikoi fort me artin e vet fotografik, pikturues, arkitekturor dhe jo vetëm.

    Fotografia përndjek portretin dhe piktura ka përjetësuar dritëshkronjën. Modernizmi të befason. Kompozimi fotografik sfidon çdo regjisor. Pa folur për hulumtimin e ekipit realizues që, për të nxjerrë në dritë këtë ekspozitë, ka nxjerrë nga fondet e vetë Galerisë, edhe nga skutat e Muzeut Oso Kuka në Shkodër, kryevepra të Idromenos të tilla -le ta pranojmë –  që ne që bëjmë sikur i dimë, por as ia kishim idenë se ekzistonin.

    Restaurimi i kryer  nga specialistët e GKA-s është një vepër arti më vete! Dhe dua t’i falenderoj me zemër

    Nuk do të shtjelloj këtu origjinat e Idromenos (jo vetëm nga Shkodra gjithësesi), as talentet e tij (jo vetëm arti pamor, që ta dini) , as miqësitë e tija (edhe politike madje). Nuk do të tregoj këtu as detaje nga portretet, apo kryqëzimet artistike që mbart ekspozita.

    Por nëse do vërtet të marrësh një dozë elegance artistikte, një ndjesi krenarie për historinë tonë të artit, një shije të mirë kulturore nga shtëpia më e madhe e artit kombëtar pamor,  ku përveç Idromenos do të gjesh edhe të tjera zbulime kulturore, shko në Galerinë Kombëtare të Arteve. Do të të pëlqejë. Dhe mos shko vetëm!

    Atje është vërtet Muzeu ynë Kombëtar i Arteve të Bukura

    *Ky artikull është e drejtë vetëm e Tiranapost.al, riprodhimi apo kopjimi nuk lejohen nëse preket titulli apo merren copëza nga teksti. Kjo është një nismë për të evituar dëmtimin që i bëhen shpesh artikujve duke i nxjerrë jashte kontekstit dhe duke prodhuar edhe fakenews.