• Shqip
  • English
  • E shtunë, 18 Janar 2020
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Kosova Të gjitha

    Ngërçi i qeverisë në Kosovë/ Oferta, ndoshta e fundit e Albin Kurtit për Isa Mustafën


    Është nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi i cili ka bërë publike ofertën që Albin Kurti, kreu i Partisë i ka bërë Isa Mustafës së LDK-së. në këtë propozim, thuhet se nga 12 ministri të bëhen 14, ku 6 prej tyre të drejtohen nga LDK-ja. Ndërsa ministritë e tjera nga partia që mori më shumë vota, Vetëvendosja. Kujtojmë se disa ditë më parë, Albin Kurti i cili nuk dorëzonte ministrinë e Brendshme, ia la këtë të fundit Isa Mustafës, por sërish nuk pati marrëveshje. LDK kërkon që të ketë presidencën pas përfundimit të mandatit të Hashim Thaçit, i cili në kërkesa ndaj Albin Kurtit i kërkon të dërgojë emrin e kryeminsitrit të rid he të krijojë sa më parë qeverinë e re.

    Nuk dihet nëse do arrihet marrëveshja me propozimin e sotëm, në të kundërt Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja, që për Albin Kurtin janë të pranueshme në këto kushte.

    Më poshtë keni propozimin e plotë, në një letër drejtuar Isa Mustafës:

    PROPOZIMI I VETËVENDOSJES PËR ARRITJEN E KOALICIONIT ME LDK-në

    Në takimin e fundit me ekipin e LDK-së na është thënë që propozimi ynë për arritjen e marrëveshjes së koalicionit do t’i dërgohet Këshillit të Përgjithshëm të subjektit të tyre politik për vlerësim (pranim ose refuzim). Andaj është e pakuptimtë të deklarohet se jemi në pritje të propozimeve të reja nga ana e Vetëvendosjes! Propozimi ynë i nxjerrë (si kompromisi i katërt brenda të njejtit takim), mbrëmë i është dërguar me shkrim kryetarit Mustafa. Në përpilimin e këtij propozimi,Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton asesi), vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12 sosh). Shumica e skenarëve që janë listuar nëpër media gjatë ditës së sotme nuk janë nxjerrë nga propozimi origjinal, por janë më tepër të derivuara nga spekulimet që kanë qarkulluar në vazhdimësi në media.

    Nisur nga fakti se vendi ndodhet para një udhëkryqi jetik që do ta determinojë fuqishëm perspektivën e vendit dhe orientimit drejt ndryshimit vendimtar për të mirë apo zhytjes së mëtejme në krim, korrupsion e mjerim, është shumë me rëndësi që vendimi (rekomandimi) i anëtarëve të KP të LDK-së të jetë reflektim i saktë i pritjeve dhe bindjeve të tyre. Tentimi për imponim të qëndrimeve të tyre përmes deklarimeve të hershme publike të personave të cilët që nga fillimi kanë lënë të kuptojnë se nuk e preferojnë një koalicion me VV, mund të rezultojë tepër i dëmshëm në kontekst të seriozitetit të momentit në të cilin ndodhemi.

    E shoh poashtu të rëndësishme që opinioni publik të jetë në këtë moment i mirinformuar për elementet kryesore të propozimit të VV-së që i është dërguar kryetarit Mustafa, andaj edhe po e bashkangjes dokumentin më poshtë.

    Propozimi i drejtuar kryetarit Mustafa

    I nderuari Kryetar i LDK-së, z. Isa Mustafa,

    Në kuadër të bisedimeve tona për formimin e koalicionit qeverisës, në takimin tonë të fundit të mbajtur të enjten, më 9 janar 2020, kam bërë propozimin përfundimtar për marrëveshje ndërmjet dy subjekteve tona. Sipas kërkesës suaj në komunikimin tonë të fundit, po ua dërgoj atë edhe me shkrim:
    1. E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14 sosh, me ç’rast Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së.

    2. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkangjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkangjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jipen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete.

    3. Bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.
    Shpresoj ta pranoni propozimin tonë dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë e ta zbatojmë programin e harmonizuar qeverisës.

    Me respekt,Albin Kurti, Kryetar i LVV/ Tiranapost.al. 

    Albin Kurti dhe Isa Mustafa përfundojnë takimin e tretë, por asnjë fjalë për mediat

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post