Aktualitet

Nga Thanas Dhespo tek Ylli i Peshkut. Veliaj prezanton Tiranën përmes historive njerëzore

Ka zgjedhur histori të vërteta dhe njerëzore për të përshkruar transformimin që po pëson sot Tirana. Kryebashkiaku Erjon Veliaj ishte i ftuar special në eventin TEDx Prishtina, ku ai shpalosi vizionin e tij për të ardhmen e kryeqytetit duke vënë theksin se janë qytetarët ata që i japin jetë, dhe pikërisht ata po kthehen edhe në protagonistë të ndryshimit.

Për ta rrëfyer këtë në mënyrë konkrete, Veliaj u ndal tek historia e Yllit, tek Pazari i Ri.

“Ylli, ose siç njihet ndryshe Ylli i peshkut, është një nga sipërmarrësit e Pazarit të Ri, një projekt që filluam ta transformonim para pak muajsh me idenë për t’i rikthyer Tiranës një pjesë të vjetër të saj, duke harruar se disa njerëz si Ylli e kishin jetën të lidhur me pazarin, pavarësisht se ky ishte degraduar. Kur i thamë Yllit se ky vend duhet rikualifikuar, ai mobilizoi dhe drejtoi grupin e protestës aty, duke na thënë se Pazarin e duam siç është. Sot Ylli nuk është më një nga 20 protestuesit, por një nga 1020 vetët që po ushqehen e bëjnë biznes aty”, tha kryebashkiaku i Tiranës

Veliaj ne TEDX ne Prishtine 1

(Në foto: Erjon Veliaj gjatë prezantimit të Tiranës në TEDx Prishtina)

Historia e Thanas Dhespos, një ish i dënuar politik, u prezantua nga Veliaj si një shembull frymëzimi për komunitetin. Ai, së bashku me Nicën, bashkëshorten e tij, vendosën që një pjesë të parave të marra nga vitet e burgut, pas ndryshimit të ligjit në vitin 2014, t’i investonin në të mirë të komunitetit duke rikonstruktuar fasadën e pallatit.

“Historia e të përndjekurve në Shqipëri u referohet rreth 20 mijë vetëve që kanë bërë burg gjatë kohës së komunizmit, kryesisht për idetë e tyre. Gjatë 25 viteve të tranzicionit në Shqipëri gjithmonë abuzohet me këtë kategori, por më në fund në ministri vendosëm që kjo punë duhet mbyllur tani, në gjeneratën tonë, jo nesër. Unë e kisha harruar si histori, menduam që duke bërë pagesat u zgjidhën edhe dramat njerëzore apo historitë që i shoqërojnë ato, derisa një ditë dikush më shkruan se në një pallat në Tiranë, një ish i përndjekur i kishte investuar paratë e dëmshpërblimit për rikonstruksionin e gjithë pallatit, duke krijuar një energji të jashtëzakonshme në komunitet. Kështu thamë: ja pra, Shqipëria bëhet, edhe me dikë që është 91 vjeç”, tha Veliaj.

Veliaj ne TEDX ne Prishtine 3

(Në foto: Erjon Veliaj gjatë prezantimit të Tiranës në TEDx Prishtina)

Kryebashkiaku nuk e fshehu se gjatë rrugës dhe procesit të transformimit, shpesh i është dashur të përballet edhe me kundërshti të forta, që siç i cilësoi ai janë minorancë që bën zhurmë përpara shumicës që hesht.

Ai e ilustroi me shembullin e ndërtimit të këndit të parë të lojërave në kryeqytet, pranë Parkut të Liqenit Artificial, ku fillimisht u kundërshtua dhe sot është një nga ambientet më të vizituara në Tiranë.

“Njoh shumë politikanë që mendojnë se detyra numër një është të jenë në debatet televizive në darkë, ditën e enjte. Nuk është kjo. Detyra numër një është të marrin mendime. Ngatërresa kryesore që bëjnë shumë njerëz në angazhim publik është që ngatërrojnë një minorancë të zhurmshme me një shumicë të heshtur. Kjo është arsyeja pse shumë herë gjëra të guximshme nuk kanë ndodhur në Shqipëri e Kosovë, se tuten nga një minorancë që bën zhurmë dhe nuk e kemi durimin ta sqarojmë një herë, dy herë, tre herë, ta ndërtojmë një herë, tre herë, 7-8 herë, derisa në fund civilizimi të fitojë dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët për të ecur përpara”, shtoi Veliaj.

Eventet TEDx janë shumë të njohura në botë dhe organizohen çdo vit duke bërë bashkë njerëz të njohur politikanë, studiues, muzikantë, shkencëtarë, arkitektë etj, të cilët me fjalimet e tyre frymëzuese sjellin eksperienca të ndryshme për çështje të ndryshme. E.C/ Copyright TiranaPost.al