Aktualitet

Nga shtëpia tek akciza e cigares: Si ndryshojnë taksat në vitin 2018

Me buxhetin e ri të qeverisë, një sërë taksash do të rriten duke nisur nga ajo e banesës, e deri tek akciza e cigareve.

Aktualisht, taksa e shtëpisë është 15 lekë/m² për shtëpitë e ndërtuara pas vitit 1993 dhe 30 lekë/m² për shtëpitë pas kësaj periudhe. Me formulën e re, familjarët do të paguajnë 0,05% të vlerës së shtëpisë. Nëse një familje që banon në një apartament me sipërfaqe 100 metra katrorë në Tiranë paguan aktualisht 1,500 lekë, vitin e ardhshëm do të paguajë 2,957 lekë më shumë, pra  4,457 lekë taksë për shtëpinë.

Gjithashtu, siç është bërë e ditur edhe më parë në skemën e TVSH-së do të përfshihet biznesi me xhiro 2 milionë lekë, nga 5 milionë lekë që është sot. Ulja e pragut do të sjellë që biznesi i vogël të deklarojë faturën me TVSH të blerjeve që bën te biznesi i madh dhe të shitjeve te konsumatori. Jashtë skeme qeveria ka lënë shitësit ambulantë, ata të tezgave të fruta-perimeve, berberët, tregjet e bashkive që e kanë xhiron nën 2 milionë lekë. Ulja e pragut sipas shifrave zyrtare që ka dhënë Ministria e Financave përfshin në skemë 19 mijë biznese, ndërsa mbeten jashtë 63 mijë, shkruan gazeta “Panorama”.

Në 2018-n, TVSH 6% do të shtrihet në të gjitha shërbimet që ofrojnë strukturat akomoduese në turizëm, të hoteleve me 4 dhe 5 yje. Hotelet me 4 dhe 5 yje me status special do të përjashtohen edhe nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe nga tatimfitimi për 10 vjet në rast se përfitojnë këtë status deri në dhjetor të 2024.

Nga ana tjetër do të kemi edhe rritje të akcizës për cigaret me 7 lekë për paketë, apo 100 lekë për 1000 copë. Aktualisht, akciza e cigareve për 1000 copë është 5,750 lekë. Pas 1 janarit të 2018-s, akciza për cigaret do të jetë 5,850 lekë për 1000 copë. Efektet në buxhet parashikohen 1,1 miliardë lekë./Tiranapost.al

*Fotoja ilustruese është karikaturë e Bujar Kapexhiut.