Aktualitet

Nga PD te PS, ja reagimet për vendimin e Gjykatës Kushtetueses

"Partia Demokratike respekton vendimin e Kushtetueses në lidhje me Ligjin e Vetingut dhe ripohon vendosmërinë e saj për spastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe shërbëtorët politikë"
Nga PD te PS, ja reagimet për vendimin e Gjykatës Kushtetueses

Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e demokratëve për ta shpallur ligjin e vetingut antikushtetues.

Reagimi i PD:

“Partia Demokratike respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e Vetingut dhe ripohon vendosmërinë e saj për spastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe shërbëtorët politikë.

“Partia Demokratike mbetet njësoj e shqetësuar se ligji aktual do ta vendosë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve nën kontrollin e Kryeministrit”.

“Kontrolli qeveritar i vetingut është njësoj i rrezikshëm pavarësisht se kush është kryeministër. Por në kushtet aktuale, kur kryeministër është Edi Rama i cili është i lidhur me krimin dhe është zhytur në korrupsion, kontrolli kryeministror i vettingut do ta thellojë korrupsionin dhe kapjen e drejtësisë nga politika”.

Fatmir Xhafaj

Vendimin e sotëm të Kushtetueses, e cila rrëzoi PD-në për bllokimin e ligjit të Vettingut, deputeti Fatmir Xhafaj e ka cilësuar si një lajm shumë të mirë për Reformën në Drejtësi. Në një prononcim, kreu i komisionit të reformës tha se: “Ky është një lajm i mirë për reformën, për reformimin e sistemit, u hoq një pengesë nga procesi i reformës, për shkak se ishte një nga betejat e radhës, tani është hapur rruga për të vazhduar me Vettingun”.

Sipas tij, kjo është fitore e të gjitha atyre që kanë realizuar dhe mbështetur fuqimisht këtë proces, ligjin e Vettingut dhe dështim i atyre që e kundërshtuan këtë proces.

“Atyre që kanë bërë përpjekje mbi e nën tavolinë, lloj-lloj kulisash për ta frenuar, është dështim i merituar se reforma është e pandalshme dhe Vettingu është zemra e reformës. E di që do ketë pengesa të tjera se këto grupe njerëzish që ndajnë qëllime të ndryshme nga ne në këtë proces nuk do reshtin së penguari”, tha ai.

Ylli Manjani

lli Manjani, ministri i Drejtësisë reagoi në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zhbllokimin e ligjit të vlerësimit të gjyqtarëve apo siç njihet ndryshe, vettingu. Sipas Manjanit tashmë debati politik duhet të marrë fund. “Përshëndes Gjykatën Kushtetuese që rrëzoi çdo alibi për Vetting! Debati politik duhet të mbyllet! Vetëm struktura kushtetuese bën Vetting!”, shkruan Manjani.