• Shqip
  • English
  • E martë, 15 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • It's butter baby Të gjitha

    Nga Parisi me bukë me gjalpë (dhe shumë të tjera)


    Nga e shkuara ime prej “Miss”-i dhe konkurset nëpër botë, nuk është se ruaj me krenari kurorat, madje kam vite që evitoj të flas për to, por ama ato kohë janë të mbushura me kujtime udhëtimesh të gjata në të katër cepat e globit, që sigurisht duhet t’ua di për nder kurorave.

    Një eksperiencë e jashtëzakonshme për një gjimnaziste, që nisi të mblidhte kujtime në vende dhe kultura nga më të ndryshmet si Liban, Filipine, Angli, Nigeri, Maltë, Austri apo Itali! Dhe atëherë nuk ishte si sot. Një nga gjërat më të veçanta të udhëtimeve ishin kuzhinat e ndryshme, që tani gjenden kudo, por që asokohe këtu nuk njiheshin.

    Me gjithë udhëtimet e mëvonshme gjithsesi ajo çka më mungonte dhe kisha njëfarë pengu ishte Franca. Nuk më ka qëlluar të shkoj në Paris edhe pse shumë herë jam bërë gati.

    Mendoja se në Paris nuk arrin të ngopesh dot, sepse pjatat do ishin minimaliste, si ato që kam parë në televizor (sigurisht e dija që do kishte aromë gjalpi, si dhe emri i blogut tim, kaq njohuri filmat se paku m’i kanë dhënë).

    Dhe ndërsa prisja të gjendesha përpara ndonjë pjate të madhe me dy gjëra të vogla dhe të bukura në mes, surpriza ishte se pjatat ishin plot… Madje edhe shoqëruese. Për shembull ulesh në mëngjes dhe porosit një croissant dhe café au lait?

    lokali

    Kamerieri të pyet nëse do dhe confiture (reçel). Nëse thua po, oui, bashkë me croissant-in dhe reçelin, të vjen dhe një fetë bukë me gjalpë dhe ai mëngjesi i lehtë që mendon, të kthehet në mëngjes të bollshëm.  Ose nëse porosit bashkë me mishin patatet e skuqura (nuk ka kuptim të jesh në Francë dhe të mos shohësh si janë French fries në shtëpinë e tyre), ato vijnë më vete, ndërsa mishi shoqërohet me disa salcra, me kombinim të ëmbël e të kripur dhe me erëza, me shumë erëza… Apo nëse një mbrëmje vendos të mos hash darkë dhe të pish një gotë verë apo cocktail dhe mendon të porositësh diçka për ta shoqëruar, ajo diçkaja nuk është vetëm tasi i vogël me fruta të thata, por është pjata me djathëra, brusketat me salcëra, me foie gras sipër dhe sërish disa lloje bukësh të vogla dhe prapë gjalpë. Një gjalpë shijen e të cilit s’e ke provuar askund, me kokrriza kripe sipër…

    Në tre ditë qëndrim në Paris arrij të provoj kështu disa lloje ushqimesh. Përfshirë dhe një brunch ditën e fundit, një përvojë disa orësh ushqimi me gatime nga të katër cepat e botës (normal dhe bukë me gjalpë për ta shoqëruar).

    Por sigurisht që darka më e shënuar ishte ajo tek “Coste”. Ditëlindja e mikeshës sonë ia vlente të festohej jo vetëm me ushqim të mirë, por edhe në një vend elegant. Restoranti i hotelit me këtë emër është padyshim i tillë, parfumi i ambientit është thjesht i pazakontë (për fat të keq vetëm në kthim zbuluam në internet se parfumi me emrin “Coste” ishte në shitje në hotel për ata që do donin ta merrnin me vete atë aromë) ndërsa të qeshurat dhe harmonia e darkuesve rreth e rrotull është po aq e këndshme sa pjatat.

     

    Tek “Coste” duhet të shkosh me rezervim, se ndryshe nuk ke mundësi që të gjesh një tavolinë. Për këtë ka menduar Jamila mikesha dhe mikpritësja jonë franceze. Ajo na rekomandon të porosisim gjëra të ndryshme, kështu kemi mundësi të provojmë shumicën e pjatave kryesore: mishin e viçit dhe fileton e pulës, të shoqëruara me salcat tipike, por edhe rosën. Përpara tyre shparguj me salcra dhe sipas sugjerimit, shumë foie gras, dhe shumë feta buke (gjalpi me kripën e kotë ta përsëris, tashmë e dini që nuk mungonte)… Kamerierja kujdeset që koshi me bukë të zëvendësojë direkt atë që është zbrazur dhe teksa e sheh të veshur me një uniformë të habitshme, fustan i ngushtë i zi dhe gjithë kurrizi kockë e lëkurë jashtë, vret mendjen se si ia bëjnë këto francezkat që me gjithë këtë bukë me gjalpë nuk vënë një fije dhjam.

    Përgjigjen e ka Jamila në majë të gjuhës: ato nuk hanë fare. Pastaj na imiton se si francezet e vërteta (ajo vetë është me origjinë nga Maroku), teksa flasin gjithë poza në tryezë ngulin një ushqim në majën e pirunit, e afrojnë deri tek goja, pastaj kujtohen të thonë diçka tjetër dhe si pa mendje e ulin ushqimin me gjithë pirun poshtë dhe këtë e përsërisin gjatë gjithë darkës, duke e përzierë ushqimin me pirun hera herës derisa në fund e shtyjnë pjatën gjithë delikatesë dhe thonë me edukatë “c’était bon”. (Është e mirë). Dhe pastaj vdesin urie.

    Por ne dhe Jamila në këtë pikë nuk jemi fare francezka, ndaj në fund fare ëmbëlsira, më saktë përzierja e ëmbëlsirave servirur më bukur se çdo tortë ditëlindjeje, cheesecake, soufle çokollate dhe luleshtrydhet më të mira në botë… Do ishte pa frikë ëmbëlsira më e mirë në botë, nëse të nesërmen njëra nga ne teksa porosiste macaroons-a për t’i sjellë si dhuratë në Tiranë nuk do tundohej tek Ladurée nga një tartë me luleshtrydhe …

    Një brumë me gjalpë, aq i shkrifët dhe i pakrahasueshëm me çdo shije brumi që kam provuar ndonjëherë, me krem ku dallohej pistachio (stika) por dhe një reçel i paidentifikuar dhe sipër luleshtrydhet…

    Me shpresën se mikja jonë ndërkaq po bën hulumtimet e duhura për të gjetur recetën, që pastaj të mund ta gatuajë, ndalesa e fundit bëhet në frigoriferët e aeroportit për të mbushur një qese me djathëra, që megjithëse e mbyllur hermetikisht pasagjerëve rrotull u jepte ndjesinë e një ere aspak të mirë dhe bezdisëse. Bashkë me pyetjen: si ka mundësi që ai gjalpi me kripë nuk shitej në aeroport dhe nuk e morëm dot me vete?!

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690