• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 19 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Të gjitha

    Nga kitara në romanet triller, Jo Nesbø: Krimet e mia janë rock


    “Unë rrëfej qytetin tim, jo edhe aq për të treguar në veçanti Oslon, por për të krijuar histori që bazohen në dilemat morale dhe në natyrën e vullnetit të lirë, nëse e kemi. Në këtë kuptim, saga e Harry Hole mund të ambientohet kudo. Por ka diçka në përdorimin e vendeve dhe të personazheve realë, pa të cilët rrëfimi do të privohej nga autenticiteti.”

    Nga romanet triller të Jo Nesbø-s janë frymëzuar këngët e albumit “Norwegian Landscapes”. E ky është një rast i mirë për t’u njohur me të shkuarën si këngëtar dhe kitarist të një prej shkrimtarëve më të njohur bashkëkohorë, një mjeshtë i letërsisë triller. Në shqip, është botuar romani “Gushëkuqi”, nga shtëpia botuese “Dudaj”, një prej librave të sagës së Harry Hole. Romani nis nga Lufta e Dytë Botërore, ku një grup ushtarësh të rinj norvegjezë luftuan në krah të ushtrisë gjermane në dyert e Leningradit. Janë “burrat e frontit”. Beteja i bashkoi si një grusht i vetëm, por në fund të luftës, një vrasje e çuditshme dhe një dezertim e përçanë dhe e shthurën grupin. Shumë vite më vonë, në malet rreth Oslos gjenden gëzhojat e një Märklin-i, një pushkë gjermane që, falë precizionit të lartë, është instrumenti ideal për një vrasës profesionist. Harry Hole e nuhati që pas asaj gjetjeje fshihej diçka më e madhe. Dhe në gjurmët e asaj arme të pazakontë ngjizet një llum tradhtish e hakmarrjesh prej nga zor se mund të dilet.

    Le t’ia fillojmë nga muzika. Nëse ktheheni pas në kohë, kur ishit fëmijë, çfarë lidhjeje shihni mes letërsisë dhe eksperiencës si muzikant?
    Muzika ka qenë shumë e rëndësishme për mua. Kam nisur si dashamirës i muzikës, nën tutelën e vëllait tim që është pesë vite më i madh e që më jepte të dëgjoja disqet e tij. Si ai, ashtu edhe gjithë miqtë, e mi bënin pjesë në grupe muzike, por unë kisha interesa të tjerë dhe nisa ta mësoj kitarën vetëm kur isha 20 vjeç. Në atë kohë kisha nisur rrugën e shkrimtarit dhe kitara ishte më shumë një mënyrë për të shkruar këngë pop dhe rock, se sa një mjet për t’u shprehur si muzikant. Gjithsesi, grupi ynë “Di Derre” luante nëpër lokale dhe bënim ture te vogla, ku pas disa vitesh na u ofrua një kontratë diskografike. Me diskun e dytë arritëm një farë suksesi, e mund të them se merreshim me muzikë me kohë të plotë. Kjo eksperiencë u mbyll rreth vitit 1998, kur unë po afiromohesha si shkrimtar. Botimi i parë i “Lakuriqi i natës” u bë në vitin 1997. Kemi bërë ndonjë tur për kënaqësi dhe ende luajmë muzikë.

    Kështu që edhe krijimi i Harry Hole, personazhit të famshëm të librave të tu, është i lidhur me kënaqësinë e kompozimit të këngëve?
    Për të mendova për herë të parë gjatë një fluturimi për në Australi në vitin 1997. Që natën e parë që mbërrita në Sidney u ula të shkruaj me makinën time të shkrimit në një dhomë të hotelit. Kisha ide të ndryshme për personazhin, por në të vërtetë ai u formua si me magji nga një dialog që po shkruaja. Është pak a shumë i njëjti proces që ndjek edhe për shkrimin e këngëve: filloj të luaj (ose të shkruaj) dhe gjendem në një çast emotiv dhe krijues. Në atë moment, nëse kuptoj se ia vlen barra qiranë, vazhdoj për të parë se deri ku mund të arrij. Ndonjëherë përfundoj në rrugë qorre, herë të tjera kam përpara peizazhe të bukura.

    Muzika e “Norwegian Landscapes”, më shumë se sa përshkruan, ka ambicien që të bëjë të dëgjueshme një fluks zanor të brendshëm të personazheve. Pak a shumë siç ndodh në romanet tuaja për këngët e shkruara me të pjerrët. Mendoni pak për romanin “Fantazma”. Çfarë ndjetë kur e dëgjuat si këngë?
    Është goxha emocionuese të shohësh se si historitë e mia, me të gjithë atmosferën e tyre, janë rimarrë nga një artist tjetër. Me “Norwegian Landscapes” më është dashur t’ia nis nga fillimi, duke fshirë gjithçka nga Harry Hole.

    Në romanet tuaja, ku ngjarjet ambientohen në Oslo, ka një lloj ashpërsie, si në një pasqyrë që ndryshe nga pritshmëritë për një shoqëri të pasur dhe funksionale, është e deformuar. Çfarë ka të vërtetë përtej trillimit tuaj?
    Një shoqëri ka nivele të ndryshme realiteti dhe vërtetësie, të kryqëzuara në mënyrë të tillë sa çdo përshkrim do të ishte një thjeshtëzim. Kjo vlen edhe për Oslon. Unë rrëfej qytetin tim, jo edhe aq për të treguar në veçanti Oslon, por për të krijuar histori që bazohen në dilemat morale dhe në natyrën e vullnetit të lirë, nëse e kemi. Në këtë kuptim, saga e Harry Hole mund të ambientohet kudo. Por ka diçka në përdorimin e vendeve dhe të personazheve realë, pa të cilët rrëfimi do të privohej nga autenticiteti.

    Një nga këngët e diskut titullohet “Marshimi i pushtetit të shkatërruar”. I frymëzuar nga një tregim i juaji, të bën të mendosh mbi politikat e Europës dhe turpin e vendeve si Italia mbi politikat e emigrimit. Ç’mendim keni për atë që po ndodh?
    Është diçka komplekse. Nga njëra anë ndihemi të dërrmuar nga dilema e madhe si morale ashtu edhe praktike, nga ana tjetër si qytetarë jemi të detyruar të informohemi dhe të krijojmë në opinion. Për të dhënë një përgjigje të shkurtër, mendoj se solidariteti nuk duhet të ketë kufij, sepse përndryshe kombet tona do të kufizohen. Jam i shqetësuar nga tendenca për të menduar mbi të gjitha për zhvillimin e një vendi të vetëm përtej asaj ç’ka ndodh rreth e rrotull, aq më tepër nëse ai vend bën pjesë në perëndimin e zhvilluar./Jo Nesbø ka shitur 27 milionë kopje të librave në mbarë botën. Ndër këto përmendim librat “Lakuriqi i natës”, “Furrtaret”, “Nemesi”, “Ylli i djallit”, “Leopardi”, “Fantazma”, “Policia” – të gjithë pjesë e serisë me protagonist detektivin Herry Hole dhe thrillerat “Gjuetari i kokave”, “Gjak dhe dëborë”. Kjo intervistë është zhvilluar në shkurt të vitit 2019 dhe u përkthye nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al