Aktualitet

Nga ish-polici te deputeti socialist: Cilët janë prefektët e rinj

Së bashku me ndryshimin e pesë zëvendës ministrave, sot në mbledhjen e qeverisë u ndryshuan edhe shtatë prefektë.

Ndër emrat që bien në sy është ai i Admir Abriajt, i cili aktualisht mban postin e administratorit të zonës së Farkës në Bashkinë e Tiranës. Më herët ai ka mbajtur disa detyra në Gardën e Republikës dhe Policinë e Shtetit. Në vitin 1999 filloi punë në Gardë si oficer sigurie, ndërsa në vitet 2002-2005 ka punuar si zëdhënës i këtij institucioni. Në vitet 2005-2009 ka qenë shef i koordinimit në Gramsh ndërsa në vitin 2012 u emërua Drejtor i Kufirit në Gjirokastër. Pas ardhjes së Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, Abrija u emërua administrator i Farkës. Tashmë ai do të jetë prefekti i ri i Tiranës, duke zëvendësuar Sadi Vorpsin.

[caption id="attachment_64569" align="alignleft" width="199"]Admir-Abrija-300x200 Admir Abrija, prefekti i ri i Tiranës.[/caption]

Prefekt i Dibrës është emëruar Ardit Kaja. Ai ka qenë deputet i Partisë Socialiste në legjislaturën e pestë, në vitet 2001-2005. Gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës nga Edi Rama, Kaja ka qenë drejtor i Policisë Ndërtimore. Në prill të vitit 2011 ndaj tij u krye një atentat në Bulevardin Dëshmorët e Kombit duke e plagosur në këmbë me një plumb.

Ardit Demiri, i cili sot është emëruar Prefekt i qarkut të Elbasanit është prej kohësh anëtar i Partisë Socialiste. Në vitin 2016 u propozua në konsensus dhe me unanimitet të plotë për të qenë kryetar i Partisë Socialiste të Elbasanit.

Pandi Papando, prefekti i ri i Korçës ka qenë më parë Drejtor i Spitalit të Korçës, ndërsa pasionin për letërsinë e ka materializuar në shkrimin e disa librave artistikë. Gjatë kohës kur drejtoi spitalin e Korçës, u bënë disa investime në sallat e reanimacionit dhe sistemin e telemedicinës./E.U, Tiranapost.al.

Emërimet e reja:

Admir Abrija Prefekt i Tiranës

Pandi Papando Prefekt i Korcës

Vasil Bregu Prefekt i Fierit

Ardit Demiri Prefekt i Elbasanit

Emiljan Jani Prefekt i Durrësit

Ardit Kaja Prefekt i Dibrës

Valbona Zylyftari Prefekt i Beratit