• Shqip
  • English
  • E martë, 15 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Diaspora Kudo Shqiptarë Të gjitha TIP top

    Nga Alketa s’keni dëgjuar asgjë akoma


    Nga Klaudeta Skënderasi/Për Alketën Selimajn ne në Shqipëri filluam të lexojmë pak kohë më parë, kur na erdhi lajmi se një vajzë e re po kandidonte për zgjedhjet lokale që u zhvilluan në Belgjikë vjet në tetor. Titujt e lajmeve që qarkulluan atë periudhë ishin pak a shumë të së njëjtës ide: “Një shqiptare në politikën belge”. Sepse nuk është e zakonshme. Sepse është lajmi më i mirë që mund të na vijë, sidomos nga Brukseli, ku kemi sytë sot e gjithë ditën. Alketa i fitoi zgjedhjet dhe u emërua këshilltare sociale në Komunën e Kokelbergut. Por prisni dhe mos mendoni se ky ishte kulmi i saj dhe se ç’mund të kërkojë më shumë se kaq një vajzë që vjen nga Shqipëria.

    Gjatë një interviste për Vizion Plus

    Po, Alketa është vërtet një ndër shumë të ikur. Që 12 vjeç është larguar nga Vlora, qyteti ku lindi dhe u rrit, për në Belgjikë për të filluar një “jetë të re”, siç e përmbledhim ne me dy fjalë largimin zakonisht. Por që në përgjithësi del se ajo “jeta e re” nuk është dhe aq kinematografike sa duket. Domosdo nuk ishte as për 12-vjeçaren që e mendonte “jashtetin” si nëpër filma e telenovela e pa se në fakt nuk ishte dhe aq rozë sa fëmijëria e lumtur që pat lënë.

    Alketa me dy prindërit

    “Vitet e para qaja çdo natë. Isha mësuar me familje të madhe dhe befas u gjendëm vetëm unë, vëllai dhe dy prindërit në një ambient të ri, ku flitej gjuhë që nuk e njihnim. Pasi vajtova me lot çdo dasmë e festë që u bë në fis përgjatë gjithë viteve që ne ishim pa dokumente dhe unë nuk mund të shkoja në Shqipëri, prita me durim 5 vjet derisa më në fund do kthehesha sërish, por veç për pushime, sepse ndërkohë e fjeta mendjen që jeta ime këtej e tutje do ishte kjo, në Bruksel dhe jo më në Vlorë. Prioriteti im duhej të ishte shkolla dhe veç shkolla. Kjo ishte e rëndësishme sidomos për babin, i cili i goditur nga sistemi komunist kishte vetëm një qëllim: të mos na rriste as me urrejtje për vendin e as me mëshirën e të tjerëve. Në fakt na rriti me Shqipërinë në mendje. Por ne e dinim mirë se ç’do të thoshte për të shkollimi dhe studimet e larta”. Dhe pikërisht sepse e dinte, Alekta nuk mori mundimin të devijonte. Nuk duhej por dhe as që donte. Mbaroi drejtësi, zhvilloi temën e diplomës në Shqipëri (besojmë nuk ka më nevojë ta themi se kjo vajzë çdo gjë e lidh më Shqipërinë) e më pas master për Studime Europiane dhe tamam këtu fillon edhe rruga e saj në politikën belge.

    “Para se të filloja masterin më propozuan që të bëja praktikën me presidenten e parlamentit frankofon në Bruksel, Julie De Groote. Pas tre muajve part time ajo më propozoi që të punoja për të me kohë të plotë. Është mentorja ime. Kurse tani punoj me një tjetër grua, Joëlle Milquet, e cila tani është deputete dhe këshilltare speciale e Jean Claude Juncker, por ka qenë ministre e Brendshme, e Arsimit, e Punës dhe e Kulturës, gjithashtu edhe ish-presidentja e Partisë CDH, ku unë jam e angazhuar prej vitesh”.

    Angazhimi si sekretare ndërkombëtare

    Aktive në politikë dhe e zgjedhur si sekretare ndërkombëtare e të rinjve për të prezantuar Belgjikën në aktivitete evropiane, e vendosur gjithashtu edhe në themel të krijimit të disa shoqatave për gratë shqiptare në diasporë, Alketa filloi të njihte politikën deri në fije të holla dhe të interesohej edhe për ambientin politik shqiptar, fillimisht në Brukesl, në ambasadë e në aktivitete për promovimin e grave shqiptare në Belgjikë.

    Gjatë aktiviteteve të shoqatave shqiptare në Bruksel

    “Pra, në vend që të largohesha, krahas angazhimeve të mia politike në Bruksel, fillova të afrohesha edhe më shumë me Shqipërinë. Ndihmova në hapjen e shoqatës së parë të grave shqiptare në Bruksel. Pse e grave? Sepse në emigracion roli i një gruaje është shumë i rëndësishëm. Ajo ka në dorë të përçojë ose jo kulturën, gjuhën dhe çdo gjë tjetër shqiptare tek brezat e ardhshëm”.

    Gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale
    Posteri i fushatë për zgjedhjet e Parlamentit Federal

    Shkallë pas shkalle kandidimi në rang lokal vitin e shkuar erdhi fare i natyrshëm. Fitorja gjithashtu. Por pa kaluar veç pak muaj posterat e Alketës filluan të shfaqen përsëri në qytet. Kësaj here e pesta në listë për zgjedhjet e Parlamentit Federal të Belgjikës, që priten të zhvillohen në maj. Pra, nëse gjërat shkojnë mirë, Alketa do jetë deputete e pas kësaj nuk dihet se çfarë tjetër. Është ende shumë e re dhe energjinë e grintën mund ta t’ia dallosh në sy që sa e takon për herë të parë. Siç i dallon kripën që i jep temperamenti vlonjat, që veçse e bën më shumë simpatike, sepse ka një marrëdhënie kaq të fortë me rrënjët e saj, sa as theksin nuk e ka ndryshuar. Dhe nuk bëhet aspak fjalë për ndonjë dashuri platonike të tipit Shqipëria atje, unë këtu, le të duhemi në distancë”. Nuk ka vit që nuk kthehet në Shqipëri të patën dy herë dhe ka edhe një plan tjetër, që sa herë e thotë shumë e shohin e habi: “Sa herë që e shpreh këtë ide, njerëzit më thonë të heq dorë. Por unë kam vërtet dëshirë që gjithë këtë eksperiencë që kam fituar ta vendos në funksion të zhvillimit politik të Shqipërisë. Nuk po flas për të qenë një prej politikanëve shqiptarë, sepse politika shqiptare më duket pak agresive dhe mua më intereson zhvillimi i Shqipërisë dhe jo karriera si politikane në Shqipëri. Ju tingëllon idealiste? Po, e tillë jam. Ndaj e mendoj më shumë se shpesh një rikthim, qoftë edhe të përkohshëm, qoftë edhe sa të jem e bindur që kjo dëshirë nuk do më kthehet në peng”. Por para se kjo të ndodhë, Alketa ka përpara zgjedhjet për deputete në parlamentin e Brukselit, nga rezultati i të cilave do kemi një shqiptare më shumë për t’ia përmendur emrin gjithë krenari. Dhe mbajeni mend mirë emrin e Alektës, nëse ende nuk e keni fiksuar, sepse për të do dëgjoni gjithmonë e më shpesh!/Tiranapost.al

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690