Aktualitet

Nesër mbyllet për 24 orë kufiri Shqipëri – Greqi. Ky është shkaku

Kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë do të mbyllet ditën e nesërme. Të paktën për 24 orë. Është Federata e Doganave të Greqisë, e cila në një njoftim të saj sqaron se shkak për mbylljen e kufirit për 1 ditë është greva e doganierëve grekë, të cilët kërkojnë përmirësime të kushteve të punës nga ana e qeverisë së tyre.

Sipas autoriteteve greke, greva 24 orëshe do të zgjasë deri të premten e 20 Tetorit. Prej kohësh doganierët grekë kërkojnë rritje të pagave dhe shpërblime të punonjësve, mbrojtje ligjore dhe përmirësim të kushteve në vendin e punës.

Greva 24-orëshe e doganierëve grekë do të bllokojë kalimin e automjeteve në pikat kufitare me Greqinë, ndërsa kalimi lejohet vetëm për këmbësorët.

Edhe autoritetet shqiptare kanë konfirmuar lajmin duke kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve.

"Njoftohemi nga Policia Greke se për shkak të një greve që do të zhvillohet nga Dogana Greke, duke filluar nga ora 23:00 e datës 18.10.2017 deri në orën 23:00 të datës 19.10.2017 nuk do lejohet qarkullimi i automjeteve drejt shtetit Grek dhe anasjelltas. Do të lejohet vetëm lëvizja e këmbësorëve.

Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e drejtuesëve të automjeteve që kanë planifikuar të qarkullojnë me automjetet e tyre në drejtim të Greqisë të anullojnë lëvizjet dhe të mos grumbullohen në Pikën e Kalimit Kufitar duke sjellë konfuzion.

Ju falenderojmë për mirëkuptimin!" thuhet në njoftimin e Policisë E.C/ Copyright TiranaPost.al