Politikë

Nesër konstituohet Këshilli Bashkiak i Shkodrës, por në vend të mandatit të Valdrin Pjetrit, do miratohet dorëheqja e tij

Nesër konstituohet Këshilli Bashkiak i Shkodrës, por në vend

Paraditen e së hënës me kërkesë të prefektit të Shkodrës do të zhvillohet mbledhja e konstituimit të këshillit bashkiak të bashkisë së këtij qyteti, dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit.

Por kjo mbledhje do të shënojë dhe precendentin e parë kur këshilli bashkiak nuk do të votojë për shpalljen e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të ri të bashkisë, por për miratimin e dorëheqjes së tij.

Pas akuzave të demokratëve se ka fshehur dënimin për trafikim të lëndëve narkotike kur jetonte në Itali, Valdrin Pjetri, kryebashkiaku socialist i dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit , u dorëhoq.

Sakaq, sipas mediave informative, Këshilli bashkiak i Shkodrës pritet që të zgjedhë në mbledhjen e të henës si kryetar të përkohshëm një nënkryetar bashkie, por ende nuk bëhet e qartë nëse do të jetë një nga nënkryetarët aktualë demokratë, apo një i ri i zgjedhur nga socialistët.

Nga ana tjetër, dega e PD në Shkodër ka njoftuar mbajtjen e një proteste të hënën para rektoratit, për të mos lejuar atë që e quajnë kapje të qytetit, pasi e konsiderojnë të paligjshme mbledhjen konstituuese të Këshillit Bashkiak. /Tiranapost.al/