• Shqip
  • English
  • E premte, 23 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Bëje me arkitekt Të gjitha

    Nëse po bëni një shtëpi të re, këto janë pllakat në modë


    Ingrid Martini, Arkitekte/ Është shumë kurioz fakti, se si rrotullohet trendet në fushën e design.

    E keni vënë re si krejt papritur, sandalet dhe këpucët e mamave tona, fustanet, pardesytë, apo modelet e flokëve, që ne shohim nëpër fotot bardhë e zi, janë papritur, mainstram dhe shumë të kërkuara. Janë trendi i momentit për marka shumë të mëdha të design dhe të modës. E njëjta gjë ndodh edhe në fushën interior design-it. Krejt papritur shoh, si në ato fotot e mamit dhe të gjyshes, bardhë e zi, krejt vintage, një material që më kujton fëmijërinë, më kujton dyshemetë e bukura të vilave të vogla italiane që rrethonin pallatin tim modest komunist. Më kujton dyshemetë e bukura të ndërtesës ku unë kam bërë gjimnazin, shkallët e bukura , elegante, të punuara gjithë kujdes, e plot me detaje që pallati im, megjithëse ishte ndërtuar 50 vite më mbas, nuk i kishte njëlloj të bukura, e të kuruara si ato që kishin bërë italianët.

    Bëhet fjalë pikërisht për TERRAZZO-on.

    Me shumë gjasa, ju e mbani mend nga dyshemetë e shkollave, apo ndërtesave publike, kinematë, pallatet e sportit, të ndërtuara diku rreth viteve ’70. Janë dysheme ekstremisht të forta, ku duken njolla të rrashinuara të gurëve, në përmasa e ngjyra të ndryshme, të zhytura në një material të derdhur.

    Ka shumë mundësi ta keni parë si fotoja më poshtë.

    Terrazzo është një material i përbërë, i derdhur në vend ose i parapërgatitur, i cili përdoret për trajtimin e dyshemeve dhe mureve. Përbëhet nga copëza të vogla prej mermeri, kuarci, graniti, xhami ose materiale të tjera të përshtatshme, të derdhura me një lidhës çimentoje (për lidhjen kimike), polimerik (për lidhjen fizike) ose një kombinim i të dyjave. Shiritat metalikë ndajnë seksionet ose ndryshimet në ngjyrë ose material në një model nga një tjetër. Copëzat e vogla shtesë mund të spërkohen në majë të përzierjes para se të vendosen. Pasi të jetë tharë, rrëshinohet dhe lucidohet për të prodhuar një sipërfaqe të njëtrajtshme e të lëmuar, jo poroze. Terrazzo në të vërtetë ka një histori shumë të gjatë – shembuj janë gjetur deri në 9,000 para Krishtit. Aktualisht shihet si një finiturë luksoze, por terrazzo moderne u krijua si një material miqësor për buxhetin, material i bërë vetë. Punëtorët e ndërtimit të Venedikut, duke kërkuar një mënyrë me kosto të ulët për të mbuluar tarracat që rrethonin shtëpitë e tyre, vendosnin copa të mprehta të mermerit në argjilë dhe më pas e sheshonin sipërfaqen me gurë derisa të ishte e drejtë. Emri që ata i dhanë- terrazzo – është gjithashtu fjala italiane për “tarracë”.

    Sot, terrazzo bëhet me copëza të vogla ose të mëdha mermeri, kuarci, graniti, apo edhe xhami të vendosur në një shtrat prej betoni ose rrëshirë epoksi. Copëzat e vogla ne te vërtete mund te jene mjaft të mëdha dhe “shtrati” dhe agregati mund të jenë pothuajse çdo ngjyrë që mund të imagjinoni, gjë që bën për një mori mundësish të projektimit.

    Duke qenë se është një material i derdhur, është shumë i bukur pasi eviton fugat, në sipërfaqe të mëdha, në dysheme. Por e bukura e këtij materiali është se gjen përdorim shumë të gjerë sesa thjeshtë në dysheme. Për shembull, i përdorur si banak në ambientin e gatimit, do ta bënte kuzhinën, të kishtë një prekje unike, totalisht të personalizuar, shumë jetëgjatë, me kosto shumë të përballueshme.

    Kjo është absolutisht e preferuara ime, në shije e në stil. Terrazzo e vendosur në mur dhe e kombinuar me një mobilje të lyer të zezë, i jep shije luksoze e të rafinuar.

    Me të mund të vishen jo vetëm dysheme e mure tualetesh.

    Banakë apo recepsione.

    Veshje shkallësh

    Por edhe mobilje dhe aksesorë

    E për ta mbyllur, një shembull me një atmosferë shumë artistike, shumë creative, e absolutisht për t’u parë kur të shkoni në Milano, është dyqani I parë monomarkë “Taschen”.

    Një fundjavë të paqtë e të buzëqeshur!