• Shqip
  • English
  • E enjte, 22 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Librat e Arlindës Të gjitha

    Nëse je emigrant, këtë libër do e kuptosh mirë


    Kufiri-Një libër dëshmi për emigracionin

    Arlinda Dudaj/  Alessandro Leogranden e kam njohur si shkrimtar në fillimvitin e 2012-ës, kur sapo ishte botuar në italisht libri “Mbytja e anijes”, që është historia e mbytjes së Katërit të Radës në vitin e errët 1997. Kur e mora në dorë atë libër aq të rëndësishëm për ne shqiptarët, mendimi i parë që më erdhi në mendje qe: ky shkrimtar-gazetar ka bërë atë që asnjë gazetar shqiptar nuk e ka marrë mundimin ta bëjë. Të dokumentojë atë pjesë të errët të historisë sonë, duke marrë përsipër të bëjë edhe një apologji në emër të Italisë e italianëve për humbjen e thuajse 100 jetëve të pafajshme, që po largoheshin nga tmerri i kaosit të 1997-s. Ishte një libër që më bëri të kuptoj thellë atë histori të dhimbshme dhe të lexoja fjalët e një njeriu që e njihte Shqipërinë nga thelbi e e donte pa kufij.

    Pasi botova “Mbytja e anijes” dhe një libërth të titulluar “Adriatiku” ku ai fliste për Mesdheun të parë nga katër vende Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Shqipëria, edhe ky një libër shumëdimensional, zgjodha të botoj edhe atë të fundit të shkruar nga ai, i titulluar Kufiri. Ky ishte një libër që e rriti në nivel global Leogranden si një ekspert i emigrimit, rrugës së vështirë e tejet shpesh me humbje jetësh në kërkim të një jete më të mirë. Pra ky libër edhe pse nuk flet më për Shqipërinë, ajo e ka kaluar pragun e këtij mjerimi, gjithsesi është një libër që na përket, ne kemi kaluar dikur në po atë rrugë, jemi përplasur në po ato brigje. Kishim menduar që në mars të këtij viti ta promovonim në Tiranë, po ndarja tragjike e Alessandro Leogrande-s nga jeta nuk do ta bëjë të mundur praninë e tij. Gjithsesi ky libër, si një testament i çmueshëm erdhi në shqip dhe ne do t’i bëjmë prezantimin dhe leximin e duhur për të mos e lënë të bjerret.

    Shqipëria dhe Kufiri, duket një binom shumë i bukur dhe po aq i dhimbshëm. Në të shkuarën historike luftonim për të vendosur kufijtë, e pastaj përtejdetin e shihnim si tokën e premtuar, si shpresën e vetme të një jete më të mirë, plot ngjyra në grinë e errët që kishte pllakosur Shqipërinë nën diktaturë. E po nën heshtje vlonte një dëshirë e admirim për një vend që nuk e kishim prekur, po e kishim parë nëpërmjet antenave televizive, të vetmet që në mënyrë klandestine mund t’i çanin kufijtë e pakalueshëm. Ndaj duket si një binom që do të na ndjekë derisa brezat të ndërrohen një herë e mirë.

    Unë besoj se libri “Mbytja e anijes” ka qenë shtytja e parë ose le të themi vjen si vazhdimësi e punës që Alessandro Leogrande ka bërë në vëzhgimin e lëvizjeve migruese. Natyrisht me këtë libër ai e shtjelloi çështjen më globalisht, u mor edhe me vendet arabe si Kameruni, Sudani, Eritrea, Libia… problemet politike te atyshme, arsyet e ndryshme që i shtynin njerëzit të merrnin rrugët e mërgimit pa asnjë garanci për jetën, po thjesht duke ikur nga sytë-këmbët, e ndërkaq edhe duke marrë personazhe të ndryshme, duke i pyetur e analizuar veçmas. E ti ndjen aty humanizmin e një njeriu që kërkon të shkruajë sepse do të ndihmojë, sepse ndjen dhembshuri njerëzore e mendon që duke ngritur zërin mund të japë një dorë për të zgjuar ndërgjegjen njerëzore dhe luftuar racizmin, që për të rezulton të jetë një histori e shëmtuar.

    E pra këtu e shoh pasqyrimin edhe me historinë tonë e po ashtu i ka trajtuar personazhet e “Kufiri”-t me të njëjtën dashuri e dhembshuri siç ka trajtuar ata te “Mbytja e anijes”. Ndaj mendoj se ky libër është një lexim i mirë e i detyruar për të kuptuar se ku ishim, çfarë kaluam e ku po shkojmë.  Copyright/ tiranapost.al