• Shqip
  • English
  • E martë, 12 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i Dianes Kryesore Opinion Të gjitha

    Nëse është ende gjallë profesori italian që dinte çdo gjë për Lady Dianën …


    Dhe kështu njerëzit harrohen…Rrafshohen. Gëzohen që diku atje lart, as të pasurit e as të fuqishmit, as të bukurit e as mbretërorët nuk janë të qetë…

    Nga Diana Çuli/ Shumë vite më parë kam njohur  një njeri, një profesor italian – të lëndës së sociologjisë më duket – i cili ishte i fiksuar pas jetës personale të Ledi Dianës, princ Çarlit dhe të dashurës së tij Kamila Parkerit. Ai dinte gjithçka, hollësitë më të imta, grindjet ditore, pusullat që i dërgonin njeri tjetrit apo partnerëve përkatës, tradhtitë, mëritë, pajtimet e përkohshme, buzëqeshjet (sa herë në ditë), sa mendoj  se nuk ia kalonte dot as gazetari më investigativ i kronikave rozë e i kronikave mbretërore britanike. Ky personazh i çuditshëm vinte në Shqipëri për kurse treinimi mbi vullnetarizmin e gjëra të tjera të ngjashme të çështjeve sociale dhe unë e kam njohur në këtë kontekst, por më kujtohet se habitesha shumë, kur, në kohën e lirë, ai fillonte dhe na tregonte imtësitë më të padëgjuara për Ledi Dianën, për njerëzit e saj të afërt dhe për jetën e saj të zhurmshme, që, në një mënyrë a në një tjetër e çoi drejt tragjedisë. Pata përshtypjen, atëherë, nga pasioni dhe ethja me të cilën i rrëfente këto hollësi, se jeta e tij nuk kishte më kuptim pa to, se ai jetonte për ato. I merrte fytyra zjarr kur Ledi Diana dashurohej me Al Fayedin, me truprojën apo me drejtuesin e kuajve, qeshte e lumturohej kur tregonte se si kishte zbuluar letrat intime midis Kamilës dhe Çarlsit, zymtohej kur mbretëresha ndërhynte, vuante e hante veten me dhëmbë kur një dashuri e Ledit D zbulohej nga dikush tjetër përpara se ta zbulonte ai.  Ky italian jetonte në Ankona dhe e dala e tij jashtë shtetit ishte vetëm Shqipëria për kurset që jepte.

    Këto ditë që mediat e botës, po kryesisht ato britanike u mbushën me lajmet për dokumentarin “Diana: me fjalët e saj”, i transmetuar nga kanali televiziv britanik Channel 4 në 6 gushtin e kaluar, m’u kujtua ai profesori i fiksuar. Nuk e di a jeton më ky njeri, a jep më mësim a e ndjek si gjithnjë, natë e ditë pas-jetën e Dianës, si hobi apo si qëllim të vetëm të ekzistencës së tij.

    Pastaj e shkëputa kujtesën nga e shkuara dhe, e ndikuar, ndoshta, nga ajo kujtesë, po edhe nga mendime të sotme, i hodha një sy polemikave që shkaktoi transmetimi i dokumentarit mbi Ledi Dianën, i cili ishte refuzuar në 2004-ën nga BBC-ja dhe në 2007-ën nga vetë Channel 4-a. Siç pritej, dokumentari pati një boom shikimesh nga teleshikuesit britanikë, nga 3.5-4 milion vetë. U transmetuan videot e viteve 1992-1993 të bisedave të Dianës me profesorin amerikan Peter Settelen, aktor dhe trainer që e mësonte si të fliste në publik. Nuk mund ta dinte Ledi Diana, se  subjektet e saj do të dëgjonin njëzet vjet më vonë, prej vetë gojës së saj, shumë hollësi mbi martesën e saj me princin Çarls, mbi marrëdhënien e tij me Kamilën, për mbretëreshën-vjehrrë, të ftohtë e të largët, për problemet e veta të bulimisë, për një dashuri të shkurtër me truprojën e vdekur më pas në një aksident motori. Një zëdhënës i Channel 4 njoftoi se dokumentari kishte rëndësi historike (këtë rëndësinë historike me siguri e kupton vetëm ky zëdhënësi) dhe për këtë arsye duhet t’i bëhej i njohur publikut. Në këtë dokumentar Diana flet lirisht për pesë orë: një lloj seance psikanalitike e që ajo asokohe nuk mund ta përfytyronte se do t’i bëhej publike një ditë. Për Çarlsin, thotë një episod që, kur ajo i foli një ditë për praninë e bezdisshme të Kamilës midis tyre, Princi i Galles i u përgjigj: ‘Nuk mund të jem i vetmi princ i Galles që nuk pati dashnore”.

    Kritikët u shprehën pro dhe kundra dokumentarit. Disa e quajtën “prekës”,  të tjerë nuk e pranuan asfare. Sipas Jan Moir të Daily Mail, Diana do ta “kishte pëlqyer filmimin”, ku del qartë spontaniteti dhe natyrshmëria e saj. Për Guardian mëkati i programit është se kërkon me çdo kusht të mallëngjejë me çdo çmim publikun. Times e quan “i dalë boje” dhe nga pesë yje i jep vetëm dy. Të tjerë e quajtën të ulët, të turpshëm, vëllai Çarls Spenser e quajti sulm kundër kujtimit të saj. Një prift doli e tha se disa ditë përpara se Ladi D të vritej në aksidentin rrugor në Pont de Alma në Paris, e kishte pyetur nëse mund të martohej me Dodi Al Fayedin, që ishte mysliman. Një ish shofer i saj tha, ah, më ka mbetur merak që nuk e ngava unë makinën atë ditë.

    Në gjithë këtë rrëmujë të ngazëllyer për thashetheme, për zbulime sekretesh të familjes mbretërore, kushdo  që ka një copë letre a një copë regjistrim me zërat e Dianës e të bashkudhëtarëve të saj aspak fatlumë, e shet sa qimet e kokës. Ndjekësve të etur të thashethemeve nuk u shkon nëpër mendje se çfarë mund të ndjejnë djemtë e saj, të paktën, askush nuk mendon se kushdo mund të jetë edhe shumë më i mëkatshëm se Diana dhe se Çarlsi, por kanë fatin që të mos i përndjekë njeri, se nuk janë as të famshëm as të pushtetshëm. Nga kjo ide m’u vërtit disa herë në mendje profesori i dikurshëm nga Ankona, që me siguri, nëse është gjallë e shëndoshë, do të ketë arritur kulmin e lumturisë që çështja e jetës së tij vazhdon të përmendet, por ndoshta dhe vuan që nuk i ka gjetur përpara ai ato video. Por, nuk besoj se do t’i shiste. Do t’i mbante për vete, si relikte të shenjta.

    Dhe kështu, njerëzit harrohen….lehtësohen nga problemet e tyre të përditshme…Rrafshohen. Gëzohen që diku atje lart, as të pasurit e as të fuqishmit, as të bukurit e as mbretërorët nuk janë të qetë./Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post