Aktualitet

Ekonomia që merret vetëm me shifrat është e rrezikshme

Václav Havel kohë më parë ka paralajmëruar për rrezikun e ekonomisë “numeriste” duke thënë se ekonomistët e dhënë vetëm pas llogaritjes janë të rrezikshëm.

Nëse është e vërtetë se jemi në epokën e post-politikës, e sigurt është se nuk jemi në post-ekonomi. Por cilët janë ekonomistët që vazhdimisht japin propozime dhe ne i dëgjojmë me plotë vëmendje?

Duhet të dallojmë numeristët nga humanistët. Të parët i përkasin fantazisë që një profan ka për ekonominë: një specie e mbi-logjikshme që administron llogaritë kombëtare. Vizion i gabuar. Ekonomia e vërtetë, siç e tregon edhe vetë fjala, ka si objekt kryesor jetën e përditshme,  qeverisjen dhe kujdesin ndaj qytetarëve. Matjet sasiore janë vetëm një instrument.

Václav Havel kohë më parë ka paralajmëruar për rrezikun e ekonomisë “numeriste” duke thënë se ekonomistët e dhënë vetëm pas llogaritjes janë të rrezikshëm. Nëse do t’u besonim atyre administrimin e orkestrave, do të eliminonin pauzat nga simfonitë e Beethovenit. “Pse t’i paguajmë muzikantët kur nuk punojmë?”, do të thoshin ata. Por mendja njerëzore është vazhdimisht në kërkim të harmonisë, e cila përfshin si ritmin e shpejtë ashtu edhe ndalesat e shkurtra dhe të plota.

Dilema mes numeristëve dhe humanistëve prek gjithë çështjet e mëdha ekonomike, duke nxjerrë në pah natyrën e tyre psikologjike. Taksat janë gjithnjë në qendër të çdo politike. Le të imagjinojmë një shtet A ku shpenzimet publike i korrespondojnë 40% të Prodhimit të Brendshëm Burto. Nëse A do të ishte një vend për së mbari, shteti do të vinte taksa në masën 40% të PBB. Qytetarët do t’i paguanin dhe bilanci publik do të qëndronte në baraspeshë.

Por le të imagjinojmë tani një vend B. Edhe këtu nevoja për shpenzime publike është sa 40% e PBB, por qytetarët fshehin gjysmat e të ardhurave të tyre. Çfarë mund të bëjë shteti? Nëse i takson 40%, do të falimentonte. Do të zgjedhë një taksim 80% dhe duke menduar se do të mbledhë gjysmën e këtyre taksave, do të mbante në rregull bilancet e tij.

Për numeristët të dy sistemet janë të njëjta. Si A ashtu edhe B arrijnë të barazojnë bilancin e tyre duke siguruar të ardhurat për shpenzimet publike. Por kjo nuk është në rregull për humanistët. Kostot numerike janë të njëjta, por jo ato psikologjike.

Në vendin B qytetari i shtresës së mesme do të mbajë një kontabilitet të dyfishtë për të ardhurat e tij, ato zyrtare dhe të fshehura, vazhdimisht do të jetë nën presion se mos zbulohet, do të fshehë të ardhurat e tij poshtë dyshekut duke rrezikuar që t’ia vjedhin, shpesh herë do të heqë dorë nga mënyrat moderne të pagesave si kartat e kreditit apo pagesat online. Por mbi të gjitha edhe pse do të mohojë se e vret ndërgjegjja, do të ketë një shqetësim të vazhdueshëm: diçka brenda tij i thotë se kjo që po bën nuk shkon. Kështu pra, nëse do të kursejë për taksat, do t’i duhet të përballojë një kosto psikologjike që nuk është e matshme numerikisht, por është shumë e lartë. Do të ketë një borxh të njëjtë me qytetarin A, por cilësia e jetesës është qartësisht shumë më e ulët.

Por edhe nga ana tjetër, nga ana e qeveritarëve do të ketë kosto. Duke u takuar me qytetarët, politikani do të sillet më ftohtë duke ditur se diçka ai fsheh. Do të humbasë besimin te njerëzit e tij, si edhe te puna që po bën. Nëse kalkulimet do të jenë të sakta, në fund të vitit llogaritë do të dalin në rregull, por stresi i përjetuar nga të dyja palët do të jetë shumë i madh. Pasiguria ka gjithmonë një kosto të lartë psikologjike, që në afatgjatë kthehet edhe në kosto ekonomike.

Prandaj, megjithëse thuhet se ekonomia është shkencë e numrave, ajo në të vërtetë një shkencë komplekse, që përfshin psikologjinë, kulturën, gjendjen sociale të një vendi, objektivat afatgjatë, strategjinë e zhvillimit dhe ideologjinë. Ndaj, nëse dëgjoni një ekonomist që ju flet vetëm mbi shifra, mos e besoni. Në rastin më të mirë, është i paditur. Në rastin më të keq, po përpiqet t’ju manipulojë./Tiranapost.al