• Shqip
  • English
  • E martë, 15 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Bon Voyage Kontribues Lifestyle Të gjitha

    Nëpër Capri e Amalfi, pushimet e mia në vendet nga ku ma bëjnë zili VIP-at


    Esencë editori/ Elisa është udhëtuesja e radhës që ndan përshtypjet e një përvoje që i ka mbetur në kujtesë për “Bon Voyage”. Këto vende me siguri ju kanë pushtuar Instagramin, por Elisa na tregon sesi është të jesh vërtetë atje, si dhe ndan disa kuriozitete që nuk i gjeni në “Google”.

    Kujtoja se kisha krijuar një ide për Italinë, por duket se isha komplet e gabuar, derisa shijova disa ditë në Costiera Amalfitana dhe jo vetëm. Ndryshe nga pushuesit e tjerë, unë kisha “ciceronin” me vete, bashkëshortin tim me origjinë napolitane.

    Kështu që për destinacionet apo edhe për këshillat që duket sa bazike aq janë edhe të rëndësishme, si çfarë duhet të veshim, apo ku të hamë, e kisha më të lehtë.

    Udhëtimi jonë nisi me vendlindjen e tij, Napolin dhe mund të them që vërtetë më kanë mbresa, jo sepse është origjina e bashkëshortit tim. Njerëzit dukeshin sikur ishin të gjithë të lumtur, të ndalonin dhe të thoshin rrugës sesa bukur dukeshe dhe normalisht ushqimi ishte fantastik.

    Veç faktit që mbahet për picat më të mira italiane dhe ëmbëlsirat ishin po aq fantastike, si “Vesuvio vullkani”.

    Ndërsa qëndrimi jonë ishte në Maiori, ku edhe kishim prenotuar pushimet, e kishim shumë të lehtë aksesin me disa nga vendet bregdetare më të bukura të Italisë së Jugut.

    Napoli

    Të nesërmen e pushimeve destinacioni jonë i radhës ishte Capri, ai vendi që na bën zili të gjithë VIP-at që ndjek në Instagram. Isha shumë e lumtur që do të vizitoja vendin e shumëpërfolur dhe natyrisht që nuk mbeta e zhgënjyer.

    Morëm një skaf nga Maiori deri në Capri, udhëtim i cili zgjati rreth 1 orë dhe nga kushtoi 75 euro personi. Për mendimin tim Capri kishte detin më të kaltër që kam parë ndonjëherë. Pamë nga afër ato dy shkëmbinjtë e famshëm, ku nuk mund të mungonin as fotot.

    Mbërritja në Capri ishte rreth orës 12:00 ndërsa i njëjti skaf për të na marrë erdhi në orën 18:00. Gjatë kësaj kohe keni mundësi që të shikoni qytezën, e cila mund të them se nuk më bëri shumë përshtypje, ndërsa ishulli rreth e qark ishte shumë i bukur.

    Për të parë qytezën morëm me qira një motor, që na kushtoi 50 euro dhe mendoj se bëmë gjënë e duhur, pasi pamë më mirë rrugët dhe as nuk patëm stresin e parkimit.

    Një ditë pas Capri-t vendosëm të shkonim në Amalfi, ku gjëja tradicionale që hasa rrugëve dhe më bëri përshtypje ishte limoni. Quhej “limone di pane”, ishin me lëkurë të trashë dhe të mëdhenj, ndërsa rrugëve servireshin duke i ndarë në copa dhe duke u hedhur sheqer sipër.

    Pas tij vinin dyqanet e shumta me pune artizanale, ndërsa në të gjitha lokalet ushqimet servireshin me to. Pjatat ishin të punuara me dorë dhe kafenë nuk do ta konsumoni në të njëjtin filxhan me atë të shokut.

    Dhe nuk mund të kthehesh në shtëpi pa marrë diçka kujtim dhe unë zgjodha këto:

    Udhëtuam me makinë dhe mendoj se këtu gabuam pasi parkimi kushtonte 30 euro, ndërkohë që edhe çmimet në restorante nuk ishin shumë të lira, një drekë ose darkë në çift mund t’iu kushtojë minimumi 100 euro.

    Në ditët e tjera vizituam Positano-n dhe Galipoli-n, dy qyteza për mua fantastike dhe sidomos ky i fundit ishte shumë i përshtatshëm për familjarë.

    Positano është po aq i mrekullueshëm sa duket në foto me pallatet shumëngjyrëshe, ato rrugicat e vogla të mbushura me dyqane lulesh, veshjesh tradicionale apo pikturash.

    Pas Costiera-s udhëtuam për në Puglia (rruga zgjat rreth 7 orë), ku vizituam plazhe të ndryshme në Galipoli, si Punta Prosciutto, Torre Lapillo, Porto Cesareo, etj.

    Çdo rrugicë e vogël te nxirrte te kisha që ishte në mes të qytetit.

    As aty nuk udhëtuam me makinë, por paguam një person që të na bënte xhiro me motor në të gjithë qytetin dhe madje na vendosën edhe këngë shqip.

    Pushimet tona u mbyllën me Alberobello, atë qytezën që duket sikur është nxjerrë nga filmat e animuar, me shtëpitë karakteristike të bardha me çatitë e rrumbullakëta, që quhen “I trulli”.

    Ishte fantastike ndjesia që të përcillte ky vend dhe është më mirë që të vishni atlete, sepse për shkak të rrugëve me kalldrëmë e bënte të vëshitrë ecjen edhe me sandale.

    Shumë detaje nuk mund të tregohen në një shkrim, por nëse doni të bëni pushime VIP-ash, por jo me shpenzimet që bëjnë ata, ju këshilloj të shkoni në Costiera Amalfitana.

     *Për të na dërguar udhëtimin tuaj na shkruani në FacebookInstagram ose në WhatsApp: +355 68 408 1690. Fituesi do të marrë dy bileta dhuratë për në Romë. (Detajet këtu)

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]