Art & Kulturë Te gjitha

Nënshkruhet marrëveshja me SPK/ Kumbaro: E ardhmja e skenës kulturore është decentralizimi


“E ardhmja e skenës kulturore është decentralizimi, skena e pavarur, por për këtë duhet punë , emancipim dhe dialog”– u shpreh Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Skenës së Pavarur Kulturore.

Në ambientet e MK-së u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Skenës së Pavarur Kulturore dhe Ministrisë së Kulturës për bashkëpunimin dhe konsultimin paraprak për ndryshimet në ligjin “Për Artin dhe Kulturën” . Ky memorandum është hapi i parë juridik drejt këtij rrugëtimi.

Kumbaro shprehu angazhimin e institucionit që ajo drejton për të ndihmuar financiarisht shoqatat shqiptare që aplikojnë në Creative Europe, duke patur parasysh vështirësitë ekonomike me të cilat përballen, si dhe bëri me dije se “Kemi nisur punën për rishikim të ligjit të sponsorizimeve, ku çdo sugjerim mbetet i mirëpritur”.

Memorandumi i Bashkëpunimit u nënshkrua nga Zëv.Ministrja e Kulturës, Valbona Shujaku dhe Andi Tepelena, përfaqësues i SPK-së.

Skena e Pavarur Kulturore (SPK) është rrjeti më i madh kulturor në Shqipëri, i përberë nga organizatat ndër më të të njohurat dhe aktivet në fushën e artit dhe kulturës. SPK është krijuar më 4 Maj 2013. Qëllimi i këtij RRJETI është të ndërtojë një skenë kulturore të qëndrueshme, nisur nga mungesa e faciliteteve për veprimtaritë kulturore e artistike, mosfinancimi dhe pabarazia e aksesit ndaj fondeve publike për artin dhe kulturën në Shqipëri. /tiranapost.al