• Shqip
  • English
  • E hënë, 24 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • My Albania Politikë Të gjitha

    Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU: Shqipëria ka nevojë për më shumë kohë, vendimi në shtator


    Vendimi për çeljen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në BE do të merret në muajin shtator dhe jo në qershor. Këtë ka deklaruar zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johann David Wadephul. Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të CDU/CSU, me foton zv/kryetarit thuhet se grupi parlamentar i CDU/CSU do të analizojë me kujdes raportin  e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do ta krahasojë atë me analizat e tjera që kanë në dispozicion. Por një analizë e tillë kërkon kohë, ndaj është vendosur nga Gjermania që vendimi të jepet në muajin shtator.

    ‘Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse kushtet e fillimit të bisedimeve të pranimit me të dy vendet janë realizuar. Megjithatë, një analizë dhe ekzaminim i tillë nuk mund të bëhet me ngut. Kjo nuk do të ishte e pranueshme për popullatën gjermane dhe as nuk do përbënte drejtësi ndaj vendeve në fjalë. Në këtë drejtim, Bundestagu gjerman nuk do të jetë në gjendje të vendosë për hapjen e negociatave të pranimit deri në fund të shtatorit – siç u pajtuan edhe kolegët e grupit parlamentar të SPD-së’, shkruhet në deklaratën që vijon me një analizë paraprake.

    Konkretisht: 

    Analiza fillestare tregon se Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim siç u kërkuar nga ministrat e jashtëm të BE më 26 qershor 2018. Ende nuk ka sistem gjyqësor funksional. As Gjykata Kushtetuese as Gjykata Supreme nuk funskionojnë. As autoriteti antikorrupsion SPAK dhe as autoriteti i saj nënligjor  Byroja Kombëtare e Hetimit. Ka pak përparim  në luftën kundër korrupsionit. Ka shumë pak raste të goditjes së korrupsionit në nivelin e lartë. Në mënyrë të ngjashme, përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar janë të dobëta. Përveç kësaj, nuk është nisur asnjë procedurë ligjore ndaj politikanëve dhe kriminelëve të përgjuar në fillim të vitit për shitblerje të votave. Në fund të fundit, ligji i ri zgjedhor i kërkuar nga Ministrat e Jashtëm nuk është miratuar akoma.

    Për çfarë ka nevojë në këto kushte Shqipëria? 

    Bazuar tek deklarata: Në këtë drejtim, Shqipëria ka nevojë për më shumë kohë për t’u përgatitur për negociatat e pranimit. Vendi duhet të bëjë çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE në shtator. Kjo përfshin një dialog të vërtetë midis qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën shtetërore. Grupi parlamentar i CDU / CSU është ende i gatshëm të ndihmojë. Megjithatë të dyja palët duhet të përgatiten për një dialog pa parakushte. Asnjë temë nuk mund të përjashtohet në tryezë.

    Linku origjinal i artikullit këtu: https://www.cducsu.de/presse/pressemitteilungen/sorgfaeltige-ueberpruefung-der-eu-fortschrittsberichte-erforderlich

    Përkthyer për Tiranapost.al. E.B