25 Rreshtat e Mirës

Nënë Tereza, rebelja që nuk foli shqip

Nënë Tereza, rebelja që nuk foli shqip

Nga Mira Kazhani/Kam qenë 10 vjeç kur kam parë gruan me shallin me vija blu, Nënë Terezën, që zbriti në Aeroportin e Tiranës. Më vonë mësova se zëri i gazetares që tregonte në lajmet e TVSH-së lëvizjet dhe takimet e saj, ishte i Majlinda Bregut. Udhëtimi im i parë jashtë shtetit ishte në Vatikan, më 22 tetor 2003, si gazetare e “News 24” në Ditën e Lumturimit të saj. Drejtuesit e televizonit më kërkuan pasaportën dhe më thanë se duhet të paraqitesha në ambasadën italiane për dy orë, se ndryshe nuk merrja dot vizën e udhëtimit për punë. Isha shumë vonë dhe më kujtohet si tani italiani që punonte tek sporteli nr. 1: “Vetëm një mrekulli e Madre Tereza do të të pajisë ty e dashur me vizë!”. E mora vizën dhe s’di nëse ishte mrekulli e Nënë Terezës apo se punoja për një televizion që drejtorin e kish italian. Udhëtimi ishte fantastik, me traget, pastaj nga Bari në Vatikan me autobus. Vatikani më hutoi po aq sa parfumi i mirë i ish-ministres së Kulturës së asaj kohe, Arta Dades, e cila duhet pranuar që e ka atë shkëlqimin e veçantë dhe i rrinte bukur ceremonisë.

Më vonë, gjatë një vere në Pargë, lexova nën çadër “Histori kurrë e shkrume”, nga At Zef Pllumi, e mësova shumë gjëra që s’i dija rreth Nënë Terezës. At Zef Pllumi e ka rrëfyer si një kronikan i madh atë dhe vizitën e parë të saj, madje kur e lexon të duket se kur bie telefoni i At Zef Pllumit ti kujton se bie edhe iphone yt. Mes rreshtave do gjeni edhe pak qejfmbetje, por ky është impresion i leximit tim.

Më pas kam ndjekur me habi, por jo dhe aq, sesi nuk ia gjenin dot një vend përmendores që ngjan më shumë me Jezusin e Rio de Janeiros e që tani ndodhet në kodrën e dielltë në Qafë-Thanë; me idenë që të jetë me fytyrë nga Shkupi, vendlindja e saj. Nuk është ide e paaftë por nuk mjafton!

Ka kritikë që thonë se nuk është realizuar një përmendore siç i ka hije, ka të tjerë që janë mjaftuar e jo pak që janë lëshuar në ironi për odisenë e përmendoreve të Nënë Terezës sa andej këndej. Sigurisht shqiptarët e kanë ditë pushimi 5 shtatorin, Ditën e Shenjtërimit të bamirëses shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e cila u largua 18 vjeç nga vendlindja e saj dhe nuk mundi t'i takojë kurrë prindërit dhe motrat. Nga shumë letra që i bëri Enver Hoxhës, asnjëra nuk ia doli që ta takonte me familjen. Thuhet se kur ishte në Shqipëri, Nënë Tereza i vuri disa lule varrit të Enver Hoxhës, si për ta mëshiruar e dhënë faljen e saj për mëkatin e tij shpirtdiktatori.

At Zef Pllumi e përshkruante si një grua distante, që hëngri bukë veçmas në një dhomë (dukej sikur kish dashur që të rrinte me të gjithë) dhe që më shumë fliste me Xhenin në telefon (sekretare- asistentja kryesore e Nënë Terezës).

Nënë Tereza ka dritëhije si çdo figurë e madhe e bërë nga zero. Shumë kritikë e sulmuan përgjatë Nobelit, sepse në fillimet e misionit të saj mori para nga Hitleri dhe Stalini, veç të tjerëve që quheshin normale. Murgesha e Kalkutës duket sikur kish kalkuluar gjithçka. Ajo do ecte përpara me lëvizjen e saj, si në ato rastet kur qëllimi justifikon mjetin. Dhe gjithkush ka mendimin e vet, por ua ka bërë aq mirë që ua ka marrë paratë!

E kanë kritikuar Nënë Terezën dhe madje i kanë shpikur edhe asaj jo pak, edhe histori rozë. Në fillimet e saj Kisha e përjashtoi por ajo, si një kokëfortë, arriti të krijojë lëvizjen e saj dhe ia doli të bëjë për vete gjithë botën, edhe diktatorët, me përjashtim të Enver Hoxhës, që s’e bindi dot për të takuar prindërit. Vetë ajo, në 7 vitet e fundit, jetoi në errësirën e besimit. Shkroi letrat e famshme ku vinte në dyshim ekzistencën e Zotit. Në fund nuk duket të ketë qenë e lumtur dhe as në paqe, edhe pse ç’nuk bëri për paqen, dashurinë, fëmijët, të varfërit, për një botë më të mirë me sytë nga Zoti dhe zemra e njeriut. Ama, ka diçka: sot e kësaj dite asnjë nuk e kupton se përse nuk foli asnjëherë shqip, edhe pse nga vendlindja shqipe iku 18 pranverash!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]