Aktualitet

Negociatat/ Kushti kryesor: Brenda gjysmës së parë 2020 Shqipëria të sigurojë Gjykatën Kushtetuese dhe atë të lartë

Negociatat/ Kushti kryesor: Brenda gjysmës së parë 2020

Në projekt-përfundimet e Presidencës finlandeze, megjithë njohjen e plotësimit të të gjitha kushteve, për të cilat kishin rënë dakord paraprakisht 28 vendet anëtare, për Shqipërinë shtohen edhe ato të vëna nga Bundestagu gjerman në seancën e shtatorit të këtij viti.

Kështu, nëse për Maqedoninë thuhet se çelja e kapitujve të parë të negociatave do të vijojë pas konferencës së parë ndërqeveritare e pas përfundimit të proçesit analitik nga Komisioni Evropian, për Shqipërinë renditen 9 kushtet e famshme të cilat duhen plotësuar në dy etapa:

1. Para se të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, jo më larg se në gjysmën e parë të vitit 2020, në varësi të përparimit të shënuar, Shqipëria duhet të sigurojë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe të shënojë përparim të mëtejshëm në reformën zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

2. Para se të mund të hapen kapitujt e parë, Shqipëria duhet të zgjidhë këto çështje: nisjen e hetimeve kundër gjykatësve dhe prokurorëve të dyshuar për sjellje kriminale bazuar në gjetjet e proçesit të vetingut; nisjen e hetimeve të rasteve ku ka akuza për mashtrime zgjedhore; të sigurojë funksionimin e SPAK; të përforcojë edhe më tej gjurmët e provave për hetimet, ndjekjen penale dhe dënimet e formës së prerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë në nivelin më të lartë; të miratojë dhe të zbatojë kodin zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it; si dhe të zbatojë çdo vendim relevant të Gjykatës Kushtetuese mbi zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.

*Burimi Euronews Albania