• Shqip
  • English
  • E martë, 20 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Modë Personazh Showbiz Stil Të gjitha TIP top

    Ne zgjodhëm Estelën si blogeren e vitit


    Pse pikërisht Estelën, kur ka aq shumë blogere? Pikërisht sepse janë shtuar shumë, ne mendojmë se ajo që është ndër të parat që e solli këtë tendencë në Shqipëri, kur nuk kishte ende Instagram dhe kur blogu nuk ishte ende mani, është Estela me mendjen e saj kreative, që krijoi jo thjesht një profil ku hedh ca foto dhe kaq. Por një faqe për të ndarë mendime, ndjesi e pastaj modë e rroba. Në sharminstyle.com mund të gjeni një mikeshë që të kupton, që të bën të qeshësh se e ka ironinë në majë të gjuhës, një mama që nuk bën si princeshë mbi bizele, një grua me defekte e pika të forta e mbi të gjitha një vajzë cool që ia vlen ta kesh shoqe, në mos fizikisht, virtualisht patjetër. Por që edhe ju të mos keni asnjë peng, ne po ju tregojmë një nga një arsyet se përse e shpallëm Estelën blogeren e vitit (se patjatër që kemi arsye, nuk e bëmë në ajër)

    Është si ne
    Si fillim është një nga vajzat blogere që nuk të krijon idenë e të paarritshmes. Estela nuk vishet nga koka te këmbët me Chanel e Gucci. Nuk është vetëm një profil që ti shkon, bën një xhiro dhe kaq. Veshjet e Estelës janë të arritshme, nuk kanë vlera marramendëse, nuk janë domosdoshmërisht firmato, prandaj Estela plotëson kushtin “frymëzim” për të tjerët.

    Estela

    Është gruaja normale
    As forma 90-60-90, as këmbët e holla e të gjata e as lëkura më e lëmuar e plazhit. Estela është gruaja e zakonshme, që kujdeset për veten, që vishet bukur me rrobat që i përshtaten asaj dhe jo anasjelltas. Është një nga ne, jo një modele.

    Është e vërtetë
    Presionin e instagramit e njohim të gjithë. E dimë mirë se në atë vorbull ka vetëm perfeksion, trupa të bukur, dhëmbë të bardhë, tartuf e shampanjë të shtrenjtë. Estela mund të jetë ndër të vetmet që ka guxuar të hedhë në rrjet fotot e trupit të një gruaje pas lindjes, me defektet e papërsosmëritë e bukura të një gruaje të vërtetë që nuk gënjen as veten as të tjerët me filtra e photoshop.

    Jo vetëm bella vita
    Mund të jetë rregulli i pashkruar i vajzave të rrjetit, blogereve në veçanti, që online hidhet veç një foto që rrëfen bukuri, lumturi, dashuri, etj., etj. Estela tregon edhe jetën që fshihet pas fotos klishe. Veç pak ditë pas lindjes, me një të porsalindur që nuk pushon që qari, kjo është pamja e një blogereje që para së gjithash është mama jo përherë e lumtur dhe e buzëqeshur.

    (Estela Ujka me vajzën, foto nga Instagrami)

     

    Familja mbi të gjitha

    Ka foto palltosh, këpucësh, kombinimesh, tutorial për të kuqen perfekte të buzëve, por në profilin e Estelës nuk mungojnë fotot e familjes, të më të voglës së shtëpisë, të dy vajzave të tjera më të rritura, të bashkëshortit, të pushimeve, të jetës së familjes. Mesazhi është i qartë: të zbukuron shija, veshjet, buzëqeshja, por më shumë të zbukuron familja.

    Viti i Estelës
    Ka qenë pjesë e disa eventeve ndërkombëtare, ka sjellë në jetë një bebe dhe ka bërë një shërbim fotosh shumë të bukura me Fadil Berishën. Për këto e shumë të tjera, ky është viti i Estelës dhe ne e zgjodhëm blogeren e 2018-ës.