Aktualitet

Në Vlorë, synohet ndërtimi i parkut diellor më të madh në Ballkan

Esencë editori/Energji elektrike jo vetëm nga hidrocentralet, por edhe nga panelet diellore. Qeveria shqiptare synon të ndërtojë në Akërni të Vlorës parkun më të madh diellor në të gjithë Ballkanin. Vlera e tij do të jetë 70 milion euro ndërkohë që së shpejti do të hapet gara për ndërtimin e tij.

Bëhet fjalë për një park me kapacitet gjenerues 50 MegaWat i cili do të jetë më i madhi i këtij lloji në Ballkan.

Impianti është planifikuar të ndërtohet në Akërni të Vlorës, zonë e cila ka rrezatim të lartë diellor me një potencial mbi 1600 Kilowat orë për metër katror.

Paratë për investimin do të jenë të kompanisë që do të shprehë interes për ndërtimin e parkut, dhe do të marrë pronësinë e tij për 30 vjet, e për gjysmën e kontratës 15 vite, qeveria do t’i garantojë blerjen e energjisë nga OSHEE përmes një çmimi që do të propozojë investitori.

Çmimi i shitjes së energjisë, vlera e investimit dhe cilësia teknike do të jenë kriteret që do të përzgjedhin fituesin në këtë tender.

90% e burimeve energjike në Shqipëri janë ujore, ndërsa Traktati i Komunitetit të Energjisë ka vënë si objektiv për vendin tonë që deri në vitin 2020, 38% e energjisë që prodhohet të jetë e rinovueshme.

Ky post u realizua nga E.B. Lajmi i referohet kronikës në Tv Klan. Copyright Tiranapost.al.