• Shqip
  • English
  • E martë, 25 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Aktualitet Të gjitha

    Ne shqiptarët, britanikët, francezët, që nuk e fitojmë Eurovizionin


    Nuk e di pse e si, por kisha shumë vite pa e ndjekur Eurovizionin. Me moshë çdo gjë, dhe prej vitesh divani i shtëpisë dhe pulti kthehen në shprehjen “this is all I need”! Për shkak edhe të Jonidës (Maliqit), që e çoi Shqipërinë në finale pas disa pjesëmarrjesh jo fort krenare tonat, e ndoqa mbrëmë dhe sa mirë!

    1- Izraeli i tregoi dhëmbët Evropës me një spektakël, ku nuk mungoi as Madonna, e cila stonoi pak, por kjo nuk është në dorë të mikpritësve. Madonna është një “living legend” dhe prapë mbetet një arritje. Prezantuesit ishin më shumë sesa simpatikë, të shkathët, me sens ironik, humor dhe zhdërvjelltësi. Klipet që na treguan një Telaviv e Izrael në përgjithësi përrallor, e bënë efektin.

    2- “Dare to dream” ishte një slogan i bukur i Eurosong. “Guxo të ëndërrosh”, një mesazh që Evropës i nevojitet sot si soli pentagramit.
    Kur ke ëndërruar për herë të fundit? Çfarë ëndërron në përgjithësi kur ulesh të flesh? Janë pyetje që ndezin monologje të shumte mes vetes së njeriut.

    3- Mahmuti nga Italia apo Bilali nga Franca të kujtojnë sesa shumë koktej racash e kulturash është bërë Evropa dhe pse populizmi e ekstremizmi po rriten në këtë anë të globit.

    4- Pika 3 të çon në një pyetje për tezën 4: Po Italia ka edhe Laura Pausinin, Tiziano Ferron, Giorgian, Ramazzotin e pafund armatë këngëtarësh, që mund t’i hapin poret Eurosongut nga fuqia vokale apo nga një këngë e bukur. Po Franca nuk ka? Po Britania nuk ka? A nuk është Britania tregu i muzikës më të mirë? Si ka mundësi që përfaqësimi në muzikë në Eurosong të jetë kaq modest? Dhe Maqedonia e Veriut, Qipro, Suedia, Holanda (fituesja e këtij viti) të lënë pas Britaninë, Francën, Italinë, Spanjën… vende ku muzika është gati stil jete?!
    Ka një përgjigje të gjatë për këtë. E para dhe e fundit është: Po, Eurosong është garë e vendeve lindore. Garë e Rusisë, Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë, dhe me përjashtim të Suedisë e Qipros, që e marrin po kaq seriozisht Eurosongun, Franca, Italia, Britania, Gjermania, nuk e kanë këtë prioritet. Për to votat përkthehen më shumë nga investimi ekonomik dhe fuqia e tyre si autoritete në Europë, por më të mirët nuk shkojnë, nuk kanë shkuar kurrë. Shkojnë absolutisht këngëtarë të talentuar, por që janë kryesisht ata që kërkojnë famën dhe jo ata që e kanë famën tashmë.

    5- Shqipëria nuk fiton! Po, e dimë të gjithë. As nuk mund të fitojë. Por ka diçka interesante përpos fatit të keq: Shqipëria është shumë mirë me bilancet. Nëse do të klikosh në këtë link (https://eurovision.tv/country/albania ) do gjesh sa herë ka mundur të hyjë vendi ynë në finalen e Eurovizion që me Anjeza Shahinin, e cila ia la gati finalen Ledina Çelos, që nuk e mbajti dot peshën. Frederik Ndoci, një këngëtar me vlera të rralla por që ka një nga daljet e dobëta. Ylli shqiptar ka ndritur nga Rona Nishliu, Eugent Bushpepa, Kejsi Tola dhe së fundmi nga Jonida Maliqi që edhe pse s ka aq pikë sa emrat e sipërpërmendur ka meritën që e nxori prapë Shqipërinë në finalen e madhe.

    Pikët e grumbulluara tregojnë shumë për secilin këngëtar.

    Një nga vendet që mund të krahasohemi është Bjellorusia, e cila ka 16 pjesëmarrje sa ne dhe ka kapur vetëm 6 finale.

    Po kështu Maqedonia e Veriut, duke e krahasuar me pjesëmarrjet tona që nga viti 2004, edhe ajo ka vetëm 6 finale. Ne kemi 9 të tilla. Ndërsa Greqia, e cila ashtu si dhe Qipro, e merr shumë seriozisht Eurosongun, (pra Ballkani) në 16 vite që jemi pjesëmarrës, ka 14 finale, prej të cilave edhe një vend të parë.

    5 – Pse nuk e marrin pra seriozisht disa vende të fuqishme si Britania apo Italia Eurosongun? Marrin një shembull: Italia deri në vitin 1993 ka marrë pjesë rregullisht me artistët më të mirë, me futjen e vendeve të Lindjes ajo e injoron Eurosongun, rifutet në 1997-ën me insistim të EBU-së dhe heq dorë përsëri nga zhgënjimi i votimeve për 14 vite rresht.

    Në vitin 2011 Italia rivjen përsëri dhe gjatë 8 viteve pjesëmarrje vetëm grupi “Il Volo” ka qenë përfaqësimi që mund të konsiderohet i denjë për Italinë.

    6- Kështu mbërritëm tek thembra e Akilit: Pse votimet kanë qenë zhgënjyese?

    Të gjithë që ndjekin Eurosong e dinë dhe thonë se Shqipëria s’e fiton dot kurrë, sepse s’na voton njeri. Kel Demi shkruante sot se edhe Elton John po të çonim ne, Rusia prapë do votonte Azerbajxhanin dhe anasjelltas. E vërteta, si zeza mbi të bardhë! Sa herë që ka Eursong, më vjen të qaj për Shqipërinë. Nuk kemi as shokë. Ne votojmë Maqedoninë, ata Serbinë ose Kroacinë, Italia Maltën, Malta Italinë e kështu me radhë. Në mbetemi vetëm. S’di nëse duhet të ndryshojmë pak edhe këngët me vajtim dhe performancat, por kjo nuk është çështje jurish. Juritë e kanë votë politike dhe në këtë pikë Shqipëria është shoqe e mirë ata jo.

    P.sh. Italia deri në vitin 1993 ka marrë pjesë rregullisht me artistët më të mirë, me futjen e vendeve të lindjes ajo e injoron Eurosong, rifutet në 1997 me insistim të EBU dhe hoqi dorë përsëri nga zhgënjimi i votimeve për 14 vite rresht por u tundua sërish.
    Në vitin 2011 Italia rivjen përsëri dhe gjatë 8 viteve pjesëmarrje, vetëm grupi Il Volo ka qënë përfaqësimi që mund të konsiderohet i denjë për Italinë.

    ……..

    7- Në të ardhmen sistemi i pikëve, siç mësuam mbrëmë, do të jetë më afër atij që e meriton. Ndryshimi i skemës nga Eurovizon me ndarjen 50 për qind me 50 voten juri/publik ishte risia që nisi Telavivi. Gjysma të keqes, themi ne. /Tiranapost.al/

    /*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]