• Shqip
  • English
  • E diel, 21 Prill 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Nën lupën e Stela Sallakut Stil Te gjitha TIP top

    Ne nuk dimë të bëjmë shopping. Dje e pashë me sytë e mi


    Dje ishte dita e organizimit të dollapit tim. Çdo tre muaj seleksionoj ato që nuk i kam veshur fare gjatë kohës dhe zakonisht i dhuroj. Duke bërë këtë ndarjen, gjeta disa fustane që nuk kisha me çfarë t’i kombinoja. U bëra nga një foto për t’i pasur parasysh si rrinin dhe thashë të shkoja për të blerë aksesorët plotësues. Meqë është periudhë uljesh, mund të blejmë pa u menduar shumë. E bukura është se nëse jam midis dy zgjedhjesh, mund t’i marr të dyja dhe nuk boshatis as llogarinë bankare.

    (Foto nga Pinterest)

    Isha përhumbur mes zgjedhjeve shumëngjyrshe, kur në të majtë dëgjoj një zonjë që po thërriste dikë. Po i kërkonte mendim për fustanin jeshil që kishte në dorë. E kisha në majë të gjuhës t’i thosha “Jooo, të lutem, mos e merr se do dukesh e shëndetshme”, ndërkohë që mikesha i thotë është yll. Po flas për një zonjë mbi të 50-tat, rreth masës Large ose edhe XL, me trup në formë molle, flokë “pixie” (të shkurtra) dhe qafë të shkurtër. Ndërkohë fustani ishte gjysëm golf, me prerje beli dhe mëngë voluminoze.

    (Foto nga Pinterest)

    Pak më tutje shquaj një zonjushë, me tipare të bukura, bjonde, gjatësi mesatare, e cila mori një fustan me print kafshësh. Po flas për ato lloje që vijnë laps pas trupi dhe nëse nuk ke përmasat 90-60-90 më mirë lëre. Sigurisht që do dukej si Lepa Brena me atë veshjen dominante.

    (Foto nga Pinterest)

    Ndërkohë që po mendoja me vete se si mund të ishte veshje e realizuar kjo e kësaj zonjushës bjonde, më tërhoqi vëmendjen një mama me karrocë që po shihte ato shajet me kuadrate. “Sa të bukura që janë!”, mendova. Dhe ndërkohë që ajo po i kalonte me rradhë, po i thoja me mend “hë, merre atë të ziun me kuadrate të bardha”, por as që i bëri përshtypje. E kaloi dhe u ndal tek një i verdhë, me nuancë mustardë. E vuri për ta parë se si i rrinte, ndërkohë që kishte veshur një pallto ngjyrë bezhë. “Sa më shkoka me këtë”, i tha shoqes. Mustardë? Me bezhë? Ndërkohë që mund të merrte një nuancë toke, ta kombinonte edhe me vathët floriri, që ishin gjithashtu me ulje, këpuce oxford dhe çorape të bukura me pika.

    (Foto nga Pinterest)

    M’i ndërpreu mendimet një zonjë, që më preku lehtë dhe më pyeti “Më fal, e di që merresh me modë. A mund të më ndihmosh pak me këtë zgjedhjen? Jam midis trikos fosforeshente dhe kësaj kafe.” Ah, sa mirë, mendova, më në fund dikush që do të guxojë me stilin.

    Stela: -Më pëlqen kjo triko fosforeshente, por do një kombinim të kujdesshëm. Me çfarë ke menduar ta veshësh?

    Zonja -Po s’e di, mbase me xhinse të zeza?

    Stela -Po, shumë mirë, ke të tilla? Të duhen me prerjen “mom”, pak të gjera.

    Zonja -Kam dhe bluxhins.

    Stela -Perfekt! Akoma më mirë, merr dhe këtë çantën e kaftë, një shall që i ka të dyja nuancat brenda (kafen dhe fosforin), vishe me xhinse dhe pellush. Ta gëzosh!

    Zonja – Më pëlqen shumë. Faleminderit!

    U mendova për pak çaste, hodha një sy tjetër vërdallë dhe dola. U largova me një mendim që më pengoi të blija dhe për vete. Ne nuk dimë të bëjmë shopping!