25 Rreshtat e Mirës

Në lagjen time kam respekt për Nexhin, gruan me unaza floriri

"25 rreshtat e Mirës"...Në Tiranë ka shumë më pak adoleshencë. Pastaj rriten dhe duan t'i kthehen adoleshencës si nevojë a thirrje e trupit për të jetuar gabimet.

Mira Kazhani/Kur udhëton jashtë, sot nuk është si në ato vitet ‘90, që të mpihej truri nga gjëra që i kishe parë vetëm nëpër filma dhe që në fakt nuk kanë ndonjë vlerë të madhe kur vjen puna te jeta.

Merresh me fasadën: metrotë, hamburgerët, vitrinat e dyqaneve, veshjet e kalimtarëve, rrugicat, reklamat muzetë, njerëzit me ngjyrë, dhëmbët e bardhë apo qukat e shumta në kraharor.

Tani kemi 25 vjet që hamë pica, spageti, vishemi me “Zara”, sepse e kemi në Tiranë, dhe po përpiqen të gjithë të jenë në dietë. Udhëtojmë më shpesh dhe,  të gjithë - me ndonjë përjashtim të vogël - kanë bërë të paktën një udhëtim jashtë shtetit. Por ka një gjë që nuk do ta vija re në ato herët e para dhe që sot shndrin sa herë udhëtoj jashtë Shqipërisë. Qetësia dhe edukata e të huajve.

I shoh me aq shumë zili në aeroporte, me fëmijë që i mbajnë në krahë dhe nuk u ndihet zëri. Nëse je transit e kupton menjëherë kur je me bashkatdhetarët e tu, nga e qara e fëmijës shqiptar. Vihesh ballë dy ekstremeve. Pas teje ose është njëri që i flet të bijës sikur ka lindur në stallë, ose të qëllon një familje moderne që i ka lënë fëmijët të rriten të lirë, siç është moda apo siç ka parë nëpër filma. Për këtë arsye djali 10 vjeç, me vëllanë e tij 7 ose 8 vjeç, tërbojnë avionin me biseda me zë të lartë. Të shkundin sediljen nga pas dhe kur ti kthen kokën, e ëma vetëm ha dhe mban një palë kufje pink të fëmijëve. Me të vetën jep mesazh emancipues!

Ndërsa ata, fëmijët e të huajve, si ka mundësi që nuk iu ndihet zëri ose mua nuk më ka ndodhur kurrë. Nëse ndodh të kesh ngatërruar vendin, të flasin me mirësjellje. Jashtë nuk e kupton nëse gruaja e tramvajit ka ndonjë hall me kryetarin e bashkisë, mund edhe mos ta njohin fare. Burri që është ulur afër teje, me gruan dhe babain, në metro, ka vetëm një libër në dorë, i flet me dashuri së shoqes kur ngrihen dhe ikin pa të vënë re. Unë kam dyshime që do përfundoj e denoncuar nga ndonjë paranaojak i huaj, nga mënyra si ua ngul sytë atyre. Po ku e dinë ata hallin tim!

Sa zbres në lagje, pa iu afruar makinës, kam Cenin, që kujton se jam ende spikere te “Vizion Plus” dhe unë nuk ia prish. Ç'ta shqetësoj kot me realitet. Nexhi është e vetmja që ha bukë veç. Ka një minimarket të vogël dhe të uron veç fat. Të tjerët, që nga pastrimi kimik deri te berberi dhe rrobaqepësi i lagjes, kanë informacion të saktë për çdo gjë që thuhet rreth meje. Ata të gjithë dinë më shumë për mua sesa unë për veten apo prindërit e mi, që dyshoj se u bëjnë "like" edhe "dashamirësve" dhe ndjekësve të dedikuar të karrierës sime profesionale.

Kuptohet, në lagje dinë të gjithë për të gjithë. Ka një pjesë të bukur kjo anë e Shqipërisë, por kur i jeton përditë, do doja të ndryshoje mes tyre.

Jetoj prej 20 vjetësh në pallatin tim dhe disa vajza, që janë rritur tani, i kam parë bebe me pelena, kur luanin me kukulla, kur festonin ditëlindjen, ndërsa tani i shoh që shëtisin si mjelma të grumbulluara. Tërë ditën bëjnë varavingo. Më vjen keq dhe mendoj se nuk kanë ku të shkojnë por më shqetëson grumbullimi i mjellmave të lagjes sime. Më shqetëson që nuk u qeshin të tjerëve. Ecin si të strukura. Jo si adoleshente të lira. Që tani sikur i fshihen diçkaje a fshehin diçka. Dhe nuk ka të bëjë me djemtë, sepse ato fluturat e para në stomak janë pjesëz e bukur e zonjushërimit. Janë të pasigurta dhe kanë filluar të shëndoshen. Ndonjëherë vishen si të rritura para kohe, ndërsa dy prej tyre vishen si Avril Lavigne. Kjo të paktën më pëlqen. Ai telefoni, që duket mallkimi më i madh, është e vetmja gjë e mirë që ndodh. Jashtë adoleshentet më duken më të çmendur, por duken adoleshentë të paktën.

Në Tiranë ka shumë më pak adoleshencë. Pastaj rriten dhe duan t'i kthehen adoleshencës si nevojë a thirrje e trupit për të jetuar gabimet. Kam disa pasdite që bëj një ecje nga Pazari i Ri (banoj aty rrotull). Atje më pëlqen shumë pamja. Shoh bulmetoren, një grua të qeshur. Shoh kasapin, që e shet mishin si të ishte një vesh rrush. Shoh kamerierët, që vrapojnë dhe moshën e mesme dhe të moshuar pafund. Pse nuk vijnë këtu mjellmat e grumbulluara të lagjes sime? Të ulen diku të hanë çokollatë dhe të tregojnë video për të qeshur në celular.

Pse nuk po e fitojmë lirinë ne pas kaq shumë kohe në demokraci?! Më duket sikur është një formë refuzimi a pritjeje për ngjarjen e madhe. Në Shqipëri, më shumë sesa kudo, pritet një princ, një çantë e shtrenjtë, një martesë bombastike, një makinë e fundit. Ndërkohë që jeta kalon para syve dhe e vetmja që e di çfarë duhet në lagjen time është Nexhi, që vdes për unaza floriri dhe i mban të gjitha në dy duar duke të uruar vetëm një ditë me fat./Tiranapost.al