• Shqip
  • English
  • E enjte, 22 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Opinion Të gjitha

    “Ne kundër atyre”, urrejtja nuk mund të jetë zgjidhje


    Që prej rënies së Murit të Berlinit, më shumë se 40 vende të botës kanë ngritur barriera ndaj më shumë se gjashtëdhjetë fqinjëve të tyre. Në diskutimet ekonomike po fitojnë peshë mendimet e “lojës me shumë zero”, ku fitorja e njërit presupozon dështimin e tjetrit. Një valë e re pesimizmi ka rënë në perëndim, ndërsa vendet në zhvillim përballen ende me sfidat e demokracisë, korrupsionin, pabarazitë e thella ekonomike dhe së fundmi me rrezikun e humbjes së vendeve të punës nga zhvillimi i robotikës dhe automatizimit. A jemi të sigurt se ishte kjo bota që ëndërronim, kur flisnim për globalizëm?

    Erjon Uka

    Nga Erjon Uka/ Nëse u besojmë statistikave, prej nisjes së globalizimit bota në këto tre dekadat e fundit ka përjetuar momentin e saj më të mirë. Megjithatë, sfida të reja, për të cilat duket se jemi ende të papërgatitur, po na shfaqen. Është e vërtetë se mëgjithë rritjen ekonomike, ende në botë vdesin nga uria 1 milionë njerëz çdo vit, por sot problemi më i madh është se nga obeziteti në të njëjtin vit vdesin tre herë më shumë, pra 3 milionë njerëz. Megjithëse në disa vende ende luftohet, numri i vetëvrasjeve nga problemet me depresionin është më i lartë se i atyre që humbasin jetën në luftë. Në vendet në zhvillim, më shumë njerëz kanë kaluar nga shtresa e varfër në shtresën e mesme. Rekord mban Brazili ku prej vitit 2003 në vitin 2013, 25% e popullsisë u zhvendos nga varfëria ekstreme në shtresën e mesme.

    E megjithatë, në vendet e zhvilluara njerëzit mendojnë se gjërat nuk po shkojnë edhe aq mirë. Në SHBA vetëm 6% e qytetarëve mendojnë se bota po përmirësohet, në Gjermani dhe në Britani 4% dhe në Francë vetëm 3%. Një valë e re pesimizmi ka rënë në perëndim, ndërsa vendet në zhvillim përballen ende me sfidat e demokracisë, korrupsionin, pabarazitë e thella ekonomike dhe së fundmi me rrezikun e humbjes së vendeve të punës nga zhvillimi i robotikës dhe automatizimit.

    Pra, paska dështuar globalizimi? Pikërisht për këtë bën fjalë libri i fundit i politologut amerikan Ian Bremmer, “Ne kundër Atyre: Dështimi i globalizmit” i shkruar në vitin 2018 dhe i botuar në shqip nga “Minerva”. Është një pasqyrim i plotë dhe i freskët, ku përdoren të dhënat e fundit të institucioneve më të besuara për të paralajmëruar se dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian apo fitorja e Donald Trump, janë vetëm maja e problemeve që kanë lindur si pasojë e globalizmit: këto ngjarje burojnë nga një sërë ndryshimesh politike dhe ekonomike që po riformatojnë botën ku jetojmë.

    Kriza e fundit financiare, shkaktoi shumë pasiguri. “Njerëzit që i frikësohen mbijetesës, kërkojnë të gjejnë dikë për ta fajësuar për problemet e tyre. Dhe zakonisht frika ekonomike shkakton një lloj të dytë frike. Frika tjetër që gjeneron globalizmi, ka të bëjë me identitetin kulturor”, shkruan Bremmer. Prandaj sot më shumë liderë, duke shfrytëzuar frikat e popujve të tyre, po triumfojnë duke ushqyer urrejtjen. “Ne” kundër “Atyre”: vendasit kundër emigrantëve, vendet e zhvilluara kundër vendeve në zhvillim, Apple kundër Huawei, globalistët kundër sovranistëve, njerëzit kundër teknologjisë. Që prej rënies së Murit të Berlinit, më shumë se 40 vende të botës kanë ngritur barriera ndaj më shumë se gjashtëdhjetë fqinjëve të tyre. Në diskutimet ekonomike, gjithmonë e më shumë po fitojnë peshë mendimet e “lojës me shumë zero”, ku fitorja e njërit presupozon dështimin e tjetrit.

    Megjithëse globalizimi në terësi ka qenë një proces pozitiv, efektet e tij “anësore” nuk kanë qenë aspak të dëshirueshme. Pasiguria ekonomike, qoftë edhe të paktën në nivel perceptimi, është rritur, kujdesi social po tkurret ndërsa teknologjia do të lerë më shumë njerëz në rrugë, në një kohë kur shumë vende nuk po ndryshojnë objektivat e tyre të arsimimit.  Në nëntor të vitit 2016, Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se dy të tretat e të gjithë vendeve të punës në botën në zhvillim janë të rrezikuara. Për këtë arsye, Ian Bremmer merr në shqyrtim 12 shtete, nga Brazili dhe Arabia Saudite, te Rusia, Turqia, Indonezia, Kina, Afrika e Jugut, India, Nigeria, Venezuela, Meksika dhe Egjipti. Vetëm këto dymbëdhjetë vende në zhvillim përbëjnë më shumë se 3,5 miliardë banorë, pra gjysmën e “tortës” së këtij planeti ku jetojmë. Rreziqet që hasin dhe mënyra se si i përballojnë ato, do të përcaktojnë se si do të jetë bota jonë në shekullin XXI dhe në vazhdim.

    Analiza e Ian Bremmer nuk është vetëm një diagnozë, por jep edhe tharmet prej nga duhet të nisë përgatitja për sfidat e reja. Dy mundësi ka: ose këto vende do të vazhdojnë të ndërtojnë mure duke ushqyer urrejtjen, ose duhet të ndërtojnë një kontratë të re sociale mes qeverisë dhe popullit, për të mundësuar që të dyja palët të jetojnë njëkohësisht në një botë më të mirë. Rreth e rrotull, nga Amerika në Singapor, duke kaluar përmes vendimeve historike që e kanë sjellë njerëzimin deri këtu, ekzistojnë të dyja mundësitë. Përgjegjësia e momentit duhet të diktojë zgjedhjen e duhur./ Ian Bremmer është politolog amerikan, i specializuar në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, në dinamikat e vendeve në zhvillim dhe risqet e politikës globale. “Ne kundër Atyre: Dështimi i globalizmit”, u botua në Amerikë në vitin 2018 dhe është sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Minerva”, 2019.