Lajme nga Bota

Në këtë qytet italian mos përdorni Google Maps dhe ka një arsye të fortë për këtë

Në këtë qytet italian mos përdorni Google Maps dhe ka

Kryetari i Bashkisë së një fshati në ishullin e Sardenjës në Itali, u ka kërkuar turistëve që të ndalojnë përdorimin e Google Maps pasi shumë prej tyre përfundojnë të humbur në rrugët malore. Salvatore Corrias, kryetari i Bashkisë në Baunei, nja fshat malor në provincën Ogliastra këshilloi njerëzit që të përdornin harta prej letre pasi shumë vizitorë duhet të shpëtoheshin pasi humbnin në rrugët e fshatit.

Drejtuesit e makinave e gjenin veten në rrugë qorre pasi mundoheshin të kalonin Malin e Supramontes me synim arritjen e rërës së bardhë të bregut lindor të ishullit, po ashtu edhe ata që bënin marshime. Vitin e kaluar, grupet e shpëtimit dhe shërbimet e zjarrfikësve u thirrën plot 144 herë për të shpëtuar turistët e humbur në zonë.

Corrias u shpreh për "The Guardian": "Ajo që ndodh shpesh është se njerëzit mbështeten tek aplikacioni 'Google Maps', por pas njëfarë kohe ata kuptojnë se nuk janë në rrugën e saktë, kështu që ne duhet të shkojmë t'i shpëtojmë. Kemi pasur kaq shumë raste, sidomos në vitet e fundit. Fatkeqësisht Google Maps nuk i dërgon njerëzit tek vendet ku ata duan të shkojnë".

Tashmë shenjat rrugore janë vendosur nga policia lokale me mesazhin: "Mos ndiqni drejtimet e udhëzuara nga Google Maps". Gjithashtu, kryetari i Bashkisë do të lancojë edhe një fushatë informuese në mediat sociale, dhe ndërkohë shpërndajë më shumë harta fizike për turistët. Ndërkohë Google është njoftuar për këtë situatë, dhe tha se do të investigojë për të zgjidhur çështjen./ Burimi The Guardian /Tiranapost.al