25 Rreshtat e Mirës

Në Instagramin e Angela Merkel dikush bën lek e dikush bën efekt

Në Instagramin e Angela Merkel dikush bën lek e dikush bën efekt

Një nga togfjalëshat që nuk dua ta përdor dhe do doja shumë të kthehej në edukatë kombëtare është "ne shqiptarët dhe Ata”: ata serbët, ata kosovarët, ata malazezët, ata grekët, ata me shumicë. Bota është ngulur mbi krahasimin, por ne shqiptarët (ja, sapo e thashë prapë) jemi lodhur duke parë aq shumë dobësi brenda nesh dhe kështu ndoshta mund të ketë qenë gjithmonë, por vitet e fundit bie goxha në sy nevoja për të rënë në sy.

Në fillimet e mia si gazetare, më kujtohet që në tavolinat e gjata të kafes që ftohej e bëhej akull në dimër, një gazetar me përvojë na tregoi një batutë të Fatos Nanos, i cili ishte politikan i batutës.

I shqetësuar në një samit kryeministrash, më duket në Paris, paskësh thënë fjalinë magjike: "Ç't'ju bëj që keni Francën, se asgjë më shumë se unë s'keni, jeni thjesht kryeministra vendesh të mëdha".

Thënia nuk ka qenë qëndrim as zyrtar, as publik, por e ndarë kështu në konfidencë me shkujdesjen dhe lirinë që e karakterizonte Nanon.

Në të vërtetë ai ka thënë një të vërtetë, është shumë e vështirë që Shqipëria të bjerë në sy e të ketë rëndësi dhe boll të shohësh Eurovizionin dhe kupton masën XS që kemi në raport me vendet e fuqishme.

Edi Rama ndoshta as e di këtë sintezën e Fatos Nanos, por është politikani që e ka ditur mirë hartën e vendit të tij dhe me një talent gati manipulativ ka rënë gjithmonë në sy. Kryeministri shqiptar i mahnit gazetarët e huaj nga gjatësia, nga atletet, nga kollaret, nga batuta e mirë dhe përfshi edhe faktin që është artist, gjë e rrallë për Ballkanin e për të gjithë botën. Edi Rama e di që është atraksion turistik dhe këtë e ka përdorur gjithmonë me sukses edhe tek liderët botërorë.

Edhe magjepsja ka një kufi, një masë, dhe ajo që ne si shqiptarë (e thashë prapë) duhet të shohim është vëmendja tek Shqipëria dhe jo tek një njeri i vetëm. Ok, e dimë, kryeministrin e kemi një personazh karizmatik, çarmatosës dhe trullosës, por në fund të ditës çfarë na sjell më shumë sesa një vënie re dhe a duhet që edhe Shqipëria të llogaritet jo vetëm me peshën e një kryeministri artist por me mesazhe për ekonominë e saj, për investime, për bashkëpunime tregtare, për mirëqenien e qytetarëve të saj, shqiptarët! Këtë pyetje ia bëra sot vetes teksa rastësisht më çoi Perëndia të bëja një “scroll” në Instagramin e Angela Merkel-it. Në postimin e fundit me kryeministren serbe, Ana Brnabiç, mes fjalive në gjermanisht dalloheshin disa shifra. E përktheva dhe bëhej fjalë për një mesazh falënderues për bashkëpunimin me Serbinë, që Merkel e quante një histori suksesi: 400 kompani gjermane me rreth 60,000 mijë të punësuar etj., etj.

Postim tjetër, me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, dhe aty flet për marrëveshje bilaterale dhe kërkon më shumë bashkëpunim me BE-në, duke nënvizuar se kishin edhe gjëra të ngjashme.

Më Princin e Jordanisë, falënderime për punën e shkëlqyer të Jordanisë në mposhtjen e konflikteve rajonale.

Postim në Kinë, në lumin e tretë më të gjatë në botë, e kështu me radhë. Bashkëpunime dhe para.

Por as Kina, as Jordania dhe as Greqia, që tek e fundit gjermanët kanë 50 vjet ku marrin rreze dielli dhe lënë kursimet atje me pushime, nuk flakëronin si shifrat e Serbisë. Serbisë "bravo dhe miliona" Shqipërisë bravo vetëm Edi Rama, artist, libri etj., etj.

Nuk është as kjo pak, se mund të ishim të padukshëm, por s'mund e nuk është e drejtë të ngushëllohemi vetëm me formë. Shqipëria nuk ka bërë asnjë luftë famëkeqe, është portë europiane në Ballkan, është me det e male, është princesha e rajonit dhe historitë e suksesit duhet të ndodhin të paktën edhe këtu, jo vetëm tek fqinjët, (sepse s’ka përse mos të ketë Serbia, Mali i Zi, Maqedonia E Veriut, të gjithë le të rriten). S’ka përse infermierët e mjekët të shkojnë tek vendi i Angela Merkel-it. Por këtë do ta kuptojmë nga postimet në të ardhmen. Boll më, koha është të rritemi e të bëhemi vend normal dhe të mos merremi si u vesh, si hyri e më kë doli, por çfarë u firmos, sa investime, sa të punësuar, sa ia vlen me qenë shqiptar!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684081690 /email: [email protected]