• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 21 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Në fund do pendohemi që nuk postuam më pak!


    Në botën instagramore ka jetë të shndritshme, perëndime, puthje, qytete, det, mal, jaht, veliere, akullore, celulit, që është kthyer në modë kur e ke, se dukesh origjinale (Në fakt askush nuk e duron dhe mbetet i pakëndshëm për syrin). Mbase ka edhe realitet 100 për qind dhe nuk është kaq e pamundur që jeta të jetë ashtu si duket, e sforcuar dhe e shkëlqyeshme. Ose ka edhe foto me libra që shumica s’i mbarojnë në plazh.

    Ka vende që i ke parë me imagjinatë, edhe pa qenë kurrë është njësoj sikur ke qenë. Për shembull ato plazhet e ishullit të famshëm grek Mykonos, që ia kemi mësuar emrat përmendësh, Namos, Scorpione, etj; etj. E përse të shkosh, edhe nëse të bie lotaria (çmimet, thonë, janë të frikshme), kur kanë shkuar të gjithë dhe i ke parë të gjithë cepat?

    Njeriun e mban gjallë kurioziteti dhe zbulimi i së panjohurës. Trajtimi i vetes si pronë e like-ve dhe domosdoshmërisë për të dhënë prova se ti je gjallë nëpërmjet postimeve glamur është një trend i përkohshëm. Në fund të gjithë nuk duam as suksesin e as lumturinë, sa na duhet gëzimi.

    Të jesh i gëzuar kërkon shumë pak, ndonjëherë matet me përmasat e një fëmije.

    Një rrugë e bukur, një pjatë e mirë, një birrë e ftohtë dhe takimi me njerëz të vërtetë, që të zgjojnë nga vetja ku ke humbur.
    Sot takova një profesor arti, i huaj, që në dyqanin e tij nuk shet lehtë korniza të bukura prej ari me stil barok apo edhe të tjera. Apo dhe ato punimet prej dore që i vizaton po një mësuese arti. Vendi i profesor Sebastianit është i bukur, por i varfër! Nuk kanë para të blejnë kornizat prej ari.

    Pastaj profesor Sebastiani më tregon për historinë e qytetit të tij dhe disa sekrete për udhëtarët e verës.

    Afrohet e motra, një 81-vjeçare, që duket më e re nga flokët e lyer në të kuq, bizhutë e florinjta dhe jetën prej stilisteje me bashkëshortin francez. Ajo nuk jeton në qytetin e lindjes dhe unë e pyes: – Vjen shpesh këtu? Takon edhe shoqet, besoj…

    – Oh, jo. Takoj vetëm familjen. Në jetë takojmë njerëz xhentilë dhe njerëz të këqinj, por asnjëherë shokë e shoqe. Ta them unë, jam 81 vite mbi këtë tokë.

    – Çfarë profesioni ke? – pyet profesor Sebastiani.

    – Gazetare, kam një faqe online. Janë ato gjërat e internetit.

    – Profesion kompromisesh dhe i palumtur duhet të jetë, – thotë ai.

    – Në fakt, unë e kam pasur ëndërr dhe si të them…

    Sebastiani: Dhe pastaj të gjithë zgjohemi nga gjumi një ditë!

    Dhe kështu po mendoja që gjërat që nuk janë në Instagram mund të jenë pa shkëlqim si kornizat me pluhur të profesor Sebastianit, të shtrenjta, por që s’i blen njeri. Njerëzit që takon, vendet që shohim për herë të parë, makaronat që provojmë për herë të parë, rrugica që shkelim për herë të parë, janë gëzime që nuk i fotografon dot, dhe i merr përjetë në Instagramin e parë e të fundit të njeriut, kujtesën!

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]