• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 19 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Aktualitet Të gjitha

    Në Firence nuk ke pse flet italisht. Shqip, vetëm shqip!


    Nga Mira Kazhani/Jemi në Firence, ndoshta në më të bukurin qytet të Europës. Vendi i Davidit, Pinokut, biftekut të famshëm Fiorentina, dyqaneve, turistëve, radhëve për panine, pritjes dhe vështirësisë për të gjetur një taksi: atje ku humbet kollaj edhe nëse je duke ecur me iphonin tënd location-direction. Via këtu dhe Via atje, por që ngado të dalësh nuk je i humbur, se edhe në kafen më “morr” të ndalosh do shijosh një briosh me çokollatë që të shkrin në gojë, jo si ato që gjen në Tiranë, që të duhen dhëmbë të fortë për të tërhequr petët. Aty mendon se tek ne duhet bërë ligj: ta shpallim të ndaluar brioshin dhe më mirë pa të se të bësh krim e të paguash për diçka që nuk hahet. Të gjitha këto i dini dhe nuk do fyeja shëtitjet e udhëtarëve tradicionalë dhe rastësorë shqiptarë drejt Italisë duke iu treguar se çfarë është Firence. Jam e bindur se ka ekspertë dhe njohës të mirë. Personalisht udhëtoj rrallë, sepse ta pranojmë, kushton. Një pyetje: A iu ndodh juve që me një fundjavë, hotel minimalist dhe bilete “low cost” t’ju vijë mendja vërdallë kur ktheheni, sepse duhen tre muaj që të merrni veten nga kuleta?! Besoj që po. Megjithatë, fundjava në Firence ia vlejti për diçka tjetër: për disa njerëz që takova, të cilët u bënë shkak për këto rreshta.

    Në Firence mund të shkosh kur të duash dhe mos u shqetëso nëse nuk di italisht, as anglisht, boll të flasësh shqip!
    Restoranti i parë, i cili ndodhet një rrugë matanë location-it të hotelit, pranë Duomos së famshme, quhet “Brandolino”. Sa futesh, ngrohtë. Muret janë si të vjetër dhe me piktura si të periudhës së Rilindjes (italiane). Po kujt i plasi për artin, brenda është ngrohtë dhe vjen era piper, vaj dhe ndoshta edhe krem katalan. Një djalë, me pamje italiani tipik, afrohet dhe na merr porosinë. Largohet dhe kur kthehet flet shqip.

    -Jam nga Tirana. Ju, nga cili vend i Shqipërisë?
    Ua, sa mirë! Aty ishte një shqiptar. Por jo një, në fakt aty ishin të gjithë shqiptarë, edhe pse i merrje për italianë. Drini dhe Besi prej vitesh menaxhojne e restorante. Dreka ishte super. Nëse do shkoni në Firence, mos e humbni. E gjeni lehtë fare, “Ristorante Brandolino”. Thjesht klikojeni në google.
    Darkën vendosëm ta kalojmë tek një restorant që quhet “Perseus”.

    -Atje, na thotë gruaja e hotelit, – mund të provosh Fiorentinën më të mirë. Rrugës për të kapur një taksi, një djalë i veshur bukur, para një restoranti na përshëndet: -Mirëmbrëma.

    E përshëndesim dhe me një buzëqeshje patriote vazhdojmë rrugën.
    Mbërrijmë tek Perseus. Tek dera, një nga të menaxherët e restorantit vjen dhe me një lirshmëri të pabesueshme na flet shqip e na thotë se ku mund të uleshim. Ky është Driti, një super-personazh, që punon prej dy dekadash në një prej restoranteve më të mirë atje, bashkë me kuzhinierin. Se mos kujtoni se quhet Carlo! Thjesht Vlashi, Vlashi nga Kavaja është talenti që fiorentinët duhet ta prenotojnë para se të shkojnë.

    Tek “Perseus”, nëse do të shkoni ndonjëherë, mos e humbni ëmbëlsirën e Dritit dhe për herë të parë do thoni se provuat Tiramisu. Deri më sot keni ngrënë tiramigiu!
    Ikim të flemë pa folur një fjalë italisht.

    Dita e dytë

    Një ndalesë tek “Sephora” për një krem hidratant, sepse bën ftohtë, sinqerisht ftohtë.

    Afrohem tek kasa dhe një vajzë brune në fjalinë e dytë e braktis italishten dhe më pyet me theks shkodran nëse jetoj në Shqipni apo këtu rrotull.

    Ajo, e lindur atje dhe gjyshërit i kishin mësuar shqip, atë të shtëpisë, të Shkodrës.
    Në një tjetër dyqan takoj Angelën, që flet si elbasanllie dhe më tregon se mami i bërtet nëse nuk lexon portale Shqipërie. -Më kritikon për gjuhën dhe përpiqem të shoh ndonjë gjë -më rrëfen ajo.
    Si përfundim, pak para se të kthehemi, duhet të ndaloj për një triko të trashë tek H&M, për të zbutur pak të ftohtin. Një italiane nursëze më thotë se duhet të shkoj tek kasa dy kate më lart se aty s’qe hapur. Ajo thjesht përtoi. E kuptueshme!
    Shkoj lart dhe ndërsa pres në një radhë relativisht të gjatë, njëra nga vajzat thërret: Cassa liberaaaa!

    Afrohem me nxitim dhe i flas një italishte gëk-mëk, ca nga i ftohti e ca nga përtesa.

    -Më fal, unë ty të kam fytyrë të parë,-
    më thotë vajza në italisht.

    -Ah jo, nuk jam italiane. Jam nga Shqipëria. Kushedi me kë të ngjaj.
    Ajo: Unë jam Eleonora, ti je ajo gazetarja me një mbiemër me zh. Të lutem ma kujto emrin.
    -Mira Kazhani, – i përgjigjem unë dhe isha gati ta përqafoja që ajo lexonte Tiranapost.
    -Ju ndjek, -tha Eleonora dhe s’po e besoj që ju takova.

    -Eleonora, jam unë që s’po u besoj veshëve dhe syve. Që kur erdha në Firence nuk kam bërë dy fjali bashkë në italisht, sepse kudo janë shqiptarët si puna jote. Kjo po është arritje, por edhe humbje për ne, që shqiptarë kaq të mirë e punëtorë ia falëm botës.

    Në kthim nuk i thashë asnjë fjalë për be në italisht taksistit, i cili qëlloi vërtet italian, por më kuptoi shumë mirë.

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]


    Driti nga Restorant Perseus Firence


    Besi dhe Drini menaxhere të Restorantit Brandolino, Firence