• Shqip
  • English
  • E enjte, 18 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • Opinion Sa nje kafe nga Iva Të gjitha TIP top Urban

    Në ditën ndërkombëtare, kush ka vajza botën ka


    Nga Iva Tiço/ Një nga historitë që më pëlqente të dëgjoja e të dëgjoja nga prindërit, ndërsa isha (jo dhe aq) e vogël, qe ajo kur teksa i pyesja “si kam lindur unë”, ata më tregonin se si kur im atë tek dera e maternitetit kishte marrë lajmin që ishte bërë me vajzë kishte nisur të qante nga gëzimi, shumë burra kishin nxituar me paketa cigaresh në dorë ta ngushëllonin: “E para është? Mos u mërzit, se do bësh djalë herë tjetër”. Përveçse kjo histori për mua ishte përgjigjja më e mirë për “sa xhan më keni?”, ishte njëfarë treguesi që im atë qe shumë ndryshe nga burrat e tjerë shqiptarë: jo vetëm ëndërronte të kishte një vajzë, por mund ta lëshonte veten e të përlotej para gjithë burrave të tjerë, që ardhjen e djalit në jetë e kishin qëllimin më të madh të jetës së tyre.

    Sot, dyzet vjet më pas, për fat, gjithmonë e më shumë më ndodh të shoh rreth e rrotull vetes burra të ngjashëm me tim atë, që lumturohen kur marrin lajmin që do bëhen “baba vajze”. Nuk di të them nëse kjo ndodh edhe në zonat rurale, sepse për fat të mirë jam e rrethuar nga njerëz relativisht të shkolluar, realizuar dhe mendjehapur, por më pëlqen të jem shpresëplotë se gjërat po ndryshojnë. Dhe në ditë si kjo e sotmja, Dita Ndërkombëtare e Vajzave, që për herë të parë dëgjoj të përmendet edhe në mediat shqiptare (vetë OKB e ka përcaktuar këtë ditë si të tillë vetëm në vitin 2011), ia vlen të kthehen sytë nga gjithë vajzat e vogla për të sjellë në vëmendje qëllimin e përcaktimit të një dite të tillë: trajtimi i barabartë dhe mundësitë për vajzat në mbarë botën, në fusha të tilla si ligji, të ushqyerit, kujdesi shëndetësor, arsimimi, etj.

    Në Shqipëri statistikat e tilla mungojnë, por ato nga bota janë të frikshme. Për shembull rreth globit vajzat janë trefish më të kequshyera se djemtë; çdo vit rreth dy milionë vajza të moshës 5-15 vjeç janë të trafikuara, të shitura ose të detyruara të punojnë në tregtinë e seksit; kanë vështirësi dhe pengesa në arsim dhe në shërbime të tjera bazë; një foshnje vajzë ushqehet me gji nga nëna deri në tetë javë më pak sesa një foshnje djalë; në botë 1 në çdo tre vajza martohet përpara moshës 18-vjeçare; rreth 50 mijë vajza të moshës 15–19-vjeçare vdesin çdo vit gjatë lindjes së fëmijës.

    Ndaj dhe ia vlen që së paku për një ditë në vit sytë e të gjithë botës të kthehen nga ato, nga vajzat e vogla, që do jenë gratë e nesërme. Një jetë më e mirë për to do të thotë një jetë më e mirë për të gjithë shoqërinë. Dhe në një vend si Shqipëria nuk është dhe aq e thjeshtë të jesh vajzë, edhe sot e kësaj dite: do të të duhet t’i bësh të gjitha njëkohësisht, edhe lojrat e moshës, edhe kujdesin për vete e për shtëpinë, të mësosh në shkollë e të dalësh me nota sa më të mira, edhe sportin edhe ndihmën për mamin, edhe të lexosh edhe të mësosh të jesh amvisë, edhe të përpiqesh t’ia dalësh e të jesh e zonja e vetes edhe të ëndërrosh një burrë po aq të mira sa babai yt… Nuk është e thjeshtë për vajzat e qyteteve të vogla e të fshatrave, që ëndërrojnë të jetojnë në një qytet ku nuk i njeh askush dhe ku i shpëtojnë thashethemeve të provincës, nuk është e thjeshtë as për vajzat e vogla të Tiranës, që prindërit i mbajnë gati të burgosura brenda apartamenteve, sepse nuk kanë ku luajnë apo sepse është merak t’i lësh të dalin vetëm në rrugë. Nuk është e thjeshtë për vajzat që kanë vëllezër, sepse vijojnë ta ndiejnë ende veten jo aq të rëndësishme sa “djali i shtëpisë” dhe po ashtu nuk është e thjeshtë as për ato që janë të vetme apo që kanë motra dhe rriten me përgjegjësinë që duhet t’u bëhen patjetër prindërve krahë. Nuk është e thjeshtë për vajzat që bien herët në dashuri dhe familja ose iniston t’i ndajë ose i marton shpejt e shpejt, që të mos u dalin llafe dhe nuk është e thjeshtë as për ato që nuk e kanë mendjen tek djemtë sepse mund t’i quajnë murgesha (jam tmerruar kur një adoleshente më rrëfeu se në shkollë e tallnin me këtë fjalë, sepse ishte 15 vjeç dhe nuk ishte puthur ende)… Nuk është e thjeshtë të jesh vajzë, sepse djemtë mund të të tallin, të të vënë në lojë, të hapin faqe në rrjetet sociale e t’i përdorin kundër teje dhe nuk është fare e thjeshtë, madje është mizore, kur sheh që këtë e bëjnë edhe vajzat për vajzat.

    Po për kë është e thjeshtë jeta në këtë vend, që të jetë për vajzat e vogla?! Për ato që herë me pamje princeshash, herë harrakatesh, herë të ndrojtura e herë kapriçoze, që luajnë edhe me kukulla edhe me top, që duan të vizatojnë por që nuk heqin as tabletin nga dora, herë të veshura sportive e herë me takat dhe buzëkuqin e mamave, rriten pa kuptuar derisa i sheh që të janë bërë si shoqe, janë bërë fiks siç i ke trajtuar, gra të pavarura apo të nënshtruara, të zonjat ose viktima, të dashura apo të mbushura me mllef… Ndaj, pak më shumë vëmendje dhe dashuri për to veç mirë bën. Dhe një ditë në vit është veç një nisje.