• Shqip
  • English
  • E shtunë, 25 Janar 2020
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Kryesore Të gjitha

    Në darkë fle ministër, në mëngjes bëhesh kalimtar. E bukura dhe bisha e Shqipërisë


    “25 Rreshtat e Mirës”…Kur u përshëndetëm në fund me ish-njeriun e rëndësishëm, që qe bërë kalimtar, e ngushëllova: Nuk është keq edhe të dalësh e të ecësh i lirë në Tiranë, pas një detyre të rëndësishme. Ka nga ata që pasi ikin, i thërrasin dhe në prokurori, janë në hall. Bereqavers me kaq! I papunë dhe pa mirënjohje.

    Sot takova rastësisht një ish-zyrtar të lartë, avokat në profesion. Ishte i përhumbur dhe kish marrë menjëherë pamjen e një të papuni. U përshëndetëm miqësisht dhe u shtira sikur kjo të ishte një gjë normale. Bashkë me të ftohtin, u drejtova për nga makina, ndeza radion dhe po dëgjoja një nga ata dokumentarët e radio BBC-së. Sa herë i dëgjoj, vij në vete e ndërmendem se sa të rëndë e kemi komunikimin në përgjithësi, të gjithë, këtej nga anët tona.

    Bota po lakohet në një formë spontaniteti, por prapë ne e bëjmë më keq se të gjithë. I bëjmë njerëzit leshko, nëse nuk na interesojnë më. Karrierat janë më shumë mallkim se CV. E keni vënë re sa të parëndësishëm kthehen ish-ministrat, ish-presidentët, ish- kryeprokurorët…? Nga të gjithë ish-ët, i vetmi që e kuptoi sekretin ishte Ndre Legisi. E keni harruar po si jo! Ish-ministri jeton në fshat dhe ka një super fermë me lopë, pemë, dele! E kam telefonuar para një viti e gjysmë dhe ai më tha se duhet të shkoja për intervistë në një kohë të përshtatshme dhe përdori ato termat që zakonisht i thonë agronomët, veterinerët. Diçka me kullota, nëse nuk gaboj! Arsyeja që doja prej tij intervistën, që duhet ta bëj një ditë, ishte zgjedhja anti e shkuar e ndritur. Ndreu, në mendjen time, që më vjen si imazh me mustaqet e zeza, ua kish hedhur të gjithëve. Nuk kish shëtitur nëpër Tiranë, për të ndjerë ajrin e ftohtë të motit dhe kalimtarëve. Ai duhet të ketë kuptuar sekretin e madh shqiptar: Po re nga fiku, po të shtynë, ta fusin, presin degën tënde apo rrëzojnë gjithë fikun, përpiqesh kot! Liderët e dinë këtë formulë dhe ndaj zgurdullohen për mandate të tjera e të tjera. Sepse, të jesh në majë dhe pastaj të bësh një kafe turke, teksa sheh Bashkimin në “News 24”, është deprimuese!

    Tony Blair, në biografinë e tij, tregon se si telefonoi një mik, i cili e pyeti matanë telefonit se si quhej. Ai e kish fshirë numrin e tij, pa u mbushur viti, pas ndërprerjes së punës si kryeministër. Një autoironi britanikësh, por që mbyllet me kaq. Sepse Tony mbetet Tony! Takimet, konsultimet nga një cep i botës në tjetrin, i sjellin atij para, energji dhe nuk ia shkelin “dikushin”.

    Shqipëria ka një zhgarravitje kur vjen puna tek respekti për të shkuarën e dikujt. Kushdo qoftë ai, në e ka bërë punën pa skandale dhe fati apo koha i ka mbaruar, kjo nuk mund ta zhbëjë atë. Është e egër dhe një ditë mund të jesh edhe ti në këtë pozitë.

    Kur u përshëndetëm në fund me ish-njeriun e rëndësishëm, që qe bërë kalimtar, e ngushëllova: Nuk është keq edhe të dalësh e të ecësh i lirë në Tiranë, pas një detyre të rëndësishme. Ka nga ata që pasi ikin, i thërrasin dhe në prokurori, janë në hall. Bereqavers me kaq! I papunë dhe pa mirënjohje.

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post